Meta takim me Presidentin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore

460
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti ditën e sotme Zv. Presidentin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller, i cili shoqërohej prej ,Ellen Goldstein, Drejtoresha Rajonale për Vendet e Evropës Juglindore dhe Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit mes Bankës Botërore dhe institucioneve shqiptare, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për histori suksesi dhe për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Në këtë kuadër, u vlerësua mbështetja e Bankës Botërore në të gjitha aspektet zhvillimore social-ekonomike të vendit dhe u shpreh gatishmëria për të mirëpritur asistencën teknike të Bankës në drejtim të përforcimit administrativ dhe rritjes së kapaciteteve zbatuese në vend. Zv. Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, z. Cyril Muller vlerësoi progresin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit dhe vuri në dukje se avancimi me agjendën e reformave madhore, veçanërisht asaj të sistemit të drejtësisë, është i rëndësishëm për përballjen me sfidat ekonomike të cilat prekin jo vetëm rajonin por të gjithë hapësirën evropiane. Kryetari i Kuvendit, pasi vlerësoi kontributin e shkëlqyer të Komisionit të Venecias dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë si EURALIUS dhe OPDAT, shprehu vendosmërinë për përmbylljen e fazës përfundimtare të miratimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese për avancimin e reformës së sistemit të drejtësisë, si kyçe edhe për rritjen e besueshmërisë së klimës së biznesit për investitorët e huaj. Në përfundim, z. Meta dhe z. Muller diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe ndanë bindjen se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik kërkon një përqasje rajonale dhe në këtë drejtim u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë dhe përkushtimi i Kuvendit të Shqipërisë në të gjitha platformat rajonale.
Sigal