Marko Dajti: Qeveria e Majtë erdhi në pushtet për Rilindje, por përfundoi në rrënim

472
Marko Dajti, kryetari i Frontit të Majtë, në intervistën për “Telegraf” thotë se qeveria e Rilindjes ka dështuar, dhe ajo solli realitetin e Rrënimit, ngaqë kryeministri nuk preku kapitalin e madh, por masat shtrënguese ranë mbi shtresat e varfëra. Ndaj edhe shkaku kryesor i eksodit të shqiptarëve sot, është varfëria dhe papunësia. Marko Dajti pohon se PS përpiqet që të përçajë LSI, për t’i marrë votuesit, ndaj PS e sabotoi në zgjedhjet lokale kandidatët për kryebashkiakë të LSI. Shoku Dajti thotë se kur zgjedhjet të mos kontrollohen nga partitë politike, vetëm atëhere do të bëhet dekriminalizimi i Parlamentit, ndaj nuk fajësohet sistemi elektoral. 

Zoti Dajti sipas jush mosrealizimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit në qershor dhe korrik është vetëm çështje e Tatimeve e Doganave, apo lidhet me politikën ekonomike të qeverisë?

-Kjo nuk është cështje thjesht administrative, por edhe nëse do të ishte e tillë, Kryeministri nuk mund ta përjashtojë veten nga përgjegjësia për njerëzit që ai ka caktuar të përballen me këtë detyrë delikate, njërëz për të cilët ai garantoi se do të kenë performancën maksimale. Këtu del qartazi dështimi i qeverisë Rama në fushën ekonomike. Rritja e taksave është e parakohshme, pasi në këto kushte gjithë barra e taksave të larta bie mbi konsumatorin, i cili e paguan këtë takes, duke paguar një çmim më të lartë për të njëjtin mall. Së pari, duhej bërë shtetëzimi i pasurive nëntokësore dhe vënia e tyre në shfrytëzim në favor të shqiptarëve. Por asnjë nga reformat e qeverisë Rama nuk e preku kapitalin e madh. Masat shtrënguese ranë në kurriz të shtresave më të varfra dhe tashmë kjo kosto po i kthehet mbrapsh qeverisë në formën e faturës për mosrealizimin e të ardhurave. 

– Sipas jush, cilat janë shkaqet e eksodit të shqiptarëve sot?

– Varfëria mbetet motivi kryesor që i shtyn shqiptarët të braktisin atdheun, rritja e çmimit të energjisë, e shoqëruar kjo me kërbaçin qeveritar që u rri përditë varur mbi kokë po se paguan atë. Por edhe për një motiv të tretë: Humbjen e besimit. Qeveria e Edi Ramës erdhi në pushtet me shpresën e Rilindjes dhe përfundoi në realitetin e Rrënimit. Tradhtia që haptazi iu bë programit të majtë shprehet më shumë se kurrë në braktisjen që ata i bënë shtresave më të varfra të popullsisë. Në këto dy vjet të Edi Ramës të pasurit u bënë shumë më të pasur dhe të varfrit u bënë shumë më të varfër.

-Zoti Dajti derisa është pranuar edhe nga SHBA që nëparlament ka deputetë me rekorde kriminale, a mundet ky parlament të bëjë dekriminalizimin?

– Ky parlament mund të bëjë kriminalizimin, por jo dekriminalizimin. Është njësoj sikur t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Praktikisht, kriminalizimi i politikës është një dukuri që sa vjen e thellohet dhe nuk mund të presim që vetë politika e kriminalizuar të bëjë dekriminalizimin e politikës. Janë ca gjëra që bëhen me revolucion dhe jo me bindje.

– Edhe nëse opozita jep konsensusin për reformën në drejtësi, a kemi garancinë politike që kjo reformë do ta bëjë drejtësinë tonë të japë drejtësi dhe korrupsioni më në fund do luftohet?

