Meta-Veseli: Mbështetje dialogut me Serbinë, thelbësor për rajonin!

435
Sigal

TIRANE – Shqipëria mbështet progresin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke e cilësuar atë si thelbësor, jo vetëm për mirëqënien e qytetarëve të Kosovës, por edhe për stabilitetin në rajon.  

Kështu është shprehur ditën e sotme Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë një takimit të mbajtur me homologun e tij kosovar Kadri Veseli. Në fjalën e tij, kryeparlamentari Meta shprehu bindjen se përmes avancimit dhe zbatimit të marrëveshjes në terren, do të arrihet të sigurohet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por edhe përmirësimi i standardeve të jetesës së qytetarëve pa dallime etnike.

“Kemi shprehur mbështetjen tonë për forcimin e vazhdueshëm institucional e demokratik të Kosovës dhe kemi besim se në mënyrë konstruktive forcat politike në Kosovë do të bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë në interes të së ardhmes së Kosovës”, nënvizoi Meta.

Meta: Kosova pjesë e sesionit plenar të Kryetarëve të Parlamenteve të Asamblesë Parlamentare të Europës Juglindore
Gjithashtu Meta shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për vëmendjen që BE dhe SHBA i kushtojnë progresit demokratik në Kosovë. Në këtë drejtim Meta bëri të ditur se Kosova me ftesë të Shqipërisë do të jetë prezente në sesionin plenar të Kryetarëve të Parlamenteve të Asamblesë Parlamentare të Europës Juglindore, që do të zhvillohet në maj të këtij viti në Tiranë

“Dua të siguroj Veselin për mbështetjen tonë që Kosova të jetë pjesë e të gjithë nismave rajonale dhe me këtë rast e kam ftuar për të marrë pjesë në sesionin plenar të Kryetarëve të Parlamenteve të Asamblesë Parlamentare të Europës Juglindore, që do të zhvillohet në maj të këtij viti në Tiranë”, tha Meta.

Meta: Intensifikim marrëdhënieve të shkëlqyera me Kosovën 
Duke folur për bashkëpunimin mes dy kuvendeve, Meta tha se Shqipëria do të jettë gjithnjë në përpkrahje dhe mbështetje të Kosovës, ndërsa shtoi se është rënë dakord mes palëve për një bashkëpunim edhe më të ngushtë.

“E sigurova Veselin për mbështetjen tonë të plotë për bashkëpunimin e gjithanshëm dhe për thellimin e marrëdhënieve substanciale mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe në veçanti mes dy kuvendeve tona. Besoj se rëndësia dhe domethenia e Kosovës për të gjithë ne nuk ka nevojë për shumë komente, pasi është e qartë se Shqipërisa ka qenë është dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të veçantë pranë Kosovës dhe për Kosovën në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh, por edhe në drejtim të konsolidimit të axhendës rajonale dhe ndërkombëtare të saj. Kemi rënë dakord që të bashkëpunojmë edhe më ngushtë në mbështetje të bashkëpunimit konkret, por njëkohësisht për të nxitur më tej edhe dy qeveritë tona të Shqipërisë dhe Kosovës për të qenë edhe më aktive dhe me produktive dhe besojmë se mbledhja e ardhshme do të japë mesazhe të qarta në këtë drejtim.” tha Meta

I pyetur në lidhje me përmbytjet, Meta falenderoi bizneset e Kosovës për solidaritetin e tyre dhe ndjeshmërinë e lartë për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në Shqipëri.

Veseli: Përkrahje nga Shqipëria për axhendën evropiane
Ndërkohë nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli falenderoi shtetin shqiptar për kontributin historik për lirinë e pavarësinë e Kosovës, si dhe qytetarët e Shqipërisë për mbështetjen e dhënë në kohë të vështira.

“Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, por që do te vazhdojë në të njëjtën kohë edhe më tej. Më e rëndësishme në këtë moment është forcimi i marrëdhënieve tona veçanërisht në fushën ekonomike. Do të intensifikojmë marrëdhëniet tona veçanërisht në parlamentarizmin ekonomik, në mënyrë që të adaptojmë ligjet, por edhe të rrisim bashkëpunimet tregtare me Shqipërinë”, theksoi Kryeparlamentari kosovar.

Në të njëjtën kohë, shtoi ai, diplomacia parlamentare do të intensifikohet, dhe se “Kosova ka kërkuar përkrahje edhe nga Kuvendi i Shqipërisë , në mënyrë që në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës të kemi një rol të përbashkët”

Në kuadër të integrimeve drejt BE-së, Veseli tha se Kuvendi i Kosoves ka marrë një iniciativë të përbashkët, e cila u mirëprit edhe nga Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë që të ketë një iniciativë rajonale në komunikime dhe bashkëpunime të përbashkëta të gjitha kuvendeve në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që në vitin 2020, ose më parë , siç e ka parashikuar BE, të jemi të integruar në BE.

Duke iu pergjigjur interesimit të gazetarëve për largimin e kosovarëve nga vendi, Kryeparlamentari Veseli tha se kjo problematikë nuk është diçka që i bën të ndihen krenarë.
“Institucionet e Kosovës po ndërmarrin masat që të përmirësojmë gjendjen në mënyrë që të kemi një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht”, deklaroi Veseli.