Sigal

Marko Bello, ish-deputet i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” duke analizuar ngjarjet e fundit, thotë se të jepet përshtypja që në Shqipëri drejton dhe kontrollon situatën krimi i organizuar, ndërsa klima politike mbetet e acaruar për shkak të kunfliktualitetit shterpë. Zoti Bello thotë se klasa politike është e paaftë që të udhëheqë proceset integruese, ndërsa paketën “Antishpifje” të kryeministrit Rama e cilëson shashkë për të tërhequr vëmendjet nga skandalet.

Zoti Bello, ju si do ta vlerësonit klimën politike të ditëve të fundit? Po dëshirën e kryeministrit Rama për të miratuar një ligj “Antishpifje”?

– Klima e ditëve të fundit tregon se Shqipëria vijon të lëkundet si një anije të det të trazuar. Përveç klimës politike të tensionuar, vendi përballet me një gamë të gjerë problemesh, institucionet mbeten të dobëta, ndërsa qytetarët varfërohen dhe dëshpërohen përditë e më shumë. Është një tranzicion, që duket sikur nuk ka për të përfunduar ndonjëherë, ndonëse po mbushen 3 dekada që nga rënia e sistemit monopartiak dhe ekonomisë së centralizuar. Kur duket sikur gjërat qetësohen, shpërthejnë skandale pas skandalesh. Nëse mbjellja e drogës duket sikur është zbehur, nuk pushojnë së zbarkuari skafe të ngarkuara me kanabis në brigjet italiane, ndërkohë grupet kriminale të organizuara bëjnë ligjin më qytete të ndryshme, duke terrorizuar qytetarët. Më keq ndjehen sipërmarrësit, të cilët duhet të paguajnë tatimorët, por edhe gjobat që i imponon krimi. Në një situatë të tillë, kur është dashur të shkunden institucionet dhe qeveria të marrë situatën nën kontroll, kreu i saj e ka hallin tek makiazhi. I ashtuquajturi ligj anti-shpifje që ka hedhur në treg Kryeministri, në mos qoftë një shashkë për të zhvendosur vëmendjen nga skandali më i fundit, ku i biri i një deputeti të mazhorancës akuzohet se ka dhunuar një vajzë, të cilën policia ka refuzuar ta marrë në mbrojtje për disa muaj, mbetet sidoqoftë një propozim që të lë një shije të hidhur.

– Ç’do të thotë për demokracinë tonë, për reformën në drejtësi, deklarata e kryeministrit Rama ndaj nënkomisarit: “Është horr, do ta ndjekim këmbë pas këmbe”?

– “Zemërimi” i kryeministrit ndaj nënkomisarit, që bëri publik skandalin e Fushë Krujës do të ishte proporcional, nëse bëhej fjalë për një krim nga ata që lënë pas viktima dhe, shkaktari i arratisur duhet të ndiqet dhe ndalohet para se të kërcënojë jetë të tjera të pafajshme. Por nuk është ky rasti i Emiljano Nuhut. Ai të kujton një tjetër rast, atë të oficerit Zagani, i cili u godit, përndoq dhe arrestua pas akuzave të rënda nga përfaqësuesit e qeverisë, përfshi edhe vetë kryeministrin Rama. Koha tregoi se ai kishte pasur të drejtë në shumë nga pretendimet e tij, prandaj të habit sesi zoti Rama bën sërish gabim. Nuk është gjuha që duhet të përdorë shefi i ekzekutivit dhe nervozizmi i tij është pak të thuash i çuditshëm. Me të drejtë shumë njerëz kanë pyetur se në cilën anë është kryeministri, të viktimës apo dhunuesit.

– Kemi përpara qershorin e 2019-s, kur BE-ja do të rishqyrtojë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në BE, ndërkohë, që kemi 1 vit që nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, dmth Shqipëria nuk ka rend kushtetues. Ju si e shpjegoni këtë handikap integrimi, por edhe heshtjen e ndërkombëtarëve?

