Meta: E papranueshme që: “Politika bën gjyqe, ndërkohë që, një pjesë e gjyqësorit, përfshirë edhe një pjesë të KLD-së, bën polit

476
Sigal

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka dhënë një intervistë për emisioni “7 pa 5”, në televizionin Vizion Plus.

Kryetari i Kuvendit, z. Meta ju është përgjigjur një sërë pyetjeve të cilat kishit të bënin me reformat në sistemin e drejtësisë, reformën territorialo-administrative, qëndrimin e opozitës dhe stinën e saj të protestave, raportin e shumicës së sotme qeverisëse me institucionin e Presidentit të Republikës, një parashikim për vendimin evropian për marrjen e  statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë dhe çështje të tjera. Kryeparlamentari Meta dhe dhe konsideratat e tij për punën e qeverisë shqiptare në këto tetë muaj të parë të mandatit të saj. “…qeveria ka arritur suksese edhe pse ka qenë një qeveri e re, edhe pse ka marrë situatën në një gjendje mjaft të vështirë”, tha Meta.

I pyetur për problemin e reformës në sistemin e drejtësisë, Meta nënvizoi se ajo duhet të nisë nga një ndarje e qartë e detyrave mes politikës dhe gjyqësorit. Meta konsideroi se është e papranueshme që: “Politika bën gjyqe, ndërkohë që, një pjesë e gjyqësorit, përfshirë edhe një pjesë të KLD-së, bën politikë”.

“Duhet të ketë një ndarje shumë të qartë në këtë drejtim. Unë mendoj se nuk mund t’i klasifikojmë të gjithë gjyqtarët, të gjithë prokurorët në të njëjtën mënyrë. Përkundrazi, jam i bindur se ka shumë prej tyre që janë njerëz me integritet, janë njerëz të përkushtuar, janë njerëz të cilët besojnë tek profesioni i tyre. Ndaj është e rëndësishme, e theksoj edhe njëherë, nevojën për të ndarë politikën nga gjyqësori. Politika të bëjë politikën, gjyqësori të japë drejtësinë. KLD-ja ka një rol kyç pa asnjë diskutim në reformë, pasi është praktikisht qeveria e gjyqësorit. Por kjo reformë nuk ka të bëjë thjesht me KLD-në dhe nuk mund të ketë vetëm këtë dimension. Ajo është një reformë mjaft e gjerë, e cila do të përfshijë të gjithë elementët kyç të sistemit të drejtësisë dhe që do të bëhet në bashkëpunim dhe me vetë institucionet e drejtësisë, me shoqërinë civile dhe, e nënvizoj edhe një herë tjetër, në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë. Kjo është dhe një kërkesë kyçe për një hap të ri të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, është një standard i ri i zbatimit të ligjit dhe i funksionimit të drejtësisë në vendin tonë. Kjo është në interes të shqiptarëve, por kjo edhe në interes të evropianëve, sepse kuptohet që një vend që do të anëtarësohet në BE, duhet të jetë një vend shembull i zbatimit edhe të ligjeve dhe rregullave të përbashkëta”, tha Meta. Në lidhje me një skepticizëm të mundshëm për suksesin e kësaj reforme nga ana e partnerëve euroatlantikë, Meta thotë se ka besim që kësaj here: “…kjo reformë do të ndodhë dhe nuk do të jetë si në të kaluarën, sepse është vetë momenti që e kërkon…”. Meta u shpreh i bindur në suksesin e reformës edhe sepse: “… ka një presion të jashtëzakonshëm të gjithë shoqërisë shqiptare, që e kërkon këtë reformë. Zbatimi i ligjit dhe moszbatimi i tij ndihet dhe ndeshet çdo ditë nga qytetarët tanë. Domosdoshmëria për realizimin e kësaj reforme gëzon përkrahjen më të madhe të qytetarëve. Në sondazhe e pohojnë një gjë të tillë gati 90 për qind e qytetarëve. Në të kundërt, mosrealizimi i saj, do të ishte një dështim jo vetëm për këtë mazhorancë, por edhe për politikën në përgjithësi”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit u pyet edhe për marrëdhëniet e shumicës së sotme qeverisëse me institucionin e Presidentit të Republikës dhe komentoi edhe disa deklarata publike të kryetarit të komisionit të sigurisë Spartak Braho, i cili ka kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit.

