Mësuesja rrihet barbarisht në mes të klasës

582
Sigal

Sarandë/ Përfundon në reanimacion me kafkën e thyer mësuesja që u godit me karrige dhe leva nga nxënës rrugaç

Arsimi i qytetit të Sarandës ka përjetuar dje një nga ngjarjet më të rënda në këto 100 vitet e fundit  të ekzistencës së shtetit shqiptar. Pikërisht në shkollën “Adem Sheme”, që përbën njëkohësisht edhe institucionin më të vjetër të dijes  për qytetin e  Sarandës, shkollë me 1500 nxënës ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale. Dje,  në mëngjes disa nxënës të klasës së 7-ë të kësaj shkolle kanë goditur me karrige në kokë mësuesen e lëndës së bio-kimisë, duke i shkaktuar trauma dhe fraktura. Menjëherë mësuesja është dërguar në sallën e reanimacionit, ku i është dhënë ndihma e parë dhe trajtimi i specializuar mjekësor.  Gjendja e mësueses deri në orët e vona të natës ishte e rëndë, por mjekët deklarojnë se mësuesja e goditur me mjete të forta nuk  i ka shpëtuar vdekjes.  Specialistët e spitalit deklarojnë se dyshohet se përveç karrigeve mund të  jetë përdorur edhe levë hekuri dhe kjo duket nga dëmtimi, i cili mund t’i lërë pasoja paralizuese për gjithë jetën. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autoritetet arsimore të qytetit të Sarandës kanë kërkuar ndihmën e policisë së shtetit, e cila ka filluar menjëherë hetimin e ngjarjes, duke shoqëruar në organin e policisë  nxënësit “rrugaçë”, që qëlluan mësuesen si dhe disa prindër të tyre. Arsyeja e rebelimit të nxënësve  të kësaj shkolle ishte kërkesa e llogarisë gjatë  orës së mësimit, pasi këta nxënës, jo vetëm që vinin të papërgatitur në shkollë, por edhe tentonin të prishnin sistematikisht orën e mësimit. Sipas drejtorit të zyrës arsimore Sarandë, Sami Alimema, ngjarja konsiderohet e shkallës më të rëndë, për sa i përket mbarëvajtjes mësimore. Duhet theksuar se ka një  dobësi në shërbimin policor pranë kësaj shkolle, megjithëse Kryeministri Berisha ka urdhëruar, që në fillim të sezonit shkollor, se do të merren masa të forta sigurie  dhe nuk do të tolerohet askush, që prishë rendin dhe sigurinë në shkollat e vendit. Problemi i këtyre ngjarjeve ka zanafillën tek MASH-i dhe një urdhër i Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, me të ashtuquajturin “Kodi Etikes”  për mësuesit. Sipas këtij kodi, “rrugaçët” mund të bëjnë gjithçka dhe trajtohen si princërit e kurorës në shkollat shqiptare. Ndërkohë, që ligji është dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë: kërkesë llogarie, disiplinë, qortime, masa disiplinore për nxënësin dhe prindërit dhe në fund kush është i rrezikshëm për ambientin shkollorë të largohet dhe si në çdo vend të botës, të shkojnë në shkollat e izolimit të të miturve. Ligji që MASH-i kaloi  vetëm para pak kohësh në Parlament, ishte e shoqëruar më masa ekstreme për mësuesit, të cilët duhet të heshtnin para marrëzisë, injorancës dhe dhunës që “rrugaçët” ushtrojnë ndaj nxënësve të klasës, ngacmimeve seksuale ndaj vajzave e kështu me radhë. MASH-i dhe ministri Tafaj nuk duhet të kërkojnë dhe të përçmojnë rolin dhe mirënjohjen shekullore që shqiptarët kanë kultivuar për mësuesit dhe njerëzit e dijes. Ai duhet  të hapë shkollat e riedukimit për të gjithë të miturit,  apo adoleshentët, të cilët kryejnë akte vakabondazhi, sikurse ndodhi në Sarandë. Çdo shkollë ka rregulloren e vet, por  urdhri i  ministrit pengon  respektimin e rregullores së shkollës për nxënësit me probleme, jo vetëm në sjellje, por edhe mendore. Rasti i Sarandës  tregon më së miri problematikën e mësuesve të lëndëve dhe sidomos të atyre që kanë kujdestari, se  rrugaçët po shkatërrojnë edhe arsimin nën mbrojtjen e batakçinjve të arsimit shqiptar. Shqetësimi më i madh prindëror dhe familjar është se kur vet mësuesit nuk janë të sigurt gjatë procesit mësimor, por siguria ndaj nxënësit ? Nesër ky kontingjent rrugaçësh do të fus në klasa edhe drogën, edhe ngacmimet seksuale. Dhe prindërit që  pyesin dhe presin zgjidhjen e munguar nga shteti dhe MASH-i, do t’i drejtohen kanunit aq shume të preferuar nga disa  ministra të  kësaj qeverie. Në Kodin e Etikës së Mësuesve në arsimin parauniversitar publik dhe privat thuhet: “Kodi i etikës nuk merr përsipër të trajtojë  çdo rrethanë të mundshme në të cilën mësuesi përballet ne mjediset arsimore”.