“Me Berishën, është utopi të bëhet depolitizimi i çfarëdo institucioni shtetëror”

753
Sigal

INTERVISTA/Avokati ligjor i PS-së, Eridian Salianji: “PS-ja nuk ka besim në bashkëpunimin e pozitës për një produkt konsensual për  Kryetarin e ri të KQZ-së”

Para disa ditësh, deputeti i PS-së, Pandeli Majko u shpreh se, në zgjedhjet e 2013-s ekzistojnë mundësitë politike  e përsëritjes të 1996-s. Nuk solli fakte bindëse, përveçse vlerësime politike të bindjeve të tij. Nuk mund të marrim mundimin të provojmë “pro”, apo “kundër” këtyre subjektiviteteve veçse një gjë, mund ta themi me siguri. Kultivimi i këtyre dyshimeve, sidomos para dhe gjatë ecurisë së procedurës së zgjedhjeve të KQZ-së së re dhe të Kryetarit të ri të saj, nuk ndihmojnë në ndërtimin e një klime mirëbesimi midis palëve politike. Avokati ligjor i PS-së, Eridian Salianji në intervistën për “Telegraf”, shpreh shqetësimin se PS-ja nuk beson në  bashkëpunimin me PD-në për një produkt konsensual të KQZ-së së re.

– Zoti Salianji, procedura e sapofilluar, për zgjedhjen e KQZ-së, të Kryetarit të saj, mendoni se do të arrijë produktin konsensual?

– Siç është e njohur nga të gjithë, PS-ja gjithnjë është investuar për një proces ligjor, me kërkesa të arsyeshme gjithnjë në funksion të garantimit të konsensusit. Në këtë kuadër, edhe kësaj radhe, me këto principe do investohemi në këtë proces dhe ndonëse nuk kemi asnjë besim në bashkëpunimin e pozitës, për një produkt konsensual, kemi besim në arritjen e më së mirës, për shkak se babëzia e pushtetit, për të shkatërruar këtë proces, do përballet me presionin e  opinionit mbarëpublik, për rrjedhojë, do tërhiqet duke iu nënshtruar konsensusit.

– Sa shpresëdhënëse është rikompozimi i KQZ-së, kur është ruajtur e paprekshme ndarja midis PD-PS e monopolit të përfaqësimit?

– Duhet të kemi në konsideratë se në çdo lloj përzgjedhje, në të cilën është palë Berisha, në çdo rast, është utopi të mendohet depolitizim i asnjë institucioni.  Madje, dihet dhe është provuar sistematikisht se pikërisht në funksione, ku duhet të ketë të depolitizuar, ose ku është vënë standard për depolitizim, Berisha vendos militant më të spikatur, se sa në funksione, ku kriteri politik është parësor. Veçoj këtu emërime në Gjykatë të Lartë, kreun e SHISH etj.. Në këtë kuadër, çdo lloj formule për të depolitizuar KQZ-në do ishte jo efikase dhe përpjekje e kotë.

– Përse partitë e tjera politike, qoftë parlamentare, qoftë joparlamentare, të përjashtohen nga e drejta e përfaqësimit në KQZ?

– Parashtrimi që i bëni çështjes nuk qëndron. Nuk shtrohet problemi që të përjashtohet asnjë aktor në procesin e administrimit zgjedhor, por gjithsesi, për një administrim efikas të procesit, numrat e pjesëmarrësve janë detyrimisht të kufizuar e për rrjedhojë edhe ekuilibrat diktohen prej tyre.

– Pranoni që  KQZ-ja është peng i monopolit politik PD-PS?

– Unë as nuk e pranoj, as nuk e percepton askush këtë pohim tuajin! Ka një historik të zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri që janë zhvilluar në dy kushte. Në kushtet kur ka patur pushtetin PD-ja dhe në kushtet kur ka patur pushtetin PS-ja. Në rastin e dytë, dihet botërisht që është dorëzuar paqësisht pushteti, ndonëse sipas konceptit të PD-së, ka qenë PS-ja që ka numëruar votat, pasi ka zgjedhur KQZ-në. Dorëzimi i pushtetit nëpërmjet KQZ-së tregon qartë se PS-ja ka patur princip bazë krijimin e një institucioni të besueshëm dhe s’ka besueshmëri më të madhe se sa prej këtij institucioni të dalë një rezultat në disfavor të pushtetit. Krejt e kundërta ka ndodhur kur pushtetin e ka patur dhe ka PD-ja! Për të ilustruar qartësisht këtë, nuk është e tepërt të evidentoj ’96-n me 3.000 të vdekur. Po ashtu manipulimin e 2009-s proces, i cili ka stampën e Ruzhdies, e më tej, duke u vulosur me procesin e 2011-s, kur PD-ja vendosi të emërojë ata që duhet të zgjidheshin. Vula e turpit e 2011-s diktoi që legjislativi të vihet në presion të gjithanshëm (e kam fjalën për shumicën e saj)që të miratojë ndryshime në Kodin Penal që të dënojë deri me 8 vjet burg atë që përsërit shkeljet që bëri Ristani i PD-së në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor.

