Meta, ambasadorëve të BE: Të hapen negociatat

505
Presidenti i Republikës takon Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të Bashkimit Evropian
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti në një takim Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Presidenti Meta theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me Bashkimin Evropian, dhe se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin operacional dhe strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen me sfidat dhe rreziqet e sigurisë. Kreu i Shtetit vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dy dhe shumëpalësh, duke çmuar se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit. Presidenti i Republikës ripërsëriti kërkesën unanime në emër të të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë në vend drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke siguruar për vazhdimin e reformave në 5 prioritetet kyçe. 

Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, u shpreh optimist për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Gjatë një interviste, Fleckenstein tha se Parlamenti Evropian e mbështet avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. “Ne në Parlamentin Evropian do të japim rekomandimin tonë dhe në fund shtetet anëtare do të vendosin në gjirin e këshillit të Ministrave. Por këtë radhë kam një parandjenjë të mirë, që ka një shans që vendimi të merret”, tha ai. Fleckenstein theksoi se nuk ka asnjë vend anëtar që të jetë shprehur në parim kundër nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, por gjatë kësaj kohe do të verifikohet ecuria e reformave. “Nuk ka kundërshtim në parim për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ka disa pyetje lidhur me atë se si po vijohet me krimin e organizuar, si po shkon procesi i Vetting-ut. Mendoj, se balanca e Shqipërisë është goxha pozitive dhe ne mund t’ia paraqesim këtë tablo shteteve anëtare që kërkojnë më shumë shpjegime”, tha raportuesi. Më 17 prill, komisioni Evropian do të publikojë një progres-raport për këtë çështje.
Sigal