Ministri i Brendshëm masakron fakirët e duhanit dhe nuk kap dot bosët e mëdhenj të hashashit

429
Sigal

Policia zbulon dhe masakron fakirët e duhanit, nuk “shikon e nuk kap dot”
bosët… e hashashit!

 

Arjan Zadrima

 

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, u zhvillua si emergjencë për të
ndalur krimin e kultivimit të hashashit që ka mbuluar çdo metër katror të
territorit të vendit, krim që përveç Shqipërisë po përfshinë rajonin dhe vendet
e BE. Nga kjo mbledhje, evidentohen 4 momente.

Së pari, prej kupolës së “Rilindjes” nuk ka as vullnet dhe as dëshirë
për të luftuar këtë krim me përmbajtje, me mbështetje e figura shtetërore.

Së dyti, alarmi dhe emergjenca e kësaj mbledhjeje sigurie të kërkuar
prej kreut të shtetit, për të luftuar këtë krim që po shkatërron sigurinë kombëtare,
u shpërfill dhe u ironizua turpshëm nga kryeministri, i cili në vend të ishte zëri
më i ashpër në këtë mbledhje, bëri karshillëk e ortakllëk me krimin dhe në mënyrë
komike, iku për të hapur ekspozitë vizatimesh në SHBA, sikur ajo mbledhje të
kishte tematikë… djegien e supës në çerdhet e fëmijëve!

Së treti, pas mbledhjes së sigurisë kombëtare, vartësi Peleshi i
kryeministrit e cilësoi krimin e kultivimit të hashashit, jo si “aktivitet të
mafies shtetërore të lidhur me botën e këtij krimi”, por si çështje “papunësie
e varfërie të popullit”.

Së katërti, ministri përgjegjës për luftën kundër krimit, ashtu si
përherë në këto 2 vitet e biznesit të drogës edhe në atë mbledhje, tentoi t’i
shpëtonte përgjegjësisë dhe autorësisë institucionale të këtij krimi, duke
qeshur si të ishte duke dëgjuar barcaletat e shefit të tij, paçka se vartësit e
tij drejtorë e shefa policie dhe pushteti lokalë në zona, rrethe e qarqe
zhvillojnë, monitorojnë, fshehin, mbrojnë e vjelin këtë biznes-krim edhe për
shefat e tyre politikë e ekzekutiv.