– Ka filluar parapolitika e dyshimit të rezultatit zgjedhor të 2013-s, me pretekstit e mundësisë të vjedhjes së votës. Kodi i ri Zgjedhor a lë shtigje të vjedhjes së votës?

– As Kodi i ri as Kodi i vjetër nuk lë shtigje për vjedhje të votës. Në çdo rast vjedhjen e votës Berisha e ka bëre pa ligj. Pohimi se paska lënë Kodi shtigje për vjedhje të votës, i jep luksin PD-së që ta përcjellë ndryshe këtë perceptim që nuk e çmonton dot (të manipulimit të zgjedhjeve), duke thënë se shfrytëzuam ligjin për të maksimizuar rezultatin. Pra, vjedhja nuk është bërë me ligj, por me arrogancë, e prepotencë që të jep pushteti dhe abuzoni me të.

– Mendoni që një KQZ e depolitizuar është garancia e vetme e mirëbesimit të procesit të votimit?

– Garancia e mirëbesimit të procesit të votimit dhe administrimit të zgjedhjeve është së pari mospjesëmarrja e Berishës në to. Çdo proces përzgjedhje personash apo institucionesh me palë Berishën është një proces i dështuar në drejtim të depolitizimit dhe mirëbesimit. Përvoja mbi 20 vjeçare ka treguar se Berisha nuk jep mirëbesim asnjëherë, por për këto ai vetëm detyrohet. Pikërisht, edhe në këtë drejtim, PS-ja me opozitën e Bashkuar do e detyrojë të japë mirëbesim e të pranojë rezultatin

– Derisa opozita ( paraprakisht) dyshon se votat mund të manipulohen, përse nuk u përpoq për depolitizimin e KQZ-së?

– PS-ja është përpjekur, angazhuar dhe bërë më të mirën e mundshme për kuadrin ligjor rregullativ të zgjedhjeve dhe administrimit të tyre me palë bashkëbiseduese PD-në!

– Duke patur parasysh amendamentet e PS-së për ndryshimet kushtetuese të reformës të Imunitetit, përse PS-ja nuk kërkon ndryshimin e zgjedhjes të Presidentit me 84 vota dhe kësisoj, amendamentet që ajo kërkon tani, thjeshtëzohen?

– Nuk është thjeshtëzim ky që thoni. Janë të njohura arsyet e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe, edhe sikur të rikthehej mënyra e zgjedhjes së tij, amendamentet që kërkohen tani janë të domosdoshme. Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën e Lartë, Kryeprokurorin e tj. Dhe në këtë proces ka të nevojshme, e madje të detyrueshëm, konsultimin me legjislativin, i cili miraton dekretet. Për shkak të peshës që mbajnë këta të zgjedhur, është domosdoshmëri që në çdo rast kandidaturat e Presidentit të marrin pëlqimin e një shumice të cilësuar parlamentare. Kjo është edhe përvojë ndërkombëtare. Është e vërtetë edhe fakti që me zgjedhjen e Presidentit të ri, presidenca u kthye në ministri në varësi të Berishës, për rrjedhojë dhënia e pëlqimit të shumicës së cilësuar parlamentare për këto funksione bëhet edhe më adekuate.

Pozitiviteti i rikompozimit të KQZ-së

– Së pari kjo do sjellë largimin e Ristanit nga kreu i KQZ-së, person i njohur e gjithëpranuar si kamikaz që ka shkatërruar zgjedhjet dhe besueshmërinë në institucionin zgjedhor. Ikja e tij nuk krijon asnjë ide të gabuar se Berisha nuk është i aftë ta zëvendësojë denjësisht atë me një person po aq të rrezikshëm, por rikompozimi i KQZ-së, për shkak determinant qenien e Ristanit në krye të saj dhe ndryshimet edhe në Kodin Penal, për sa i përket krimeve në administrimin e zgjedhjeve, natyrshëm që do diktojë për trupën e re të KQZ-së, më shumë përgjegjshmëri në zbatimin e Ligjit, ndonëse jemi koshient se  Berisha kërcënon në çdo rast procesin. PS-ja aktivisht ka marrë pjesë në proceset për kuadrin ligjor dhe administrimin e zgjedhjeve dhe në këtë kuadër nuk ecim me shpresë e besë se mos PD-ja heq dorë nga imponimi joligjor ndaj shumicës në KQZ, por po vijojmë përpjekjet për të garantuar lirinë e zgjedhjeve dhe besimin ndaj institucioneve zgjedhore.

 -Ju faleminderit!