Sigal

Ekspertët/ Studimi më i fundit për koncesionet tregon se 2/3 e tyre u janë dhënë firmave të reja të krijuara disa muaj më parë, çka tregon se ato janë krijuar posaçërisht duke shmangur konsultimin si një detyrim ligjor. Skandali më i madh, 2 km rrugë kushtojnë 40 Milionë. Mark Crawford: Ja modeli amerikan i PPP  

Eksperti Selami Xhepa: Çdo koncesion ka nevojë për t’u konsultuar me qytetarët, është detyrim ligjor

 70% e tenderëve fitohen nga kompani të sapokrijuara

Profesor Selami Xhepa, ka dhënë një shifër tronditëse që lidhet me korrupsionin në proceset e tenderëve publikë, ashtu si rasti i “Unazës së Re”. Ai i referohet një studimi të kohëve të fundit sipas të cilit, 70% e tenderëve publikë, fitohen nga kompani të krijuar pak muaj apo javë para zhvillimit të tenderit.

Denoncimi

Specialisti i ekonomisë Selami Xhepa argumenton, duke bërë edhe krahasimin: “Sipas një studimi të ditëve të fundit, 70% e prokurimeve publike u janë dhënë firmave të reja të krijuara disa muaj para zhvillimit të tenderit. Analiza nis në vitin 2012, ka qenë 30% në vitin 2012 dhe ka shkuar në 70% në vitin 2017. Kjo shifër vërteton lidhjet e këtyre kompanive me politikën, duket qartazi”. Kjo gjë sipas ekspertit të ekonomisë, Xhepës mund të ketë ndodhur edhe me rastin e tenderit të projektit të “Unazës së Re” ku qindra banorë do të nxirren nga banesat e tyre. “Ky fenomen është social dhe dramatik. Protesta dhe kërkesa e banorëve është një çështje demokratike, kemi 30 vite dhe ende nuk kemi arritur të krijojmë një komunikim me njerëzit. Ne sillemi ende me qytetarët në këtë format.”

Transparenca e koncesioneve, detyrim ligjor

Specialisti i ekonomisë Selami Xhepa pohon se transparenca e çdo tenderi dhe koncesioni është detyrim ligjor, për më tepër, kur ka të bëjë me probleme sociale. Xhepa: Kjo lloj vepre ka nevojë për t’u konsultuar me qytetarët, është detyrim ligjor. Se me këto kompani ofshore ndodh që individë shumë të rëndësishëm mund të pasurohen. Në rastin konkret Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të nisë një hetim të thelluar, nëse këtu bëhet fjalë për procedura të kësaj natyre. Të ndërtosh 2 km rrugë me 40 milionë euro, pasi fatura mund të rritet, këtu problemi është shumë serioz pasi i gjithë projekti i PPP, i gjithë këtyre veprave të mëdha, mendoj, që çështja është shumë serioze,” – pohon eksperti Selami Xhepa.

Mark Crawford: Si dështoi PPP-ja e një treni në Denver

Problemi i koncesioneve në Shqipëri është bërë problemi kryesor i qeverisë, sepse shumë ekspertë pohojnë se fatura e 1.5 miliardë euro që do të duhet të paguajnë qeveritë shqiptare në 10 vite do të shtojë shumë edhe borxhin publik. Mark Crawford, kryetari i Dhomës së Tregtisë amerikane në Tiranë, shumë herë edhe në intervistat për gazetën “Telegraf” ka shfaqur shqetësimin që koncesionet në Shqipëri i marrin ata që janë pranë qeverisë dhe se nuk bëjnë investime, por përfitojnë fondet e buxhetit të shtetit. Dje, MarkCrawford solli një shembull nga SHBA, ku një koncesion i trenit në Denver dështoi, sepse ata që e kishin marrë koncesionin, donin të përfitonin paratë e qeverisë.  Mark Crawford, Kryetari i  Dhomës amerikane e Tregtisë në Tiranë, e tregoi këtë rast për shkak të ngjashmërisë me problemin që paraqesin PPP. Kështu  edhe në Shtetet e Bashkuara; një Partneritet Publik Privat përfundoi me dyfishin e çmimit. Crawford: Ne përdorim PPP në Amerikë. Ne kemi dy lloje se si i trajtojmë. Koncepti A, është që një kompani private merr përsipër gjithë riskun. Ata janë përgjegjës për të gjitha rezultatet dhe normalisht bëhen edhe rrugët. Kemi bërë 435 dhe normalisht po funksionon. Por, kemi edhe rastin e një treni që shkonte në aeroportin e Denverit, private e financuar me buxhetin. Doli dyfishi i çmimit. Ata e përdorën për të fshehur shifrat, për të vënë borxh tek qeveria e Kolorados. Ata ishin paguar nga qeveria.