Ministrat të dielën, PD nis punën: Listat i miratojnë të parët demokratët

495
Priten emrat e zëvendës kryeministrit dhe 6 ministrave që Basha do t’i propozojë Edi Ramës, si dhe emrat e drejtuesve të 6 enteve të tjera qeveritare.
Lista duhet të përmbajë edhe emrat e Avokatit të Popullit dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një lëvizje kjo e fundit, që do të sjellë edhe ndryshime të tjera në KQZ, sepse sipas marrëveshjes, opozita merr kreun, por jo shumicën e KQZ-së. 
Por deri tani nuk ka asnjë emër, edhe pse kryetari Basha është në konsultim intensiv për të përcaktuar propozimet e Partisë Demokratike. 
Burime zyrtare thanë se Lulzim Basha ka në plan t’ia dorëzojë emrat deri të dielën Edi Ramës, në mënyrë që të dy të parashikojnë një datë të afërt se kur do të mblidhet Parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar ndryshimet në qeveri, ndryshimet ligjore për financimin e partive, si dhe të marrë vendimin tjetër shumë të rëndësishëm: ngritjen e komisioneve për vettingun. 
Paralel me emrat e qeverisë, Lulzim Bashës i duhet të caktojë brenda një jave edhe listën e kandidatëve për deputetë. Në një mbledhje me kryetarët e degëve të Partise Demokratike, ai u kërkoi atyre që, përveçse të nisin menjëherë organizimin e fushatës, të sjellin propozimet për kandidatët për deputetetë nga baza. 
Megjithatë, 5 emra janë të njohur në listën e PD, kryetarët e partive të vogla Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Dashamir Shehi, Vangjel Dule dhe Agron Duka do të kenë vende të sigurta në listën e deputetëve, një shpërblim që Basha duket se u kishte premtuar përpara nisjes së protestës në këmbim të unitetit opozitar. Një vendim që një prej aleatëve nuk e mohoi pas takimit të aleatëve, por duke pasur rezerva për marrëveshjen Rama-Basha. 
“Nuk janë elementë që janë diskutuar për faktin se ndodhemi përballë një të papriture. Nuk është zgjidhja më e mirë, duhet të jemi realistë për sa ndodhi, por jemi para një fakti të kryer”, deklaroi Nard Ndoka. 
Burime të mirinformuara thanë për Top Channel se strategjia e opozitës shkon përtej futjes së emrave të kryetarëve të partive aleate në listë. 
Për të maksimalizuar votat në kushtet kur koalicionet nuk do të lejohen, partitë e vogla mund të mos paraqesin lista kandidatësh në KQZ, por votat e tyre t’ia japin PD në shkëmbim të një kandidati tjetër në listën demokrate në zonat ku aleatët janë provuar se janë të fortë. 
“Në këto kushte, kur ngrihet pragu elektoral, mund të kemi pretendime në 2 apo 3 qarqe. Kjo mbetet për t’u parë, megjithëse koha është e limituar. Por unë dhe njerëzit e mi po e shohin mundësinë për të konkurruar vetë”, deklaroi Agron Duka.
Sigal