Marrëveshja e detit me Greqinë, justifikimi i deklaratës

658
Rama trazon ujërat me deklaratat nacionaliste për presidentin e përbashkët në Kuvendin e Kosovës
Deklarata e Kryeministrit Rama e bërë ditën e diel gjatë fjalimit përshëndetës në Parlamentin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë, krijoi shumë pështjellime tek të pranishmit në sallën e Kuvendit të Kosovës, por edhe shumë reagime nga faktori vendas kosovar, ai shqiptar, serb edhe ndërkombëtar. Sigurisht që kjo deklaratë më tepër se sa një gjë e mirë menduar ishte një lloj show për të tërhequr vëmendjen e të gjithë faktorit rajonal, atij të BE, por edhe për të tërhequr vëmendjen nga fillimi i bisedimeve sekrete të marrëveshjes së detit me Greqinë. Madje shumë analistë e shikonin deklaratën e Ramës si një ultimatum për Evropën në lidhje me fillimin e negociatave të Shqipërisë me BE, por nuk harrojnë të aludojnë edhe si një qëndrim kundër SHBA-ve, të cilat janë të interesuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Fakti që SHBA vetëm një javë më parë patën të ftuar Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj për stabilitetin rajonal dhe marrëveshjen me Malin e Zi, pikërisht në këtë moment si një rrufe mbi qellin e pastër vjen deklarata tymuese e Ramës në Prishtinë. Të mos harrojnë se Presidenti Tramp theksoi që Kosova është në vëmendjen dhe nën mbështetjen amerikane, ndërkohë që Shqipëria është marrëdhënie të ngrira për shumë arsye, ku më e fundit ishte vota kundër SHBA-ve në OKB. Por që të gjitha këto që theksuam më lart kanë një prapavijë, e cila ka të bëjë me heqjen e vëmendjes nga marrëveshjen e turpit mes Greqisë dhe Shqipërisë për detin, e cila u mbajt e fshehtë nga vendi ynë dhe ne i mësojmë që të gjitha nga pala greke. 

BE shuplakë Ramës: E papranueshme deklarata për president të përbashkët 
Pas deklaratës së Kryeministrit shqiptar Edi Rama se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një president të përbashkët, ka reaguar Bashkimi Evropian. BE nëpërmjet zëdhënëses, Catherine Ray ka dalë kundër Ramës, duke thënë se këto deklarata mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinjë. BE shton se këto deklarata janë të papranueshme. “Deklaratat që mund të interpretohen si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. BE pret që në të gjithë rajonin të vazhdojë ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese. BE ka vazhduar të mbështesë parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit në këtë rajon.”,ka thënë Ray.
Sigal