Mjafton të zbardhësh këto katër momente dhe del në konkluzionin e pa kontestueshëm,
se krimin e kultivimit të hashashit nuk e bëjnë fshatarët që kullosin lopën, as
fukarenjtë në mbarë vendin të cilët prej më se 3 vitesh po presin hapjen e 300
mijë vendeve të punës, as ata që nuk kanë lekë të paguajnë faturën e dritave,
as pensionistët që mbajnë radhën për kompensimin e energjisë elektrike, as
fëmijët e shkollave dhe as invalidët që presin radhën për të dalë në “KEMP”. Po
cilët e bëjnë? Faktet kanë treguar, se këtë biznes-krim gjigant e bëjnë ata që
kanë në duar miliardat e siguruara prej pushtetit dhe prej krimit e
korrupsionit, të zhvilluar nëpërmjet favoreve të dhëna e të garantuara prej
shefave të tyre me pushtet. E bëjnë, ata që kanë në duar pushtetin vendor, të
marrë nëpërmjet miliardave dhe lidhjeve nepotike e të krimit! E bëjnë ata, të
cilët mbrohen prej atyre “kapove” të pushtetit të “Rilindjes”, të cilët mohojnë
masivitetin e kultivimit të hashashit dhe që bëjnë sikur e luftojnë! Mjafton të
kujtosh rastet e zbulimit të drogës, të cilat kanë autorësi edhe drejtues të lartë
policie, pushteti vendor të “Rilindjes”, militantë, ortakë biznesesh e
familjarë të tyre, që të kuptosh, se përse mbrohet, fshihet dhe nuk luftohet
krimi i hashashit! Më qartë, të kuptosh se përse kryeministri nuk shkoi në atë
mbledhje të sigurisë kombëtare. Se përse Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri,
tentoi ta quajë si “krim ordiner kalimtar pa autorë, pa asnjë lidhje me
drejtues të policisë, të pushtetit vendor e qendror”! Se përse Peleshi i kryeministrit,
deklaroi 24 orë më parë, se kultivimi i hashashit është “krim që bëhet nga varfëria
dhe papunësia e popullit”! Se përse prej kupolës së qeverisë, u la që lufta
frontale kundër këtij krimi të nisë në… janar 2017, pra duke pritur edhe një
cikël “bujqësor” të mbjelljes dhe korrjes 45 ditore të radhës! Nuk ka më asnjë
dyshim, që kultivimi i hashashit është biznes, i cili ushtrohet e kontrollohet nga
kupola policore e Tahirit, i cili bën të zgjuarin kur mban fjalime e lëshon
batuta për luftën kundër hashashit dhe bën “budallain”, kur vartësit, militantët
dhe fiset e tij e të shefave të “Rilindjes” kapen nëpër porte shqiptare e të
huaja, në det me skafe, nëpër pika kufitare me vetura, kamionçina e maune të
mbushura me tonelata hashashi të tharë e të paketuar, kur zbulohen depo
gjigante hashashi nëpër bashkitë “rilindëse”, territoret e të cilave janë
hektarë të mbjellë me hashash! Janë 11 mijë e 500 policë e shefa policie, të
cilët varen prej ministrit Tahiri, të cilët së pari janë banorë zonash dhe e dinë mirë se ku mbillet hashash,
madje 60% e drejtuesve të lartë të policisë në rrethe e qarqe, janë kthyer në
“shefa bujqësie” të kultivimit të hashashit, në mbrojtës dhe përfitues të 30% të
prodhimit të shitur me parapagim prej kultivuesve, ndërkohë që në tokat e 40% të
policëve mbillet hashash (sipas informacionit të SHISH) dhe shërbimeve sekrete
ndërkombëtare! Kjo lidhje me biznes-krimin e drogës, bllokon edhe luftën reale
e totale kundër drogës! Policia, raporton çdo ditë, se ka korrur aq e kaq bimë,
se ka pastruar aq e kaq parcela, se ka zbuluar aq e kaq magazina me hashash, se
ka arrestuar aq e kaq fakirë barkë-pangopur, fëmijë, plaka e madje edhe gra shtatzëna.
Pra, njofton, se ka kapur skllevërit, por nuk paska kapur dot. skllav-pronarët!
Policia dërgohet pasi ai është vjelë “kalliri”, pra për të korrur… lëpushkat!
Ministrit të Brendshëm, këtij shtetari të deklaruar “fuqiplotë i rilindjes”
prej kryeministrit, nuk i mungon as infrastruktura, as ushtria e madhe e
policëve, as faktet e mbjelljes, as denoncimet e medies dhe të qytetarëve, as
rastet e kapura prej policive fqinje e atyre ndërkombëtare, as mendja për të
kuptuar, se kultivimi i hashashit është “krim” e mbi të gjitha, nuk i mungon as
përvoja, mbasi atë e ka me luftën spektakolare e të suksesshme kundër hashashit
në Lazarat! Në rastin konkret, i mungon liria për ta luftuar, mbasi kultivimi është
biznes kombëtar i kupolës së “Rilindjes”, zhvilluar me duart e pista të kontingjenteve
të krimit dhe me mbrojtje të strukturave ligj-zabtuese të shtetit! Janë
denoncuar e zbuluar si kultivues, financues dhe mbrojtës të kultivimit të drogës;
drejtues policie, zyrtarë të lartë administrate, drejtues e administratorë
pushteti lokal e qendror dhe familjarë të tyre! Këta nuk janë “popull” që
ushqehet me asistencë, as ata që digjen nga gazi në uzinat e naftës, as fëmijët
e trotuareve që lajnë makinat e ministrave për 10 lekë bukë, as ata që vdesin nëpër
spitale prej shpërfilljes, as ata që varrosen me lekë… borxh! Por janë
“shtetarët dhe bijtë e rilindjes”, të cilët nuk po preken nga policia, e cila
zbulon edhe tentativat për akte terroriste në një ndeshje futbolli! Ndryshe,
nuk do të ndodhte, që kryeministri shkon nëpër fshatra me toka të mbuluara nga
hashashi e ulet në karrige poshtë hijes së hashashit dhe bën sikur nuk i shikon
fushat “pyll” me bimët më të gjata se ai! Ndërkohë që Shqipëria është mbushur
me hashash dhe policia bën sikur nuk e shikon, çuditërisht “zbulon” 10-15
kultivues e shitës duhani dhe me kobure në dorë, i sekuestron e i shtron në
dajak në mes të qytetit! 