Kryetari Meta tha: “Nuk besoj se është hera e parë që deputeti i nderuar, zoti Braho ka reagime shpërthyese ose djaloshare le të themi. Unë respektoj mendimet e tij dhe të çdo deputeti, por unë e them me bindje të plotë që Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani është dhe do të jetë i interesuar për realizimin e reformës në drejtësi. Edhe për arsyen se është edhe Kryetari i KLD-së. Kushtetuta i njeh Presidentit një rol kyç në këtë fushë. Eshtë fusha ku pritshmëritë janë më të mëdha se kudo gjetkë dhe kërkesa dhe presioni për ndryshime dhe për reforma janë mjaft të forta. Unë besoj se edhe vetë Presidenti është i ndërgjegjshëm që komuniteti i gjyqtarëve, i prokurorëve, avokatëve e gjithë punonjësve të sistemit të drejtësisë, nuk e meriton të identifikohet në një mënyrë jo të denjë për shkak të papërgjegjshmërisë, për shkak të mungesës së etikës, për shkak të mungesës së profesionalizmit, që reflektohet nga një pjesë e tyre. Në këtë drejtim unë besoj tek përgjegjshmëria e tij dhe tek vullneti i Presidentit Nishani për të bashkëpunuar në një mënyrë parimore dhe në një mënyrë kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit Meta u pyet edhe për ecurinë e reformës administrativo-territoriale, për një parashikim politik të tijin se kur do të quhet e kryer ajo dhe rolin e mundshëm që opozita mund të luajë në këtë reformë. Meta tha se reforma duhet të quhet e përfunduar në korrik apo në gusht, por se një gjë e tillë nuk mund të thuhet me siguri të plotë. “Vullneti dhe objektivi është që deri në datën 31 korrik të përfundojë kjo procedurë dhe që Parlamenti të shprehet për këtë reformë, e cila është e domosdoshme.

 Afatet janë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë me detyrimet kushtetuese, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve vendore pas një viti. Është bërë një punë mjaft e madhe dhe gjithëpërfshirëse nga ana e Ministrisë së Çështjeve Vendore dhe ekspertëve vendas, nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë, që gjithashtu janë mjaft aktivë, nga Komisioni parlamentar. Kemi një mungesë të rëndësishme, mungesën e opozitës, për të cilën realisht nuk ndjejmë asnjë faj dhe përgjegjësi.

Asnjëherë nuk ka ndodhur që opozitës t’i afrohet, nuk e teproj po të them, me kaq zemërgjerësi, që të ketë një rol kaq të madh. Kemi një komision me numër të barabartë antarësh pozitë-opozitë edhe pse në parlament diferenca është mjaft e ndjeshme. Opozita ka bashkëkryesimin, pra janë dy bashkëkryetarë, një nga PS-ja dhe një nga PD-ja. Opozita ka refuzuar në një mënyrë të pajustifikueshme, duke deklaruar se kjo reformë ka qenë në sirtar me kohë dhe gjithçka është një lojë. Ndërkohë kriteret janë bërë publike se cilat do të jenë, dhe, në bazë të kritereve, ka edhe disa variante. Opozita ka të drejtën e saj të shprehet për kriteret, ka të drejtën e saj të shprehet për variantet, hapësira është e madhe. Opozita ka të drejtë dhe është e mirëpritur të paraqesë edhe një variant të sajin, por opozita në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë të thotë që Shqipëria nuk ka nevojë për reformë administrative. Opozita në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë t’u thotë qytetarëve shqiptarë që Shqipëria mirë është dhe le të vazhdojë ende me 400 bashki dhe komuna, kur sa për krahasim, Kosova ka vetëm 37, Maqedonia ka vetëm 70. Në rast së Shqipëria do të vazhdojë sërish me mbi 400 bashki dhe komuna, absolutisht që ne do të vazhdojmë të kemi probleme shumë të mëdha të shërbimit që u ofrohet qytetarëve, do të kemi probleme akoma më të mëdha të menaxhimit të ujit të pijshëm të menaxhimit të mbetjeve urbane. Do të kemi probleme shumë mëdha në raport me investitorët e huaj. Investitorët e huaj detyrohen të marrin një letër këtu dhe një leje aty tek çdo kryetar komune dhe çdo kryetar bashkie. Kështu nuk do të kemi mundësi të bëjmë politika zhvillimi, sepse në një njësi të vogël nuk ke se çfarë politike zhvillimi të bësh. Do të vazhdojmë të kemi humbje të jashtëzakonshme, deri në dhjetëra milionë dollarë apo euro në vit për shpenzime administrative, të cilat janë tërësisht të kursyeshme për t’u investuar në shërbim të cilësisë së jetës së qytetarëve. Pra, vetëm këtë të drejtë nuk e ka opozita: të drejtën që të thotë se nuk ka nevojë për reformë. Ajo ka drejtë të zgjedhë, ka të drejtë të propozojë kriteret e saj, ka të drejtë të japë një alternativë dhe të thotë që unë kam këtë alternativë dhe e kam më të mirë se maxhoranca. Ne nuk kemi absolutisht asnjë interes tjetër përveç interesit, që përmes kësaj reforme të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm të raportit midis pushtetit vendor dhe qytetarit shqiptar.