Marrëveshja politike/ PS u përgjigjet aleatëve të Bashës: Zgjedhjet zhvillohen…

Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së ka reaguar pas paketës të propozuar nga aleatët e Bashës më herët gjatë kësaj të shtune.

Një nga pikat e prezantuara nga partitë opozitare për marrëveshjen politike gjithëpërfshirëse, është caktimi i një date për zhvillimin e zgjedhjeve lokale e parlamentare, pasi të jenë garantuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Sigal

Lidhur me këtë propozim, në një prononcim për gazetarët nga Pogradeci, Balla tha se “data e zgjedhjeve nuk përcaktohet nga partitë”. “Zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor”, u shpreh ai, duke përforcuar qëndrimin që ka mbajtur më herët kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, po sot, kryetari i PD-së Lulzim Basha ripërsëriti se, koalicioni opozitar do të përfshihet në zgjedhje “kur të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”. “Kushti i padiskutueshëm mbetet largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore”, theksoi kreu i opozitës.