Covid-19: Me pandeminë u bë propagandë, piktori u tall me popullin

563
Sigal

Forumi për Covid-19 në gazetën “Telegraf”: Flasin mjekët Petrit Vargu dhe Ilir Allkja: Shifrat zyrtare për pandeminë, të manipuluara

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama deklaroi pardje nga foltorja e parlamentit, se Shqipëria ishte 20 herë më mirë nga Gjermania, në menaxhimin e pandemisë, ndërkohë, që “Forbes”, e rendit Shqipërinë të tretën nga fundi, për përballimin e Covid-19. Çuditërisht, shifrat zyrtare të dhëna përditë në Shqipëri kishin një alogjikë të atillë, që nuk ndodhte kurrë në asnjë vend tjetër të botës. Kurba e infeksioneve, herë ulej, e herë ngrihej, sipas qëllimeve dhe masave që ndërmerrte kryeministri Rama  nga facebooku, edhe pse u krijua (ilegalisht) një komitet kombëtar teknik, ku çuditërisht emrat e anëtarëve u mbajtën “top sekret”, nuk u pa kurrë që të zhvillohej ndonjë mbledhje, qoftë edhe on line, ku më në fund, emrat e anëtarëve të këtij komiteti u zbardhën dhe  ishin zëvendësministrat e qeverisë. Përpos të tjerave, pardje, kryeministri  Rama  paralajmëroi shqiptarët, se rritja e numrave të rinj të infektimit me Covid-19, do të mundësonte rikthimin e karantinës të izolimit total, deri sa të prodhohet vaksina. Në forumin e gazetës “Telegraf”, dy mjekët, Petrit Vargu dhe Ilir Allkja, bëjnë skanerin e menaxhimit të pandemisë, duke theksuar, se qeveria më shumë  bëri propagandë, u gjend e papërgatitur, edhe pse mburrej me deklarata, shqiptarët u detyruan të futeshin në izolim total, numrat e të infektuarve  ka dyshime se mund të jenë manipuluar, etj.

Pyetjet e forumit të “Telegraf”  për menaxhimin e Covid-19

  1. A mendoni se numri i lartë i rasteve të reja të infektimit me Covid-19 është real? Nëse po, a është pasojë e daljes nga karantina?
  2. Cili është mendimi juaj, si u menaxhua periudha e pandemisë?
  3. A mendoni se ka patur manipulime në shifrat zyrtare të dhëna për të sëmurët nga Covid-19, për qëllime politike?
  4. A duhet të krijohet një komision i pavarur shtetëror, që të hetojë menaxhimin e situatës në pandemi, siç u tha se duhet vepruar në Itali?
  5. Mjekësia Ligjore, a duhet të bëjë ekspertiza tek të vdekurit, që janë deklaruar për ta, se vdiqën nga Covid-19, po të kemi parasysh skandalin në Itali?
  6. Sistemi ynë shëndetësor publik, konkretisht a i ka mundësitë materiale dhe financiare të përballojë e menaxhojë pandemi të tilla?
  7. A mendoni se qeveria jonë shfrytëzoi pandeminë e Covid-19, për të dhënë tendera, për përfitime materiale klientëve të vet ekonomikë, dhe a u cënuan pa shkak të Drejtat dhe Liritë e shqiptarëve?

 

Petrit Vargu, ish mjek në Urgjencën e Kirurgisë në QSUT-ë

Masa të ekzagjeruara

– Unë gjithmonë kam menduar që numrat janë më të lartë se sa ata që shpallen. Si numrat e pacientëve, ashtu  edhe ata të të vdekurve, janë më të lartë sesa ato që shpallen. Natyrisht duhet të kuptojmë një gjë, që tani po bëhet trefishi i testimeve që është bërë në kulmin e epidemisë që ishte muaji mars dhe prill, prandaj edhe numrat kanë dalë të ekzagjeruar. Pikërisht, te rritja e numrit të testeve në një periudhë kur agresiviteti i virusit ka rënë rreth 4-5 herë, duke iu referuar revistave më prestigjioze epidemiologjike, nuk ka kuptim që të merren masa të ekzagjeruara, por duhet të vendosen masat standarde. Pra, me vendosjen e masave, duhet të jenë njerëz kompetentë, të lexuar dhe me intuitë, në mënyrë që masat të jenë efikase dhe të mos lodhim dhe rraskapitim popullin dhe të mos dëmtojmë shumë ekonominë e këtij vendi me ekonomi të degjeneruar.

