“Mbështetësit e PD-së të votojnë për LSI-në nëse nuk duan Ramën”

356
Zv/kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, qorton veprimet e opozitës dhe arrogancën e qeverisë

Zv/kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cilëson qesharake kërkesën e Lulzim Bashës për dorëheqjen e Edi Ramës dhe emërimin e një kryeministri teknik. E ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo”, Kryemadhi tha se Rama është kryeministri i zgjedhur nga një Parlament legjitim dhe i votëbesuar nga qytetarët në zgjedhjet e qershorit 2013. 

A do të ketë zgjedhje më 18 qershor?
“Në fakt 18 qershori është një datë e dekretuar nga Presidenti i Republikës por situata politike ka bërë që ne sot të jemi përballë dy qëndrimeve. Nga një anë kemi një qëndrim ultimativ që thotë se unë nuk hyj në zgjedhje dhe në anën tjetër një qëndrim arrogant që unë nuk pranoj negociatat me ju. Në të dyja rastet kjo nuk sjell asgjë por sjell vetëm vuajtje, dëshpërim dhe varfëri. Sjell edhe një mungesë stabiliteti në vend. Shkaktarët e kësaj situate janë dy partitë e vjetra dhe unë mendoj që të gjitha palët duhet të tolerojnë pak dhe të lëshojnë nga qëndrimet e tyre, ultimative apo indiferente. Politikanët kanë për detyrë të ndërtojnë urat e bashkëpunimit dhe të vendosin një gur në themelet e demokracisë e cila është shumë e brishtë në Shqipëri. Nuk është mirë që pas 25 vitesh ne në Shqipëri diskutojmë akoma çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është shumë dëshpëruese”. 

Basha kërkon qeveri teknike. Ju duket e arsyeshme kjo?
“Mua më duket edhe qesharake ndonjëherë. Ai mund të ketë shumë shqetësime të drejta z. Rama, partia e tij së bashku me Aleancën për Shqipërinë Evropiane, kanë fituar zgjedhjet në qershor të 2013-s dhe populli e ka mandatuar që të qeverisë deri më 18 qershor të 2017-s. Z. Basha ka pasur në tryezë disa propozime. Një nga këto ka qenë edhe propozimi i LSI-së për mandatet qeverisëse. Ofertë që LSI e dha për të zgjidhur situatën dhe për të ofruar konsensus dhe stabilitet. Politikanët kanë përgjegjësi në këtë situatë. Kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Nuk jemi duke luajtur shah dhe shqiptarët janë spektatorë. Ka shqiptarë që nuk kanë ushqim, nuk kanë para për të paguar dritat. Kjo është një papërgjegjshmëri totale e klasës politikë, së cilës ndoshta i ka ardhur koha edhe të ikë. Çdo konflikt i mbajtur hapur është një humbje shpresë për shqiptarët dhe do të jetë një kosto shumë e madhe për politikën. Ky konflikt në të cilën janë futur dy partitë e vjetra, duhet theksuar këtu që LSI ka ofruar gjithnjë dialog dhe konsensus për zgjidhjen e tij, ka sjellë një lloj dëshpërimi ndër qytetarët shqiptarë”. 

Po përsa i përket mosbindjes civile apo bllokimit të qendrave të votimit dhe pastaj nuk do të kryheshin zgjedhjet?
“Kush tha që nuk kryhen zgjedhjet se ti nuk i ndalon dot njerëzit të votojnë se siç do të dalë ai që ta bllokojë që mos të më lërë mua të votoj, ashtu do luftoj edhe unë që të shkoj të votoj. Çfarë do bëj? Kush është përgjegjësi pastaj në këtë gjë? Pse e përballon Shqipëria t’i rikthehet një 97-te tjetër?” 

Dhe si mund të shmanget?
“Kjo duhet shmangur që gjithë demokratët të cilët nuk e ndjejnë veten të përfshirë, të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk e duan Edi Ramën demokratët për kryeministër? Të votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim”. 

