Masat gjysmake janë katastrofike

568
Sigal

Nga Klodian Tomorri

Ky virus luftohet me masa ekstreme që në fillim.

Qeveria shqiptare u soll në mënyrë totalisht të papërgjegjshme nga data 25 shkurt deri dy ditë më parë duke lejuar lëvizjen e lirë të udhëtareve nga Italia.

Institucionet që duhet të mbronin shëndetin publik dështuan në mënyrë ekzemplare, por edhe të neveritshme të ndalojnë infektimin e paralajmëruar të Shqipërisë.

Por pasi gabuan në fillim dhe lejuan infektimin e vendit, autoritetet janë duke gabuar sërish me masat gjysmake që po ndërmarrin.

Kjo situatë kërkon dorë të hekurt dhe masa drastike.

Masat gjysmake në këto raste janë katastrofike.

Shqipëria duhet të vendose urgjentisht karantinën e detyrueshme për të gjithë udhëtaret që vijnë nga jashtë.

Nuk është vetëm Italia e infektuar. Epidemia po përhapet me shpejtësi në Francë, Spanjë, Gjermani, Austri, Zvicër dhe kudo. Mbyllja vetëm e Italisë në kushtet kur udhëtarët nga vendet e tjera lejohen të hyjnë dhe lëvizin lirisht është totalisht e padobishme.

Pas sigurimit të kufijve, duhet urgjentisht të thellohen me shumë masat e distancimit social në vend. Është e pafalshme se si lejohen ende hapur fabrikat e mëdha, Call Centerat, bankat. Tashme duhet mbyllur çdo gjë përveç farmacive dhe bizneseve që prodhojnë apo tregtojnë të mirat primare të domosdoshme për popullatën.

Qeveria duhet të marrë përsipër nga buxheti një pjesë të kostove për pagesën e rrogave të punonjësve, të paktën për një periudhe dy javore. Mund të duket me kosto të lartë në fillim. Por është e sigurtë që kjo kosto, nuk është asgjë me faturën që do të shkaktohet nëse infeksioni përhapet masivisht.

Bëjeni sot.

Bëjeni tani dhe lutuni që të mos jetë duke ndodhur sakaq transmetim masiv komunitar.

Kjo nuk është kohë për të hezituar.