“Maxhorancës i mungon vullneti politik të luftojë korrupsionin”

506
Sigal

INTERVISTA/ Flet deputetja e PS-së, Vasilika Hysi: “Heqja e imunitetit është e pamjaftueshme pa pavarësinë e Gjyqësorit e Prokurorisë”

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, si  anëtare e Komisionit të Ligjeve dhe juriste është një nga deputetët më aktivë në diskutimet për të dy reformat, në të cilat është arritur kompromisi PD-PS, ndaj edhe intervista e saj për “Telegraf”, merr rëndësinë e mendimit të specialistit. Kundër atij mendimi që miratimi i reformës të heqje/kufizimit të imunitetit, do të jetë fillimi i fundit të korrupsionit, zonja Hysi argumenton se pa vullnetin politik, të forcimit të pavarësisë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë, nuk mund të luftohet korrupsioni. Për këtë, nuk mjafton vetëm dëshira politike, por ndryshimet në Kushtetutë, sipas zonjës Hysi, duhet të bëhen edhe për emërimet në Gjyqësor e Prokurorinë me votë të cilësuar. Maxhoranca, pohon deputetja Hysi,  nuk ka vullnetin politik për këto ndryshime, sikurse nuk dëshiron edhe të përfundojë edhe reformën parlamentare.

 – Zonja Hysi, dy kompromiset e PS-së, me PD-në, për reformën zgjedhore dhe tani për heqja/kufizimin e imuniteteve, janë produkt i presionit të ndërkombëtarëve, apo edhe produkt i qasjes për kompromis të politikave PD-PS?

– Për shkak të rëndësisë së tyre, këto reforma kërkojnë vullnet më të gjerë se ai i një force politike, ndaj votimi i tyre është me shumicë të cilësuar të deputetëve në parlament. PS-ja më shumë se një herë ka kërkuar kufizimin/ heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, pa qenë nevoja e marrjes së autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë, duke i dhënë mundësi ndjekjes penale të çdo zyrtari, ministri, deputeti ose gjyqtari që abuzon me detyrën dhe/ose përfshihen në korrupsion. Nevoja për ndryshimin e Kushtetutës është theksuar gjithnjë nga PS-ja, si rruga e vetme e vetme e kufizimit të imunitetit, ndërkohë që PD-ja deklaronte se nuk ka nevojë për ndryshim të Kushtetutës dhe se hedhja e firmave të deputetëve të maxhorancës  në një letër, sipas të cilës nuk kishin imunitet, ishte një ‘naivitet’ dhe lojë sa  qesharake dhe jokushtetuese.

– Kompozimi i ri i KQZ-së, u reduktua në heqjen e Ristanit dhe në një emërim të Kryetarit të KQZ-së me shumicë parlamentare. Sërish, a nuk mund të jetë një Ristan tjetër?

– Reforma zgjedhore adresoi çështje që kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve, me ndryshimet në listë, me aksesin e opozitës në listat e zgjedhësve, në auditimin e tyre; u adresuan aspekte që kanë të bëjnë me fushatat elektorale, me identifikimin e votuesve dhe procesin e numërimit të votave etj.. Pjesë e kësaj reforme ishte edhe administrimi i zgjedhjeve dhe ai i KQZ-së. Kjo e fundit në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë ka marrë vlerësime tejet kritike për mënyrën sesi menaxhoi zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ndaj u rekomandua të shihej edhe ky aspekt. Të gjitha ndryshimet e bëra përbëjnë një garanci më shumë për zgjedhjet, por nuk janë të vetmet.

–  A mund të ketë efikasitetin e duhur kufizimi/ heqja e imuniteti, ndërkohë që ka kritika të ashpra për (pa)varësinë e sistemit gjyqësor?

– Për më shumë se 2 vjet, qasja e opozitës ka qenë kufizimi/ heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, i shoqëruar me reforma për të luftuar korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, mes ndryshimeve kushtetuese. Ky qëndrim është shprehur në mënyrë sistematike nga  PS-ja, e cila përgatiti dhe i dërgoi grupit parlamentar të maxhorancës, në dhjetor 2010, një paketë reformash ligjore, që synonin të përmbushnin 12  rekomandimet, për të hedhur një hap para në integrimin europian dhe në zgjidhjen e një sërë problemesh që kanë të bëjnë me qytetarët, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.. Maxhoranca e hodhi poshtë atë. Të gjithë e kanë të qartë, se imuniteti është pengesë për ndjekjen penale efikase, por kjo ndjekje duhet të bëhet nga një organ hetimi i pavarur dhe jo nën presionin e politikës, se ndëshkimi i ministrave, deputetëve ose zyrtarëve të korruptuar duhet të bëhet nga gjyqtarë me integritet, profesionistë, të pavarur, pa pasur presionin e politikës. Sot, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe ai i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me 36 vota në Kuvend. Kjo është një zgjedhje që hartuesit e Kushtetutës e kanë bërë në vitin 1998 dhe nuk është pasojë e ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2008 sikurse përpiqet të paraqitet shpesh në diskutime dhe në media.

