Metoda e re e vjedhjes së CEZ, nëpërmjet matësve të energjisë

500
Sigal

Qytetarët paguajnë lekët për të lidhur matësin e energjisë, kompania e CEZ nuk e vendos

NOA

Mashtrimet e kompanisë CEZ ndaj qytetarëve shqiptarë nuk ndalen, duke filluar që nga faturat e larta, nga mbifaturimet e herëpashershme, nga ndërprerja e energjisë. Por jo vetëm kaq, abuzimet janë në forma të ndryshme dhe në përmasa të ndryshme. CEZ përkrah abuzimeve të ndryshme, tashmë po i vjedh akoma më hapur qytetarët.  E themi këtë pasi, jo vetëm që nuk bëri asnjë investim në energjetikë, por ka dy vjet e më shumë që vetëm grabit në mënyrë të përbindshme shqiptarët. CEZ është një nga kompanitë që i ka grabitur me së shumti dhe në mënyrën më të dhimbshme shqiptarët. Qytetarët janë ngritur në protesta masive herë pas herë, pasi durimi i tyre ka arritur kulmin, por rezultati lë shumë për të dëshiruar. E themi që rezultati i protestave lë shumë për të dëshiruar pasi shteti ynë në vend që të verë përpara përgjegjësisë ligjore kompaninë mashtruese, ndëshkon qytetarët e vet.

Metoda më e re se si ju vjedh CEZ-i

Grabitja e qytetarëve nga CEZ, ka arritur kulmin. Tani mesa duket nuk i mjafton CEZ-it më grabitja me anë të mbifaturimit të energjisë jashtë normave, por po i vjedh qytetarët edhe me anë të mashtrimeve të tjera që po bën për vendosjen e matësave. Kjo është mënyra më e re e mashtrimit të qytetarëve. Qytetari paguan shumën e parave prej katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind lekësh për lidhjen e kontratës dhe për vendosjen e matësit dhe si përfundim nuk i lidhet matësi, edhe pasi kanë kaluar katër muaj nga bërja e pagesës. Arsyet janë mëse të qarta, CEZ po vazhdon në format nga më të ndryshmet që të marri lekët qytetarëve për një shërbim që nuk e kryen. Një ankesë e tillë ka arritur në zyrën e Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, pasi nuk ka arritur që të gjejë zgjidhje në zyrat e CEZ. Qytetarja F. Çaushi, pasi ka bërë shtëpinë e saj të re është paraqitur pranë zyrave të CEZ, për të bërë kontratën dhe për të lidhur sahatin për dy hyrje. Zonja Çaushi ka bërë të ditur edhe për “Telegraf” se në datën 21.08.2012 dhe në datën 31.08.2012 ka bërë pagesën prej katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind lekësh për çdo sahat dhe që në total shkojnë në shumën njëzet e nëntë mijë e tetëqind lekësh. Dhe sot pas më shumë se katër muajsh kësaj qytetareje nuk i janë vendosur sahatet.

Qytetarët: Nuk na dëgjon njeri, qeveria mbështet mashtruesit!

Por ndërprerjet e energjisë në mënyrë kolektive, vonesa në sportele, mungesë etike në komunikim nga punonjësit, janë çdo ditë të pranishme për qytetarët shqiptarë.  Konsumatorë të revoltuar shprehen për “Telegraf” se, “mbrojtja jonë ka marrë fund, ne nuk dëgjohemi, për këto arsye ne do vazhdojmë protestat masive. Po dëgjohet gërshëra që pret telat dhe kabllot e energjisë, pa shkak e dallim në individë e familje”.

Rastet që vijnë pranë zyrës së Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar janë në shifra alarmante. Vetëm për periudhën e 3-mujorit të fundit janë adresuar pranë SHKSH, 823 ankesa. Ku ndër ankesat e bëra spikasin moslexim i matësit, vendosja e faturave afrofe. Apo edhe raste të tjera kur personat paguajnë faturën për vendosjen e matësve dhe ai nuk u vendoset për periudha të gjata.

CEZ, ndërpret energjinë me orare të gjata në zonat veriore

Ashtu si edhe në zona të tjera ditën e sotme do të jenë pa energji për disa orë disa zona veriore. Ndërprerja e energjisë është bërë e ditur nga OST, ditën e djeshme. Në këto ditë të ftohta dhe me shi qytetarët do të hasen edhe me vështirësitë e mungesës së energjisë elektrike. Do të bëhet ndërprerja në linjën 110 kw HEC Fierzë – “B.Curri” (110-33) me datë 16 / 11 / 2012. Si rezultat i stakimit të kësaj linje gjatë këtij afati kohor,  pa energji do të mbesin zonat: Bashkia “Bajram Curri” dhe Komunat Lekbibaj, Tropojë, Margegaj, Llugaj, Bujan, Bytyç, Fierzë, Iballë, Blerim.