Meta: E përbashkëta e ‘Rilindjes’, si në Kuvend edhe nëpër bashki, arroganca dhe bllokimi i llogaridhënies!

37
Sigal

Ilir Meta ka marrë pjesë sot në Asamblenë e të Zgjedhurve Vendore të Partisë së Lirisë. Në fjalën e tij, Kryetari i PL-së, ndër të tjera tha:

“E dimë se në katër vitet e kaluara, pushteti vendor ishte totalisht i bunkerizuar dhe pjesëmarrja jonë në zgjedhjet e 14 majit ishte një vendim shumë i drejtë, sepse përfundimisht ka nisur procesi i çbunkerizimit, pavarësisht se ka një rezistencë të jashtëzakonshme përmes bllokimeve, përmes të gjitha pengesave të paligjshme nga kryetarët e bashkisë dhe nga shumicat që ata kontrollojnë,  e njëjta gjë që ndodh edhe në Kuvendin e  Shqipërisë, sepse e përbashkëta e Rilindjes në pushtet, si në qeveri qendrore, si në atë vendore, pa asnjë diskutim që është arroganca dhe dëshira për të bllokuar llogaridhënien.

Dua t’i falënderoj këshilltarët në të gjithë vendin për punën e shkëlqyer që kanë bërë, aq më tepër kur sot jemi në një moment të rëndësishëm, që është momenti më i rëndësishëm për banorët e çdo komuniteti, siç është ai diskutimit i buxhetit për vitin e ardhshëm.

Ju e patë se çfarë ndodhi me Buxhetin e shtetit në Kuvend, sesi ai u miratua me një shpejtësi marramendëse brenda pak minutash. E njejta gjë tentohet edhe në buxhetet e bashkive. Ndaj është shumë e rëndësishme të vazhdojmë konsultat publike nga grupet tanë të këshilltarëve ku të dëgjojmë qytetarët, grupet e interesit, komunitetet, biznesit për mënyrën më efektive të ndarjes së fondeve dhe ky ka qenë dhe baza e propozimeve të shkëlqyera të këshilltarëve të PL të Tiranës.”