Me pandeminë u bë propagandë

– Unë e kam thënë shpeshherë që është menaxhuar shumë keq. Me pandeminë është bërë propagandë. Do të isha shumë i zhgënjyer  nëse mendimet që i janë atribuar Komitetit të Ekspertëve janë mendime me të vërtetë të Komitetit të Ekspertëve. Dyshimet e mia u konfirmuan edhe nga klasifikimi botëror, ku Shqipëria ndodhet e 88-ta në klasifikimet e organizmave kompetente dhe jo siç propagandohej, si vendi me masat më efikase në rajon. Në krahun tjetër, jam gjithashtu i çuditur, se si nga stafi akademik i Q.S.U-së “Nënë Tereza”,  nuk dolën zëra kundra këtij menaxhimi. Kjo tregon që prodhimi progresiv intelektual i profesorëve dhe i mjekëve të Q.S.U-së “Nënë Tereza”,  ka rënë shumë. Nuk duhet të harrojmë që në momente kyçe të historisë së Shqipërisë si p.sh në rënien e diktaturës, profesorati dhe mjekët e Q.S.U.-së “Nënë Tereza”,  kanë qenë embrioni dhe promotori i demokracisë. Cilitdo që ka amnezi politike, i kujtoj që letra e parë që iu dërgua Ramiz Alisë, ka qenë nga pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë, si dhe po ashtu, Lëvizja e Dhjetorit u udhëhoq po nga një profesor i Fakultetit të Mjekësisë. Tashmë shoh njerëz  të gjunjëzuar, frikacakë të cilët për të shtyrë moshën e pensionit ose për të marrë ndonjë ofiq si shef (së shpejti do ketë zgjedhje dhe politika ka një rëndësi të veçantë të fitosh) i nënshtrohen pushtetit. Ne e dimë edhe se si janë bërë zgjedhjet për Shefa Shërbimi, ku nëse analizon pjesëtarët e komisionit që zgjodhi shefat e shërbimit, duket dora e rëndë e politikës. Rezultatet dhe shumatorja e gjithë këtyre fakteve është që në mes të qershorit jemi në të njëjtat kushte, si në mes të marsit, duke duartrokitur qeverinë, ku e vetmja gjë pozitive është rënia e virulencës që e kemi nga Zoti.

Manipulim me numrat e shpallur për Covid-19

– Mungesa e transparencës së të dhënave dhe zgjedhja e një komisioni teknik, ku sipas meje Shqipëria ka njerëz shumë më kompetentë dhe që punojnë edhe në institucione të nivelit të lartë në rang botëror, më bën të dyshoj. Por, nuk kam fakte, përveç dyshimeve.

Komiteti Teknik, paterica e pushtetit

– Unë kam qenë i pari që kam kërkuar ndryshimin e komitetit. Më çudit fakti se si ata nuk kërkojnë të japin dorëheqjen, aq më tepër që të gjithë masat që janë marrë deri tani i janë atribuar Komitetit Teknik  nga politika pushtetmbajtëse, prandaj nëse kanë ndërgjegje ata kanë dy rrugë: ose të japin dorëheqje, ose nëse ka të vërteta të tjera, t’i nxjerrin, dhe të thonë të thonë të vërtetat e tyre.