Demokratët kur hynë në çadër ndoshta edhe në mënyrë iluzive, patën idenë se kishin edhe mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte një keqkuptim i tyre?
“Unë nuk mendoj që është kjo. Sigurisht që LSI-ja ka qëndrimet e veta politike. Kodi zgjedhor të cilën e kanë nënshkruar bashkë dhe e kanë vulosur të dyja partitë e vjetra në prill të 2008-ës ka sjellë këtë rezultat që ne kemi sot dhe sjell edhe këtë lloj paqartësie politike të forcave të ashtuquajtura të mëdha politike. Ajo çka është e rëndësishme dhe që duhet të lëviz dhe të ecë më përpara është pozicionimi i të gjitha forcave politike në funksion të qytetarëve. Unë shikoj që të gjitha partitë politike, klasa politike ku përfshij edhe veten time, jemi edhe bashkëfajtorë në dështimet apo dhe në problematikat që ka krijuar klasa politike, por unë di të them këtë gjë që çadra nuk është thirrja e LSI-së. Çadra ishte për Partinë Demokratike që duhet të mbante një pozicion të saj. Sigurisht që është një nga opozitat më të dobëta që ka pasur në 20 vite të tranzicionit shqiptar. Mbaj mend statusin e Namik Dokles që shkruante se falënderonte dhe ndjente mall dhe respekt për grupin e parlamentarëve të 92-96-ës. Për hir të së vërtetës, ishte një grup i një niveli jashtëzakonisht të lartë intelektual. Tashmë politika ka kthim mbrapa dhe sigurisht kultura politike është hapa prapa në Shqipëri dhe kjo vjen për shkak ndoshta edhe të ligjit që ne kemi bërë për zgjedhjet, ndoshta kjo vjen edhe për shkak të frikës që klasa politike ka nga humbja. Do doja që liderat të mos kishin frikë nga ndryshimet. Duhet të bëhen pjesë e ndryshimit. Vetëm kështu ecën një vend përpara dhe kam përshtypjen që partia demokratike ka frikë nga ndryshimi . Një ditë do përballet me zgjedhjet qofshin këto me 18 qershor”. 

Ju e konsideroni të mbyllur datën e zgjedhjeve? Nuk ka më hapësirë negocimi ? Janë duke u zhvilluar tani?
“Negocimet vazhdojnë deri në sekondat e fundit. Nuk e kam idenë sepse negociatat përditë janë të fshehta dhe s’kemi prodhuar diçka tamam. Gjërat janë të hapura dhe transparente. Sa herë bëhen të fshehta, futen intrigat politike, ballkanike. Gjithmonë kemi prodhuar politika shterpë që kanë prodhuar krizë, destabilitet dhe intolerancë”.

Meta propozoi një qeveri besimi. Ishte e koordinuar me eurodeputetët ajo që propozoi Meta apo çfarë?
“Unë di të them që Meta në propozimin e tij që pati që bëri për qeverinë e besimit ka pasur konsultimet e tij me faktorë të rëndësishëm politik, jo vetëm të SHBA-ve, por edhe në Evropë që arriti të bënte një propozim të tillë. Kjo vjen edhe si rezultat i komunikimit të tij të shpeshta me ta. Por di të them që kjo ka të bëjë me qëndrimin e vetë z. Meta për stabilitetin politik. Ai në të gjithë karrierën e tij politike në thelb të politikës së vet ka pasur stabilitetin. Edhe në shkurt të vitit 2002 Meta për të krijuar një lloj stabiliteti politik dha dorëheqjen dhe iku edhe pse ishte Kryeministër i cili kishte fituar zgjedhjet dhe kishte mbi 80 mandate. Mund ta kishte çuar vendin në zgjedhje por u tërhoq për hir të këtij stabiliteti që është baza e politikës së tij. Stabiliteti e zhvillon vendin dhe e destabiliteti e kthen atë mbrapsht. Vetëm në 3 muajt e fundit janë mbyllur në Tiranë 1800 biznese. Pra destabiliteti sjell mungesë zhvillimi, dëmtim të klimës së biznesit, mungesë të investimeve dhe e gjitha kjo bie në kurriz të qytetarëve”. 

Do të hyni në zgjedhje si parti qeverisëse apo opozitare?
“Për mua kjo nuk ka rëndësi. Partitë hyjnë në zgjedhje për një marrëveshje me qytetarët. Ne po hartojmë programin tonë elektoral i cili shumë shpejt do bëhet prezent. Është një program shumë i mirë që bazohet në shtyllat kryesore të ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe turizmit. Ky program do të jetë prezantimi që do të kemi me qytetarët. Le të mos harrojmë dhe një gjë tjetër, që është shumë e thjeshtë dhe shumë domethënëse marrëdhënia jonë e drejtpërdrejtë me njerëzit. Për mua, çdo komunikim virtual nuk është se të sjell diçka të re. Komunikimi virtual thjesht mbetet virtual, vetëm imazh. Por është shumë i rëndësishëm komunikimi i drejtpërdrejtë me njerëzit”.

A do të keni koalicion paszgjedhor?
“Le të mbarojmë procesin zgjedhor, të shikojmë se ku jemi dhe të ulemi pastaj në diskutime. Përgjegjësia jonë është kryesore për të krijuar një lloj stabiliteti, jo vetëm shpirtëror por edhe ekonomik dhe politik në vend. Nuk do doja të shihnim Shqipërinë siç pamë Maqedoninë përpara disa ditësh”.

