Mblidhet Komisioni Hetimor për akuzat për trafik droge në FA

409
Sigal

TIRANE – Në ditën e parë të punës në Komisionin hetimor për akuzat mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në transportin e lëndëve narkotike, nuk kanë munguar batutat dhe akuzat mes palëve, ku anëtari i këtij komisioni Pirro Lutaj ka kërkuar nga opozita ta kuptojnë që rezultati i zgjedhjeve të 23 Qershorit i ka nxjerë ata në minorancë.

E në fakt janë pretendimet e deputetëve të opozitës dhe akuzat e bëra prej tyre që në Shqipëri dhe bazat ushtarake të Gjadrit si dhe në zonën e Divjakës ulen avionë të cilët përdoren për trafikimin e drogës. Nuk ka munguar as ndërprerja e punimeve të komisionit për rreth 15 minuta pasi pati dhe prishje të sistemit të fonisë audio. Komisioni hetimor i kryesuar nga Ermonela Felaj dhe me zv/kryetar Oerd Bylykbashin, në mbledhjen e sotme u konstituua duke zgjedhur dhe sekretarin e komisionit, ku vetëm me votat e mazhorancës u përzgjodh sekretare deputetja e LSI, Silvi Caka. Opozita hoqi dorë nga kandidatura e Voltana Ademit si sekretare për këtë komision, me argumentin se mazhoranca do të votonte me shumicë votash kandidaten e saj.