Mosbërja e autopsisë, çështje penale

– Nuk është mjekësia ligjore, por duhet të jetë standard që për çdo njeri që vdes në Q.S.U-të “Nënë Tereza”,  të bëhet autopsia, aq më tepër për këtë sëmundje të panjohur. Por, autopsia në Q.S.U-të “Nënë Tereza”, nuk bëhet më, dhe për mendimin tim, kjo është diçka penale. Nuk mund të bësh dot autopsi vetëm për rastet ligjore, për të caktuar shkakun e vdekjes. Autopsia është një standard për të gjithë vdekjet spitalore dhe ka klauzola mjaft të forta refuzuese për familjarët që nuk duan ta bëjnë. Kështu ndodh në të gjithë botën. Në këtë rast, duhej të kishte një urdhër të prerë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të bëhej autopsia e të gjithë të vdekurve me Covid-19, që të përcaktohej, nëse vdekja ka ndodhur si pasojë e pneumonive, apo dëmtimit difuz  të vazave. Nëse i dyti është shkaku i vërtetë, të gjithë pacientëve që janë intubuar dhe kanë vdekur në intubim, iu është bërë një trajtim i dëmshëm dhe jo rezultativ. Në botë ka shumë artikuj që shkaku i vdekjes, është dëmtimi i vazave dhe kjo e ndryshon tërësisht skenën protokollare.  Komiteti ynë i super ekspertëve të mos na dilte në TV dhe të na jepte sa raste ka në lagjet e Kavajës, apo te Varri i Bamit, por të kërkonte me forcë kryerjen e autopsisë, sepse janë të parët që thonë, që jemi të painformuar për këtë pandemi dhe që shumë gjëra nuk i njohim.  Ato njoftime shterpë të mesditës mund të na i jepnin fare mirë mediat dhe për popullin do të ishin shumë më të besueshme.

Sistemi shëndetësor publik në koma

– Është gjëja më e thjeshtë për një sistem shëndetësor që të menaxhojë një pandemi. Siç e shihni ne i paskemi kapacitetet për të kryer rreth 400 tampone  në ditë, por problemi është që “zysha e kimisë” na dilte në TV dhe na informonte që nuk mbërrin pandemia në Shqipëri, kështu që për rrjedhojë u gjetëm tërësisht të papërgatitur. Shkaku ishte, sipas saj, që udhëtarët do iknin në vendet e Europës  së zhvilluar. Më pas gjetja “gafil” e shëndetësisë shqiptare, pa tampone u proklamua si një taktikë e kompetentëve, për të mos bërë shumë tampone. Por sot po shohim që edhe kjo nuk paskësh qenë taktikë.  Aq të papërgatitur ishim, sa pati edhe iniciativa që të bënim respiratorë me maska zhytëse fëmijësh për të gjetur guaska, në momentin që dështoi tenderi i respiratorëve, nga disa privatë. Mungonte edhe informacioni minimal për popullsinë.  Një plagë tjetër janë koncesionet që janë bërë shushunja të sistemit shëndetësor shqiptar, dhe ky sistem nuk ka aq gjak, sa të bëjë salaso (gjakderdhje në gjuhën mjekësore).

SPAK-u të hetojë tenderat për materialet mejkësore për Covid-19

– Ka një gjë. Unë nuk dua të bëj komente për këtë dhe natyrisht kam përshtypjet dhe informacionet e mia. Unë mendoj që këtë detyrë e ka SPAK-u dhe jam shumë kurioz, se si do të veprojë SPAK-u, jo vetëm në blerjen e materialeve  anti-COVID-19, por edhe në trajtimin e gjithë pandemisë, sepse për mendimin tim, jetët e njerëzve kushtojnë shumë më tepër se monitorët dhe respiratorët. Historia e COVID-19, në Shqipëri më ngjan me një këngë spanjolle “La Cucaracha”, ku brumbulli, megjithëse nuk kishte dy këmbë, kërcente me të tjerët në mes të dhomës. Në ndryshim nga brumbulli spanjoll, brumbulli ynë po na çon drejt humnerës.

