Merkel nuk heq dorë, sjell një tjetër negociator në Tiranë: Ka ende kohë për të shpëtuar zgjedhjet

502
Genc Juka, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Agrare Ambientaliste, në një intervistë për gazetën “Panorama” flet për takimin e zhvilluar ditën e djeshme me Andreas Lammel, deputet i CDU-së, dhe Walter Glos, përfaqësues i fondacionit ”Konrad-Adenauer Stiftung” për Shqipërinë. Juka thekson se përfaqësuesi i partisë gjermane inkurajon negociatat, duke kërkuar nga opozita propozime konkrete.
Z.Juka ditën e djeshme ju zhvilluat një takim me Andreas Lammel, deputet i CDU-së, dhe Walter Glos, përfaqësues i fondacionit ”Konrad-Adenauer Stiftung” për Shqipërinë. Cili ishte qëllimi i takimit?
Z.Lammel zhvilloi me Partinë Agrare Ambientaliste një takim zyrtar për situatën politike në vend dhe si qëllim kishte zgjidhjen e krizës aktuale. Z.Lammel kishte një axhendë dyditore në Shqipëri dhe ne patëm kënaqësinë të prisnim deputetin e CDU-së në selinë e PAA-së. Ishte një takim mjaft produktiv, pasi jo vetëm patëm mundësinë ta njihnim z.Lammel me qëndrimin tonë mbi kërkesën për garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe të merrnim informacione të drejtpërdrejta mbi qëndrimin e një aleati të rëndë- sishëm për Shqipërinë, sikurse është Gjermania.

Z.Juka ju thatë se e informuat z.Lammel mbi qëndrimin e PAA-së. Çfarë diskutuat konkretisht me të?
Kryetari i PAA-së, z.Duka, ish-kryetari, z.Xhuveli dhe sekretari politik, Marko Bello, shpalosën të gjitha ato që janë arsyet të cilat ndajnë palët në këtë moment të vështirë. U theksua se zonat ku shtrihet elektorati ynë janë subjekt i drejtpërdrejtë i shkeljeve ligjore dhe elektorale që kanë shtyrë PAA-në të bëhet pjesë e lëvizjes opozitare për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Banorët e zonave rurale janë të parët që provojnë trysninë e elementëve kriminalë që kërkojnë të tjetërsojnë votën. Kriminalizimin e ekonomisë që erdhi si pasojë e kultivimit në masë të kanabisit, sikurse dëshmohet edhe nga raportet ndërkombëtare. I shpjeguam se si PAA në zgjedhjet lokale të mbajtura në Kolonjë nëntorin e kaluar konstatoi në mënyrë të drejtpërdrejtë tjetërsimin e votës, pjesëmarrjes së administratës publike në aktivitete elektorale në kundërshtim me ligjin, përdorimin e elementëve me prejardhje kriminale për të kërcënuar dhe tjetërsuar vullnetin e qytetarëve në dëm të kandidatit të partisë sonë.

Cili ishte reagimi i z.Lammel?
Z.Lammel falënderoi PAA-në për disponibilitetin e treguar për të gjetur një marrëveshje dhe për bashkëpunimin, duke i konsideruar të dobishme informacionet në funksion të misionit të tij në Shqipëri dhe të takimit që ai do të zhvillonte me ambasadorin gjerman. Gjithashtu, shprehu gatishmërinë e CDU-së për të kryer për herë të fundit negociata midis palëve, pasi nuk e gjykojnë të arsyeshme mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Gjithashtu z.Lammel theksoi se opozita duhet të propozojë disa variante për zgjidhjen e krizës, duke përjashtuar qëndrimet maksimaliste. Pra, mesazhi që morëm ishte se ka ende kohë për të shpëtuar zgjedhjet.

Cili ishte qëndrimi juaj mbi këtë kërkesë?
Ne u treguam të gatshëm për të zhvilluar negociata në mënyrë institucionale. U treguam të gatshëm të pranojmë propozime konkrete dhe jo ultimatume. U treguam të hapur për të krijuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pasi politika është dialog dhe asnjëherë monolog. Pra, me vullnetin e mirë të palëve mund të krijojmë një moment të ri shprese për qytetarët tanë.
Sigal