Meta mesazh Kuvendit: Bëni kujdes se…

498
Presidenti Ilir Meta ishte dje pjesë e konferencës që i dedikohej zbatimit të vendimeve gjyqësore, zhvillimit ekonomik, dhe konsolidimit të shërbimit përmbarimor në vendin tonë. Kjo konferencë u mbaj nën kujdesin e Dhomës Kombëtare Franceze të përmbaruesve. Gjatë fjalës së tij Presidenti Meta vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve, Francës dhe Shqipërisë kanë qenë gjithmonë të mira. “Është detyrë primare e organizmave shtetërore që të ndërmarrin të gjitha veprimet për t’u ofruar qytetarëve siguri juridike, e cila garantohet duke krijuar një sistem ligjor të shëndoshë, dhe nga ana tjetër, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike, ku një prej të cilëve është edhe shërbimi përmbarimor. Zhvillimi ekonomik i një vendi është i lidhur ngushtë me cilësinë e sistemit të drejtësisë së tij sepse, nëse ky sistem garanton mbrojtjen dhe ekzekutimin e të drejtave, atëherë kjo klimë pozitive do të nxitë iniciativa dhe sipërmarrës të rinj, për t’u bërë pjesë e kësaj klime. Asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte të zhvillonte aktivitetin e tij, për më tepër, të investonte në një vend të pasigurt, ku drejtësia shtrembërohet, apo ku vendimi gjykatës injorohet dhe nuk ekzekutohet. Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor është autoriteti publik që e bën efektiv drejtësinë e dhënë, duke ekzekutuar një vendim gjykate. Shërbimi Përmbarimor ndër vite është përmirësuar, por ende shfaqen problematika në funksionimin e tij. Ka shumë çështje të natyrës legjislative dhe organizative që duhen përmirësuar në koherencë me ndryshimet e reja në legjislacion, të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore në Shqipëri, është ende larg standardeve evropiane. Një tjetër problematikë është dhe kultura e ulët e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërorë me shërbimin përmbarimor, ku ka ende raste që organe të ndryshme të administratës publike, janë shumë të vonuar në bashkëpunimin dhe ekzekutimin e vendimeve të dhëna nga gjykata”, tha Meta. Ai dha edhe një mesazh për Kuvendin. 
“Duke shfrytëzuar mundësinë që më jepet, i përcjell një mesazh Kuvendit, që të tregojë kujdesin e duhur në diskutimin, shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që rregullon profesionet e lira, ku pjesë shumë e rëndësishme është Shërbimi Përmbarimor. Ndërhyrjet në legjislacion duhet të jenë të mirëmenduara, të plota dhe në koherencë me standardet më të mira evropiane”, tha ai.
Sigal