Ilir Allkja, ish mjek i Urgjencës

Centralizimi i informacionit për Covid 19, le dyshime për fshehje të fakteve e manipulim të dhënash

Mungesa e  transparencës nga qeveria   

– Nisur nga precedentët që qeveria nuk është treguar asnjëherë transparente me publikun, çdokush prej nesh ka të drejtë që të dyshojë në rastet e rritura të të prekurve këto ditë  me COVID-19. Por për mua si mjek, dhe si qytetar, nuk ka aspak vend për panik, për arsye, sepse virusi e ka humbur shumë vetinë për të shkaktuar sëmundje e sidomos komplikacione.  Rastet e të infektuarve që kanë vdekur janë të sëmurë me probleme të rënda, që kanë ekzistuar që para se të infektoheshin me COVID-19.

Izolimi më represiv i qeverisë

– Menaxhimi i periudhës së pandemisë ka dy aspekte, atë të menxhimit individual prej popullatës dhe mjekëve, si dhe menaxhimin qeveritar. Popullata zbatoi me rigorozitet  masat e distancimit, higjenës etj. Mjekët e infermierët punuan me përkushtim, duke rrezikuar shëndetin e tyre e të familjarëve. Ndërsa  qeveria zbatoi izolimin më represiv të ndodhur në ndonjë vend në shekullin e 21-të. U mbyllën me mbi 50 orë si askund në botë, dyqanet e bukës dhe farmacitë, nga ora 17 e të premtes deri në orën 07 të hënën e çdo jave. U mbyllën të gjitha bizneset me 1-2 të punësuar, si dyqane elektrike, hidrosanitare, dyqanet e luleve, elektroshtëpiaket, kancaleritë, e tashmë ndodhen nën kërcënimin e falimentit, ndërsa u lanë hapur qindra fasoneri me nga qindra të punësuar. Popullata përjetori për mbi 100 ditë dhunën e sirenave të policisë çdo pasdite ora 17 që këcënonin  qytetarët të hynin brenda se “po vinte virusi”! U ndaluan shëtitjet në liqenin e Tiranës dhe në bregdet, u ndaluan fermerët të udhëtonin për tek toka për ta mbjellë! Cila qeveri në glob zbatoi këto masa?

Manipulim të dhënash për pandeminë

– Centralizimi i informacionit, kalimi  menaxhimit njësisë së koordinimit të urgjencave mjekësore 127, epidemitë e mëparshme, janë menaxhuar nga mjekët e familjes, lënë dyshime për fshehje të fakteve, e ndoshta manipulim të dhënash.

Mjekët, vegla qorre të qeverisë

– Duhet doemos një hetim për gjithë reagimet e mosreagimet e strukturave qeveritare gjatë kohës së epidemisë së COVID-19. Ka dyshime të arsyeshme, se mjekë të caktuar, me qëndrimet e tyre u bënë vegla qorre në shërbim të masave të rënda represive qeveritare ndaj popullatës dhe bizneseve.

Hetim i paanshëm

– Theksova edhe më sipër që duhet të ketë një hetim të paanshëm, sepse duhen rrëzuar ose provuar dyshimet tona.

Sistem shëndetësor pa buxhet

– Ne kemi një sistem shëndetësor të nënfinancuar, dihet që vetëm 2.8 % e GDP-së, shkon për shëndetësinë , ndërkohë që Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Serbia etj. e kanë më të lartë se sa dyfishi ynë, nga 5.8 deri në 9% ! Llogaritë bëjini vetë! Mjekët kanë qenë e mbeten heronjtë e heshtur, të papajisur siç duhet e të papaguar denjësisht.

Korrupsion me blerjen e materialeve mjekësore

– Të gjithë shqiptarët u bënë dëshmitarë  të blerjeve të materialeve mjekësore, që nga dorezat e maskat e deri tek respiratorët, me çmime shumë më të larta se sa tregu. Qindra shqiptarë u gjobitën , madje disa dhe u rrahën nga policia pa dallim, siç është rasti i një mjeku, një stomatologu etj, vetëm sepse u gjendën jashtë banesës pa lejë nga policia!

Zgjatja e gjendejs së Jashtëzakonshme, qëllim kriminal

– Shembja e dhunshme e Teatrit Kombëtar u krye pikërisht në zemrën e pandemisë e vërteton qëllimet kriminale të qeverisë për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme nëpërmjet rasteve të rritura!

