Tritoli te farmacia e Tahirit, dëmshpërblim për Brukën

602
Dy vite më parë, Baftjar Bruka u soll në Shqipëri nga Suedia, si i dyshuari kryesor i vendosjes së një sasie lënde shpërthyese në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të Saimir Tahirit, asokohe ministër i Brendshëm. Shpërthimi në farmacinë e zotit Tahiri, në shkurt të vitit 2015, dhe vendosja e një tjetër sasie tritoli po atë natë pranë një stacioni autobusi, që në fakt nuk shpërtheu, u cilësuan akte terroriste. Gjatë hetimeve të mëpasshme, emrat e Baftjar Brukës, Vladimir Gjutës dhe 6 personave të tjerë u publikuan së pari nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Por 10 muaj pasi e mbajti nën arrest, Prokuroria e Krimeve të Rënda u tërhoq nga dyshimet e saj, duke pushuar hetimet për secilin prej tyre, që nga i dyshuari si urdhërues e deri te personi që dyshohej se kishte përdorur aparatin celular për të realizuar shpërthimin me anë të një telefonate. Prokuroria deklaroi se nuk kishte mundur të gjente prova dhe motive për këto dy ngjarje. Tani, Baftjar Bruka kërkon rreth 870 mijë lekë dëmshpërblim për 290 ditë që qëndroi në paraburgim. Çdo ditë paraburgim i padrejtë paguhet 3.000 lekë. Çështja e dëmshpërblimit do të gjykohet në Gjykatën Administrative Tiranë, kurse për ngjarjen që Bruka dhe të tjerë u arrestuan, nuk ka ende një autor.
Sigal