Mbeten në burg dy ish-drejtorët e Rrugëve, hetim tenderave

688
Gjykata e Elbasanit konfirmon vendimin për qëndrimin në burg, ndërsa Krimet e Rënda shtojnë akuzat. Tension në seancë
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika, ka marrë dje dy vendime për arrest me burg nga dy gjykata të ndryshme, ndërsa akuzat ndaj tij janë rënduar. Fillimisht Gjykata e Elbasanit dha në mbrëmjen e djeshme masën e sigurisë burg pa afat për dy ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe Andi Toma, të cilët u arrestuan për tenderimin e rrugës Elbasan-Gjinar, pasi prokuroria i akuzon për abuzim me fondet dhe shpërdorim të detyrës. Në fillim të seancës, avokatët e Xhikës dhe Tomës kërkuan dorëheqjen e gjyqtares së çështjes, por e njëjta gjyqtare e përfundoi seancën dhe pjesa e dytë e saj u zhvillua me dyer të mbyllura. Seanca e rivlerësimit të masave të sigurisë për 11 të akuzuar për shpërdorim të 50 milionë lekëve, për asfaltim sistemimin e rrugës Elbasan-Gjinar, ishte e tensionuar dhe shpesh pati ngritje tonesh të avokatëve që kundërshtuan qëndrimet e prokurores Armanda Xhaferri dhe akuzuan këtë të fundit se po bënte politikë. Mbrojtja tha se ky është një gjyq politik dhe se klientët e tyre nuk përbëjnë rrezik, nëse lihen të lirë dhe nuk mund të prishin provat. Seancën e ndoqi edhe ish-ministri i Transporteve dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto. Përveç Xhikës dhe Tomës, të arrestuar janë edhe 3 persona të kompanisë “Hysa”, të cilët duhet të ndërtonin segmentin rrugor Elbasan-Gjinar. Ndërkohë në gjendje të lirë po hetohen edhe 5 persona të tjerë, të cilët kanë pasur rolin e mbikëqyrësit të segmentit rrugor.

Arresti i dytë
Në një çështje të ndarë nga ajo që shqyrtonte dje Gjykata e Elbasanit, Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë vendosi masën e sigurisë arrest me burg për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika. Ky i fundit akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre së bashku me dy persona të tjerë. Edhe ndaj tyre është dhënë masa e sigurisë arrest me burg. Policia ka arrestuar edhe dy shtetasit Albens Alite dhe Aksel Qurduka, ish-drejtorë menaxhimi projekti të rrugës Tiranë-Elbasan pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në këtë çështje të dytë, të filluar nga Krimet e Rënda ndaj Dashamir Xhikës, Albens Alites dhe Aksel Qurdukës, prokurorët dyshojnë për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre” për rrugën Elbasan-Tiranë, për një dëm ndaj shtetit që Krimet e Rënda e llogarisin në rreth 80 milionë euro. Prokuroret e çështjes nuk kanë pranuar të japin detaje, por konfirmohet se ndalimet kanë të bëjnë me abuzimet që janë zbuluar në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Kallëzimi për këtë rast është bërë në prokurori nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikes, auditi i të cilës konfirmoi se dëmi i shkaktuar buxhetit te shtetit është 54 milionë dollarë. Tre zyrtarët dhe disa persona të tjerë të paidentifikuar, veçmas dhe në bashkëpunim, dyshohet se kanë kryer veprime dhe mosveprime të cilat u kanë siguruar fitime të padrejta subjekteve private të cilat janë kontraktuar për projektin e rrugës Tiranë – Elbasan. Aty listohen një sërë shkeljesh si tjetërsime çmimesh të lidhur në kontrata dhe mospërputhje të çmimit që është aplikuar nga kompania në zbatimin e projektit dhe asaj që është llogaritur në kontratë nga ARRSH.
Sigal