Kim Mehmeti:U keqpërdor izolimi i egër nga Piktori, u tall me popullin

Se si u keqpërdor izolimi i egër (për t’u fshehur nga virusi Covid19), më së miri dëshmoi Shqipëria ku Piktori thuajse u tallë me popullin e vet duke ua caktuar kohën kur të dalin e kur të mbyllen dhe, duke i trishtuar shqiptarët se nuk do ketë mjaftueshëm varreza për viktimat?! Pra Shqipëria tregoi si pandemia u keqpërdor për deformim të demokracisë dhe për të realizuar koncepte shkatërruese, si rrënimi i Teatrit Kombëtar!

Skandali në Itali, në 50 autopsi të kryera në Bergamo, asnjë i vdekur nga koronavirusi

Janë kryer 50 autopsi në spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo nga dr. Giampaolo Palma. Sipas analizave të kryera konfirmohet  se shkaqet e vdekjes nuk janë për shkak të covid 19, por një nga shkaqet kryesore të vdekjeve ka ardhur si rezultat i trajtimit të gabuar! Në gjithë Italinë fillojnë hetimet për vrasje të qëllimshme Pio Albergo Trivulzio i Milanos është në qendër të hetimit të Prokurorisë për epidemi të fajshme dhe vrasje. Këtu po hetohet për rreth 200 viktima.

Flasin shkenctarët: Rrezet e diellit arma sekrete kundër koronavirusit

Një pranverë me diell mund të shpjegojë pjesërisht pse rastet e koronavirusit kanë rënë ndjeshëm në javët e fundit, sipas shkencëtarëve. Disa studime kanë sugjeruar se vitamina D mund t’i mbrojë njerëzit të mos kontraktojnë koronavirusi. Rrezet e diellit janë një nga burrimet më të mira të vitaminës jetike. Profesori Keith Neal, një epidemiolog në Universitetin e Nottingham: Drita e diellit përfshirë edhe rrezatimin ultravjollcë dëmton ADN dhe ARN. Viruset e mbetura në sipërfaqe jashtë do të thahen dhe do të dëmtohen nga rrezatimi UV. Ekzistojnë disa prova që vitamina D zvogëlon rrezikun nga viruset e frymëmarrjes dhe ka prova se mungesa e kësaj vitamine dëmton sistemin imunitar.

Mikrobiologu britanik: Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë një valë të dytë të koronavirusit

Nuk ka prova që të vërtetojnë një valë të dytë të koronavirusit. Kështu ka deklaruar profesori britanik Hugh Pennington, mikrobiolog në Universitetin e Aberdeen. Sipas tij, ideja për rikthimin e një vale të dytë të Covid-19 bazohet në në modele të vjetruara të gripit. Shkencëtarët i janë referuar vazhdimisht pandemisë së gripit spanjoll të vitit 1918.  “Virusi i gripit ka një kulm, më pas zbret dhe më pas ka valë të dyta dhe madje edhe të treta. Gripi nuk është një model i mirë sepse ky virus sillet ndryshe. Unë jam skeptik i valës së dytë. Nuk ka pasur valë të dytë të ngjashme me COVID-19 në Kinë, Korenë e Jugut ose Zelandën e Re”, tha ai.

Tucker Carlson Tonight, drejtuesi i emisionit të “Fox News”

Politikanët e korruptuar kanë përdorur emergjencën shëndetësore për të shkatërruar demokracinë dhe për t’u sjellë si autokratë. Këta njerëz janë duke u përpjekur t’ju bindin, madje edhe t’ju budallepsin. Ata nuk japin argumente! Ata po nxjerrin ligje. Ata mendojnë se munden ta bëjnë këtë. Ata besojnë se nuk  kanë nevojë për aprovimin tuaj për të marrë vendime të mëdha për vendin. Pasi autoritarizmi i tyre do përpiqet t’ju ndalojë të ndryshoni mendim, madje edhe duke ju mashtruar