Ministri Panariti prezanton projektin e platformës për Bursën e parë Bujqësore

432
Sigal

Panariti: Eshtë mbrojtësi më i mirë i interesave të fermerëve, si dhe i
konsumatorëve që blejnë në piken fundore

 

Panariti: Çmimi i dakordësuar mes prodhuesit e grumbulluesit, do të
vendoset me ankand

 

Panariti: Platforma do të jetë online së shpejti, e aksesueshme nga
kushdo

 

“Nuk do të lejojmë më, që të spekulohet në kurriz të fermerëve dhe
prodhuesve. Siç ka dhe tregtarë të ndershëm, ka edhe nga ata spekulantë, por ne
nuk do të lejojmë që të ketë prodhim nën kosto, prodhim që t’i dalë fermerit me
humbje”. Deklarata erdhi sot nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe
Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, gjatë prezantimit të
projekt-platformës për Bursen Bujqësore, iniciativë kjo ambicioze e MBZHRAU.

Ministri Panariti prezantoi sot këtë mekanizëm, në prani të Drejtorëve të
Bujqësisë ne qarqe, përfaqësues të shoqatave të fermerëve, por edhe të
grumbulluesve të produkteve bujqësore, si dhe të eksportuesve. Ministri
deklaroi se, kjo platformë, ky projekt, i cili do të nisë të funksionojë sapo të
plotësohet i tëri dhe që në të duhet të përfshihen edhe institucione të tjera,
do të vendosë çmimin fillestar, si një mekanizëm që shërben për dakordësimin e
çmimit mes palëve.

“Prodhuesit negociojnë me grumbulluesit për një periudhë të caktuar, që
mund të jetë njëditore, dyditore, një javore etj. Do të përcaktojnë ato, që unë
i konsideroj si çmime të dakordësuara mbi bazën e ankandit, që do të jenë
çmimet e referencës. Kuptohet, këto do të jenë çmime që nuk mund të jenë kurrë
poshtë kostos së prodhimit. Qëllimi jonë kryesor është mbrojtja e fermerit nga
humbja. Të gjithë duhet të jenë në rolin fito-fito dhe nuk ka pse, apo s’duhet
të ndodhë që dikush fiton, ndërsa fermeri vetëm humb. Ne nuk do ta lejojmë këtë
dhe ky mekanizëm, i cili do të nisë zbatimin së shpejti, do t’i mbrojë fermerët”,
theksoi Ministri i Bujqësisë, sipas të cilit, “çmimi referencial është vetëm
hapi i parë drejt Bursës Bujqësore që do të jetë edhe mekanizmi rregullator i
tregut bujqësor në të ardhmen. Ky çmim do të orientojë fermerët në çmimet e
shitjes, blerjes dhe eksportet”.

Por, për Ministrin e Bujqësisë, një faktor shumë i rëndësishëm është edhe
mbrojtja e konsumatorit nga abuzimi me çmimin. “Kjo është në interes jo vetëm
të prodhuesit dhe të grumbulluesit, por edhe të konsumatorit. Edhe konsumatori
duhet të ketë një transparencë në çmimet e shitjes me shumicë, në mënyrë që kur
të kalojë malli bujqësor tek dora e tretë, të ketë një çmim preferencial. Çdo
konsumator duhet ta dijë dhe nëpërmjet kësaj platforme mund të orientohet, se
sa është sot në Lushnjë apo në një rreth tjetër çmimi i një produkti dhe ai të
mos e blejë atë në një treg apo tezgë me 10 fishin e çmimit”, theksiu Ministri
Panariti.

Pas prezantimit të strukturës së platformës, fermerë, grumbullues,
eksportues dhe krerë të Bujqësisë në qarqe, hodhen idetë e tyre për disa shtime
zërash, detajesh apo edhe ndryshime, me qëllim që platforma të jetë sa më
atraktive dhe më e pasur me informacione, gjë që u ra dakord për t’u shtuar në
mënutë e saj.

Që nga momenti i përfundimit të saj, platforma do të jetë online për çdokënd
që ka interes të marrë informacion për çmimet e produkteve bujqësore. “Në të njëjtën
kohë, tha Ministri Panariti, ne do të punojmë për të gjetur mënyrën se kush do
të ketë akses për të hedhur materiale në të, çmime etj, si dhe për bazën ligjore
të funksionimit të saj”.