– A mendoni ju se vetëm kufizimi i imunitetit do të bëjë të mundur luftimin e korrupsionit?!

– Kush e ka penguar prokurorinë dhe Gjykatën e Lartë të hetojë dhe të dënojë një zyrtar që dyshohet për abuzime me pasuritë publike, kush e ka penguar prokurorinë dhe gjykatat e Lartë të dënohen ministrat e akuzuara për vjedhjen  e Rrugës së Kombit, për viktimat e Gërdecit, ndonëse Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të tyre? Shumë deputetë të opozitës po përballen me gjyqe dhe gjoba marramendëse për shqetësimet e ngritura në parlament, lidhur me çështje për të cilat ka patur dyshime për abuzime me pasuritë publike të anëtarëve të kësaj maxhorance. Pra, imuniteti ka nevojë të kufizohet, por duhet që hetimi dhe gjykimi i veprave penale të zyrtarëve të bëhet nga prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur. Pavarësia nga politika arrihet, mes të tjerave, kur Prokuroria, si organ i centralizuar, të drejtohet nga një prokuror i zgjedhur nga një numër më i madh deputetësh se votat e maxhorancës, kur gjyqtari i Gjykatës së Lartë, si gjykata që rishikon vendimet dhe unifikon praktikat dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese që mbron të drejtat e shtetasve, të zgjidhen jo nga 36 deputetë, por nga një shumicë e cilësuar.

– Përse 12 rekomandimet  plotësohen  një e nga një, ose shtrohen për kompromis vetëm kur do Berisha, dhe nuk realizohen të ndërthurura bashkërisht?

– Opozita nuk është mjaftuar vetëm me denoncimin e keqqeverisjes dhe ngritjen e problemeve të mëdha që kanë qytetarët, por ka treguar vullnet dhe ka ofruar strategji për një qeverisje më të mirë dhe në interes të qytetarëve dhe të vendit. Kjo qeveri  sjell ligjet më të rëndësishme në parlament, në fund të sesioneve parlamentare, ose në korrik ose në dhjetor, duke mos i dhënë kohën e nevojshme diskutimit të gjerë të tyre, vëmendjen e medias dhe grupeve të interesit dhe kur shumë nga përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare, qytetarët dhe politikanët largohen për pushimet e verës ose të fundvitit.

– A mund të kemi reformë të heqje/kufizimi të imunitetit, pa realizuar reformën parlamentare? Pa kthyer votën e fshehtë në Parlament?

PS-ja ka votuar nismën për kufizimin/ heqjen e imunitetit në parim dhe nen për nen, ka pranuar ndryshimet në projektin e saj, ndërkohë që reforma parlamentare është e papërfunduar. Ndryshimet e tre neneve kushtetuese, që kanë të bëjnë me imunitetin nuk është e mjaftueshme, pa ndërmarrë reformat e tjera. Opozita po lufton që të përfundojë reforma parlamentare, por maxhoranca nuk dëshiron një gjë të tillë.

– A nuk është shprehje e qartë, e hapur e imunitetit politik, edhe e drejta që listat e kandidatëve për deputet t’i ketë vetëm kryetari i Partisë?

– Në fakt, sistemi zgjedhor që kemi zgjedhur ka listat e mbyllura. Pavarësisht kësaj, sot votuesit nuk votojnë vetëm subjektin zgjedhor por, kanë parasysh programin qeverisës të forcës dhe kandidatët për deputetë. Ndaj kufizimi i imunitetit do të ndikojë që në listat e partive politike të përfshihen kandidatë me integritet moral, profesional, të pakorruptuar. Ndryshimi i ligjeve që lidhen më deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit do të kontribuojnë edhe në përzgjedhjen më të mirë të kandidatëve për deputetë dhe të zyrtarëve të lartë dhe në forcimin e demokracisë në vend.

– Ju faleminderit!