Mbaron afati, opozita nuk regjistrohet në zgjedhjet e 18 qershorit

505
Partia Demokratike dhe 26 forca politike nuk dorëzojnë kërkesat në KQZ. Basha këmbëngul: Të largohet Rama
Partitë e opozitës nuk u regjistruan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në votimet parlamentare të 18 qershorit, duke i qëndruar besnike vendimit të marrë më 18 shkurt kur nisën protestën kundër qeverisë “Rama”. Partia Demokratike i mblodhi dje aleatët në çadrën e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se muzgu i republikës së vjetër po bie. “Agimi i një ditë të re shprese dhe ëndrrash për çdo shqiptar, po lind. Ne jemi këtu të gjithë bashkë me njëri-tjetrin, me vullnetet tona, me zemrat tona, kemi marrë një përbetim që tejkalon kufijtë e çdo partie politike, të çdo koalicioni, dhe është i madh, dhe i shtrirë sa vetë atdheu ynë, sa vetë fatet e Shqipërisë tonë, Shqipërisë moderne dhe evropiane që dëshirojmë e do të kemi patjetër me fitoren e kësaj beteje”, tha Basha. Ai shtoi se kemi kërkuar dhe kemi bërë ftesë për dialog. “Tash 5 ditë, presim që ky dialog të marrë formë dhe tash 5 ditë dora e shtrirë për një dialog demokratik e paqësor, të ndershëm, që ofron zgjidhje, refuzohet nga ai që është mësuar ti flasë popullit të vet, madje edhe anëtarëve të partisë së vet, me monologë shterpë e bajate që nuk japin zgjidhje, sepse refuzojnë të shohin e të njohin realitetin e tmerrshëm ku ndodhet sot vendi”, tha Basha.

Lideri demokrat përsëriti ftesën për t’i dhënë fund kësaj krize politike me një dialog në funksion të zgjidhjes. “Zgjidhja kurrsesi nuk mund të jetë më shumë oksigjen për krimin, më shumë kohë për drogën, më shumë kohë për zullumin e korrupsionit qeveritar, por është e duhet të jetë zgjidhje, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një qeverie teknike me vullnet dhe mbështetje politike që do të kryejë vetëm detyrat e ngarkuara nga populli”, tha Basha. Ai shtoi se i kemi thënë, i themi dhe do t’i themi JO konfliktit, JO gjuhës së përçarjes, JO nxitjes së shqiptarëve kundër shqiptarëve. “Asnjë njeri i vetëm, nuk vlen sa bashkimi i shqiptarëve për Shqipërinë e nesërme. Kjo ëndërr, është tepër e madhe për të qëndruar në shpatullat e një njeriu të vetëm kushdo qoftë ky. Por, është plotësisht e mundshme tek mbështetet në shpatullat e miliona shqiptarëve që kanë vendosur përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të lira nga krimi, të lira nga droga, përmes zgjedhjeve me një qeveri teknike, të mbartin destinacionin e Shqipërisë së re përtej lumit të vjetër të republikës së vjetër me zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe korrupsioni”, tha Basha.

Për kreun demokrat, askush nuk e ndal dot më këtë lëvizje, sepse garant i kësaj lëvizje janë milionat e shqiptarëve të bashkuar dhe të vendosur për të marrë në dorë fatet e tyre, dhe për të shporrur njëherë e mirë embrionet, farën e së keqes ku shartohet krimi me politikën, mashtrimi me vjedhjen, përbuzja për popullin dhe arroganca ndaj qytetarëve. Në atë që e cilësoi si “muzg i republikës së vjetër dhe agim i Republikës së Re”, Basha falënderoi “qindra mijë shqiptarë që u bënë pjesë e kësaj lëvizje të paprecedentë në historinë tonë kombëtare, e cila ka vendosur flamurin dhe kauzën kombëtare të bashkimit të Shqipërisë moderne dhe evropiane, si qëllimin e panegociueshëm, si shpresën që nuk vdes kurrë si fitoren e çdo shqiptari dhe shqiptareje”. “Dua të falënderoj edhe ato forca politike që nuk janë pjesë e koalicionit të opozitës, por duan të bëhen pjesë e kësaj zgjidhje kombëtare, dhe udhëtimit tonë drejt Shqipërisë evropiane dhe modern”, nënvizoi Basha.
Prej 18 shkurtit, opozita ka ngritur një çadër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar ngritjen e një qeverie teknike, si kusht për pjesëmarrjen në zgjedhje. 
Opozita, protestë kombëtare në Kavajë më 7 maj
Opozita e bashkuar vendosi dje mbajtjen më datë 7 maj të një proteste kombëtare në Kavajë, ditën e votimit për zgjedhjet e pjesshme. “Në qytetin kaq simbolizues për demokracinë, për lirinë, në qytetin e Kavajës, një protestë e madhe kombëtare për të pamundësuar me forcën e bashkimit, përmes një lëvizje popullore, paqësore dhe demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi, sepse u kemi premtuar qytetarëve shqiptarë, u kemi premtuar qytetarëve të Kavajas se, kurrë më nuk do ta lemë fatin e tyre në duart e krimit dhe zgjedhjeve të diktuara nga krimi”, u shpreh kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Sigal