-Nuk ka gjyqtarë të korruptuar, por ka politikanë të korruptuar që korruptojnë gjyqtarët. E gjithë klasa politike është e tillë. Gabimi i madh që ne bëjmë është kur pretendojmë të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, i cili do të ndëshkojë politikanët e korruptuar. Është totalisht e gabuar. Politikanët e ndershëm mund të ndikojnë të ketë një gjyqësor të pakorruptuar dhe jo gjyqësori të pastrojë politikën. Shembullin e qartë e kemi nga periudha e Enver Hoxhës, kur askush nga gjyqtarët nuk guxonte të korruptohej, pasi vullneti politik e kishte shprehur qartë se çdo tentativë e tillë do të ndëshkohej. Kush do ta bëjë këtë reformë në drejtësi apo edhe në ekonomi, këta deputetë që kanë ardhur në atë sallë me vota të blera apo të vjedhura? Në dorën e kujt do ta lemë miratimin e ligjeve, të hajdutëve dhe kriminelëve? Çfarë ligjesh dhe çfarë reformash mund të presim prej tyre? 

– Koalicioni i maxhorancës duket se ka marrë krisje, pasi disa aleatë kanë shprehur haptazi pakënaqësi ndaj Ramës. Sipas jush, përse ndodh kjo?

– Realisht PS po punon kundër LSI. Nga informacionet që më kanë sjellë segmente të ish-Sigurimit të Shtetit, brenda PS po zhvillohet një politikë që duhet të çojë drejt destabilizimit të LSI-së nëpërmjet përçarjes, heqjes së elementëve në bazë dhe afrimit të tyre me PS dhe kjo politikë, sipas lidershipit socialist, duhet të çojë fillimisht drejt reduktimit të LSI-së si forcë politike dhe më pas përjashtimit nga koalicioni dhe asgjësimit të saj politik. Provat për këtë janë të qarta: Së pari, goditja e vazhdueshme e njerëzve të LSI-së që bashkëqeverisin në koalicion, ndërkohë që nuk është goditur asnjë nga ish-zyrtarët e lartë të PD, që kanë qeverisur deri dy vjet më parë si dhe humbja e disa kandidatëve të LSI-së në zgjedhjet vendore, megjithëse shumicën në këshillat bashkiake e kanë të majtët. 

– A ka ardhur koha të krijohet poli i tretë? Cilat forca mund të përfshihen?

– Poli i tretë nuk është çështje bashkimi partish, por bashkimi të njerëzve. Ata që e ndjejnë veten të distancuar nga ky moçal në tëcilin është zhytur politika shqiptare, që janë patriotë dhe duan mirëqenien e shqiptarëve, që janë të ndershëm dhe ende të pa kriminalizuar, duhet të bashkohen në një pol të tillë. Fronti i Majtë e bëri një tentativë të tillë, duke dalë i pavarur në zgjedhjet e fundit vendore, por ende nuk kemi arritur të jemi realisht një pol i tretë. 

– Pa ndryshuar sistemin elektoral aktual, a mund të bëhet dekriminalizimi i Parlamentit, kur pranohet që trafikantët u bënë deputetë nga listat e mbyllura të kryetarit të partisë?

– Është shumë dritëshkurtër vetë mënyra se si u ngrit çështja e dekriminalizimit të parlamentit. Prej 25 vitesh në Shqipëri procesi i kriminalizimit të administratës ka vijuar me përmasa galoponte, por ardhja e trafikantëve në parlament ishte pika që bëri të derdhej gota. Tashmë kjo nuk është më çështje e sistemit zgjedhor. Është e qartë se populli është totalisht i përjashtuar nga mundësia për të zgjedhur përfaqësuesit e tij të vërtetë në parlament. Kryetarët e partive emërojnë deputetët, organizojnë zgjedhjet dhe numërojnë votat. Është gjithë sistemi i gabuar dhe jo një segment i caktuar. Ka vetëm një zgjidhje dhe kjo nuk është një ndryshim i vogël në sistemin zgjedhor, por një ndryshim i madh që do të nxjerrë zbuluar gjithë klasën politike: Politika duhet të mbajë duart larg zgjedhjeve. Organizimi i zgjedhjeve dhe numërimi i votave duhet të bazohet mbi mekanizma jopartiakë.. Vetëm nëse eliminohet fenomeni i vjedhjes dhe bleries së votave dhe secila forcë politike të korrë atë që ka mbjellë, vetëm atëherë politika do të jete e dekriminalizuar dhe e pa korruptuar. 

– Faleminderit!
Sigal