Le të bëjmë edhe një bilanc të shkurtër të këtij mandati 4-vjeçar qeverisës. Ju si e konsideroni? Cilat janë disa nga gjërat pozitive që ka bërë kjo qeveri?
“Sigurisht që e shkoj pozitiv por edhe me gabimet e veta. Në fakt, ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me infrastrukturën, që sigurisht ka anën e mirë dhe anën e keqe të sajën, sepse ne kemi bërë sheshet dhe rrugët urbane nëpër qytete, por ndoshta do të ishte më mirë të kishim bërë edhe rrugët nëpër komuna dhe fshatra, të cilat të ishin në funksion dhe shërbim të fermerëve. Po ashtu edhe bujqësia, ku do të përmendja pastrimin e kanaleve kulluese, ku në Lezhë për shembull, në 20 vjet nuk ishin pastruar asnjëherë, ato u pastruan. Ndërkohë, të njëjtën gjë po shikoj edhe në Elbasan, ku konstatohet një rritje e zhvillimit dhe prodhimit të produkteve bujqësore. Këtu dua të shtoj se nevojiten më shumë grante dhe subvencione për fermerët. Mund të përmend edhe Reformën Territoriale, që është një gjë shumë e mirë, e cila nga ana tjetër i ka vendosur kryetarët e bashkive në pozicione shumë të vështira, sepse është zgjeruar jashtëzakonisht shumë territori i mirëmbajtjes së bashkive, por kapacitetet njerëzore dhe kapaciteti financiar është shumë i vogël për ta përballuar këtë situatë. Po ashtu mund të themi që lë për të dëshiruar Reforma në Arsim, Ligji për Arsimin e Lartë, që sigurisht ka një pjesë shumë të mirën të sajin. Reforma në Drejtësi po ashtu që është tejet e rëndësishme, një reformë të cilën shqiptarët mezi po e prisnin dhe shpresoj që të realizohet sa më shpejt, duke mos e përdorur atë si një sebep për t’u larguar dhe jo për t’u ulur në tryezë për ta bërë atë sa më shpejt”.

Ka shumë elementë që e kanë lexuar zgjedhjen e Ilir Metës President heqjen e një pengese që kishte Kryeministri Rama në ushtrimin e pushtetit…

“Unë do ta shikoja si një mundësi shumë të madhe që i jepet LSI-së. Vendosja e Metës si President do t’i japë strukturave të LSI-së një forcë dhe një energji shumë më të madhe. Do të jetë një forcë politike shumë agresive për të marrë votën, për t’u përballur, për të ngritur zërin e saj”.

Mes Bashës dhe Berishës, me kë ndiheni ju si LSI më komod?
“Nëse do të flasim si politikanë, politikisht unë ndihem mirë me Petrit Vasilin, me Klajda Gjoshën, me Floida Kërpaçin, me Kejdi Mehmetajn, me Endrit Braimllarin. Pse? Sepse është familja ime. Gjithë vitet e jetës sime unë i kam investuar në këtë grup njerëzish. Ndërkohë, përsa i përket lidhjeve miqësore dhe shoqërore, unë ndihem mirë me të gjithë”.

Cila nga marrëveshjet e qeverisjes ka funksionuar më mirë nga pikëpamja kontraktuale?
“Në të dyja rastet, LSI ka qenë luajale në marrëveshjet e saj. I ka qëndruar korrekte deri në fund, qoftë marrëveshjes me Partinë Demokratike, qoftë edhe asaj me Partinë Socialiste”.

Gjatë katër viteve që lamë pas, cili ka qenë momenti personal politik më i vështirë?
“Zhgënjime ka shumë. Kur një person, një mikun tënd, një shok klase apo një shok lagjeje i cili është sëmurë me kancer dhe nuk bën dot pasaportën për të bërë kimioterapi jashtë, sepse i duhen 4 javë për të marrë pasaportën. Edhe pse nuk ka mundësi ta paguajë tarifën shtesë. Apo histori të tjera që futesh nëpër lagje të varfra të tmerrshme dhe shikon njerëz të cilët mund të kenë javë të tëra që hanë bukë thatë njësoj si tregimet e revistës “Pionieri” në kohën e Partisë së Punës. Ka momente shumë dëshpëruese të cilat ndonjëherë mendon që të mos ishe pjesë e politikës. Ashtu sikurse ka edhe probleme shumë të mëdha që njerëzit kanë dëshirë për të bërë shumë gjëra, por nuk i ofrohen mundësitë për hir të një konflikti interesi, të një neglizhence, sepse dikush i jep prioritet një njeriu të afërm dhe jo një njeriu më të zot dhe gjëra të tjera pafundësisht. Këto janë momente që mendon se përse duhet të futesh në politikë”.

A mund të parashikoni një bashkim të PS-së me LSI-në në të ardhmen?
“Unë them që janë dy gjëra shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ndryshojnë te njerëzit që përbëjnë këto dy forca. LSI-ja ka një forcë rinore të jashtëzakonshme, e cila ka një energji të pashtershme dhe besoj që është fat për politikën shqiptare, sepse janë me qindra e mijëra të rinj, të cilët e duan vendin e tyre. Nuk duan thjesht LSI-në, por duan vendin e tyre”.
Sigal