Marrëveshja Greqi-Shqipëri është gati! Mediat greke: Hiqet ligji i luftës, shqiptarët do marrin…

561
Marrëveshja Greqi-Shqipëri është gati, pavarësisht qëndrimit tepër diskret të dy ministrive të Jashtme. Kështu vazhdojnë të shkruajnë mediat greke, me burim voria.gr (siti më i madh në Greqinë veriore, me frymë nacionaliste), sipas së cilës Greqia është dorëzuar dhe ka rënë dakord të tërhiqet nga pretendimet për protokollin e Korfuzit.
Së shpejti do të abrogohet në formën e kërkuar nga Tirana zyrtare ligji i luftës i vitit 1940, abrogimi i të cilit do lejojë shqiptarët të kërkojnë pronat e tyre në Greqi. Artikulli thekson se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka përmendur rreth 1800 raste shqiptarësh që kanë humbur pasurinë në vitin 1940, jo çamë, pasi për këta të fundit ndiqet tjetër formulë diskutimi.
Për sa i përket marrëveshjes detare, Greqia do shtrihet në 12 milje, duke përcaktuar “vijën e mesme” që e favorizon përkundrejt Turqisë. Mbetet për t’u parë se si do jetë përcaktimi i zonave “Joni 1” dhe “Joni 2” ku qeveria greke ka thirrur tashmë kompani të huaja për kërkim hidrokarburesh.
Gjithashtu, është rënë dakord njohja e patentave të makinave, rishqyrtimi i teksteve shkollore që përdoren në Shqipëri, si dhe furnizimi i minoritetit me libra të posaçëm nga Athina. Shumë shpejt do publikohen dhe detaje të tjera të marrëveshjes, për të cilat hezitohet akoma, pasi sipas këtyre mediave, pritet të ketë reagime të ashpra, paralelisht me ato për Maqedoninë.


Sigal