– Nëse vitin që vjen negociatat do të shtyhen sërish, do të asistojmë në reagimin e opozitës, duke vënë gishtin e fajit tek qeveria, ndërsa kjo e fundit do të akuzojë me siguri Brukselin, apo disa prej vendeve anëtare se nuk e duan anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa shumica e qytetarëve të Shqipërisë e kanë të qartë se fajtorë janë vetë politikanët shqiptarë. E them këtë, nisur nga fakti se klasa jonë politike nuk është e aftë të gjejë forca për të mbështetur proceset integruese dhe të demonstrojë seriozitet përballë aktorëve dhe faktorëve në Bruksel. Thënë këtë, nuk dua të justifikoj asgjë nga gjithçka e shëmtuar që ka ngjarë pas Samitit të BE në qershor dhe që tregon sesa të pa përgjegjshme jemi, kur duhet të realizojmë pa vonesë reformat e domosdoshme për plotësimin edhe të kushteve që Evropa na ka vendosur. Lufta kundër krimit të organizuar mbetet një nga problemet madhore që duhet zgjidhur sa nuk është vonë dhe që ka shqetësuar edhe partnerët tanë perëndimorë. Fatkeqësisht, kryeministri shprehet se Shqipëria nuk ka problem me krimin, por thjesht me disa rrugaçë dhe të fortë të periferive. Ndërkohë, raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe agjencive të specializuara të vendeve mike tregojnë se Shqipëria ka problem serioze me krimin, trafiqet e paligjshme, drogat e forta, dhe se institucionet vijojnë të mbeten të dobëta dhe të pafuqishme. Gjendja është e rëndë dhe shpesh të krijohet përshtypja se vendin e kontrollon dhe drejton krimi i organizuar.

– A mund ta pranojë, a mundet që kjo klasë politike të bëjë vetting në Politikë?

– Vettingu në politikë është i domosdoshëm, por ai nuk mund të bëhet nga politika. Mendoj se detyra e politikës është të mbështesë sa më parë ngritjen e SPAK dhe Byrosë së Hetimit, që do të hetojë politikanët në nivel qendror, apo lokal dhe jo të kërkojë të kontrollojë vetveten. Shikoni se ç’ndodh me zgjedhjet, të cilat organizohen nga politika, e cila është edhe arbitër edhe pjesëmarrëse dhe rezultati është katastrofik.

Jeni optimist për procesin e demokratizimit dhe të integrimit të Shqipërisë?

-Nuk jam edhe aq optimist, sesa mund të kem qenë disa vite më parë, por mbetem gjithsesi shpresëplotë se një ditë vendi ynë do të anëtarësohet në BE. E meritojnë qytetarët në radhë të parë. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimi në BE mbetet alternative e vetme. Përndryshe, e ardhmja jonë do të rrezikohet. Prandaj për plotësimin e kësaj aspirate duhet të kontribuojnë të gjithë sipas mundësive. Në një takim që Fondacioni Fridrich Elbert do të organizojë në Bukuresht në fund të muajit tetor me disa OJF nga rajoni dhe ku do të jem i pranishëm edhe unë, do të përpiqemi të sensibilizojmë Rumaninë, e cila do të ketë presidencën e BE në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm, që të ketë në agjendën e saj evropiane edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

– A kanë motiv shqiptarët, që të dëshirojnë të rrinë, të punojnë më në Shqipëri? A është emigrimi, shpresa e një të ardhme më të mirë?

– Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Mendoj se njerëzit do të donin të mbeteshin këtu dhe se Shqipëria ka nevojë për kontributin e gjithsecilit për të progresuar. Por, realiteti është se përditë e më shumë njerëzve po u tretet shpresa se vendi mund të bëhet dhe të dëshpëruar po kërkojnë alternativa të tjera. Kështu shpjegohet se mbi 400 mijë vetë kanë braktisur vendin 5 vitet e fundit, ndërsa ironikisht aplikimi për lotarinë amerikane po konsiderohet si ditë festë. Si ka mundësi, që pas gati 30 vitesh, njerëzit po kërkojnë të largohen dhe të gjejnë qetësi në vende të tjera, ku sigurisht nuk i presin me krahë hapur? Ky është treguesi më i qartë i dështimit të klasës politike, e cila me gërr-vërret e cic-micet e ditës i ka lodhur qytetarët dhe i ka dekurajuar për perspektivën e vendit. Të zhgënjyer nga cinizmi i qeverisë, arroganca, korrupsioni, padrejtësia dhe promovimi që ajo i bën antivlerave, shqiptarët nuk po shikojnë ndonjë ndryshim thelbësor tek opozita, e cila duket se nuk është në gjendje të ndërtojë një alternativë bindëse dhe fituese.