Manjani: LSI i thotë “PO” dekriminalizimit të Parlamentit

243
Nënkryetari i LSI në një intervistë për gazetën “Telegraf” hedh poshtë pretendimet e disa kordinatorëve të PS se LSI ka punësuar në administratë militantët e saj, ndërsa pohon se LSI është “po” dekriminalizimit të Parlamentit, por kjo nuk bëhet me ligj, nëse nëse partitë nuk duan apo kanë vullnete të mbrapshta për të ndërtuar skena apo anti-skena.

Z. Manjani kanë dalë në dritë disa e-mail-e që janë drejtuar nga koordinatorët e PS-së nëpër qarqe dhe rrethe për të verifikuar të gjithë të punësuarit. Cila parti i ka punësuar në administratë…

Mbase duhet ta bëni këtë pyetje te Partia Socialiste. Të punësuarit në administratë punësohen në bazë të ligjit për shërbimin civil, ky është ligji i vetëm, dokumenti mbi bazën e të cilit punësohet administrata. Sigurisht ka edhe punësim të përkohshme me kontratën e punës prapë me një ligj tjetër dhe nuk janë partitë që punësojnë njerëzit. 

Mos vallë këto e-maili shprehin një xhelozi brenda koalicionit dhe pyetja e dytë, për dekriminalzimin, LSI-ja çfarë qëndrimi ka?

Pak a shumë pyetjes së parë i dhashë një përgjigje, është diçka që nuk ekziston tek ne. Ajo që doni të doni të dini ju, bëni mirë që të pyesni ato që i kanë bërë këto e-maile, kush është qëllimi. Unë nuk e di të ketë një e-mail të kësaj natyre, por sidoqoftë edhe sikur të ketë, nuk kemi gjë për të thënë. E dyta, për çështjen e dekriminalizimit, qëndrimi ynë ka qenë dhe do të mbetet i tillë konstant dhe krejtësisht i padiskutueshëm, që “po”, duhet bërë ajo që quhet dekriminalizim i Parlamentit. Duhet bërë sipas një kornize ligjore dhe jo dekriminalizim politik, sepse deri më sot kemi dëgjuar vetëm dekriminalizim politik, asgjë ligjore, asgjë të ligjshme. Dhe kjo çon në konkluzionin e tretë, që Parlamenti nëpërmjet komisionit të posaçëm që është ngritur për këtë punë, duke u ushqyer me vullnetin politik të gjithë partive parlamentare duhet një orë e më parë të hartojë një legjislacion të bazuar mbi parimet themelore kushtetuese dhe jo vetëm e të konsultuar sigurisht me partnerët ndërkombëtarë, pa të cilët ne nuk mund ta bëjmë dot këtë proces. E theksoj, çdo gjë duhet të jetë ligjore, pjesa tjetër janë komente politike. Nuk mendoj se çështjet e dekriminalizimit do të zgjidhen në rrugë ligjore, nëse partitë nuk duan apo kanë vullnete të mbrapshta për të ndërtuar skena apo anti-skena, kjo është një histori që nuk e zgjidhim dot sado të mirë ta kemi ligjin. Unë jam këtu për t’ju thënë që në emër të LSI-së garantojmë që “po”, jemi në mbështetje të këtij procesi. Së dyti, e gjithë vendimmarrja politike e LSI-së, siç ka qenë deri më sot e hapur do të vazhdojë të jetë e hapur, transparente dhe e konsultuar me njerëzit.