Ja 5 pyetje që duan përgjigje

 

1.     
Përse u la dhe po
lejohet të kultivohet masivisht hashashi?

2.     
Si shpjegohet
faktet, që mbjellja dhe prodhimi i hashashit menaxhohen e numërohen me inventar
“rrënjë më rrënjë” nga drejtuesit e policive lokale, të cilët i kanë kthyer
inspektorët e zonave në “vrojtues bimësh dhe brigadierë prodhimi” fushash të
hashashit?

3.     
Përse nuk u
përgjigjet policia dhe shteti, ankesave të banorëve të zonave, të cilët kanë
mbetur pa pyje, pa toka, pa pemëtore, pa kullota e pa ujë, mbasi ua kanë
zaptuar e rrëmbyer kultivuesit armatosur të hashashit?

4.     
Përse policia nuk
publikon një listë me pronarët e parcelave, ku është mbjellë drogë?

5.     
Përse policia nuk
publikon një listë emërore të emrave të atyre që kanë zaptuar tokat, pyjet,
ujin dhe kullotat e fshatarëve dhe i kanë mbjellë me hashash?

Përse nuk zbatohet Ligji
Nr. 9559, datë 8 qershor 2006, që prangos drejtuesit e pushtetit lokal, kur në
zonat e tyre mbillet drogë?

Vetëm 3 muaj më parë, Ministria
e Brendshme bëri një takim “sekret” me drejtuesit e 61 bashkive të Shqipërisë,
me prefektët, zv/prefektët dhe kryetarët e Këshillave të Qarqeve, për të
ndërtuar një skemë të re për luftën kundër kultivimit të hashashit. Sipas
informacionit të “Telegraf”, në këtë mbledhje nuk është folur me “lutje”, por
me urdhra të formës së prerë e me gjuhë të ashpër nga ministri Tahiri, duke i
kërcënuar edhe me burgosje kryetarët e bashkive, prefektët, kryetarët e
qarqeve, administratorët dhe kryepleqtë e zonave, në rast të mos bashkëpunimit
me policinë e shtetit! Mësohet, se drejtuesve lokalë u është vënë përballë nga
një kopje e printuar e Ligjit
Nr. 9559, datë 8
qershor 2006 me objekt “Për një
shtesë në Ligjin nr. 7975, datë 26 korrik 1995 “Për barnat narkotike dhe lëndët
psikotrope”, i cili ka si përmbajtje prangosjen e tyre, në rast të mos kryerjes
së detyrimit ligjor për të bashkëpunuar me policinë e shtetit dhe institucionet
e tjera ligj-zbatuese anti-krim, për zbulimin dhe informimin e saktë dhe të
shpejt,  lidhur me zonat, parcelat dhe
individët që kultivojnë drogën në territoret e bashkive, qarqeve, prefekturave
dhe njësive administrative ku ata drejtojnë! Përse nuk zbatohet ky ligj?!!!


Vetëm 48 orë më parë

 

Policia italiane kap edhe 1 ton hashash të  prodhuar e transportuar nga Shqipëria, të
cilin “policia shqiptare nuk e ka… parë”!

 

Pardje, nën titullin “Brindisi, nga
Shqipëria lumenj droge. Guardia Di Finanza bllokon më shumë se 1 tonelatë”,
gazeta italiane “Corriere della Sera” denoncon faktin që policia shqiptare e
mohon përditë, referuar një aksioni të “Guardia Di Finanza”, sipas të cilit, dy
ditë më parë ka sekuestruar edhe më se një 1 ton marijuanë, që vinte nga
Shqipëria. Në lajmin e “Corriere della Sera”, thuhet: “Një fluks droge
gjithmonë më masiv po vjen nga Shqipëria. Dhe arrin brigjet e Brindisit. Në
brendësi të një ndërtesë fshati, “Guardia di Finanza” ka zbuluar një depozitë
marijuane: Më shumë se 1 tonelatë drogë, e cila ishte e ishte fshehur në zonën “Trulli”
pranë Tuturano, në Brindisi. Në komunën e San Pietro Vernotico, në një fund të
rremë të një kamioni, u gjetën 248 kg marijuanë dhe 138 kg në banesën ku ishte
parkuar automjeti. Operacioni është finalizuar me sekuestrimin e drogës dhe
arrestimin e dy autorëve, një italian dhe një shqiptar”, shkruan “Corriere
della Sera”.