Lulzim Basha/ Projekti i shërben sigurisë në shkolla dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies

799
Sigal

14 Shkolla të Mesme të Përgjithshme të Tiranës do të kenë një sistem të monitorimit me kamera për të rritur sigurinë në shkolla.  “Ky projekt ka nisur sot me shkollën “Myslym Keta” në njësinë bashkiake nr. 6 dhe do të shtrihet në dy javët e ardhshme edhe në gjimnazet “Arben Broci”, “Aleks Buda”, “Andon Zako Çajupi”, “Besnik Sykja”, “Eqerem Çabej”, “Ismail Qemali”, “Partizani”, “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Sandër Prosi”, “Kostandin Kristoforidhi” e  “Abdulla Keta”. Sot inaugurojmë fillimin e punimeve për instalimin e sistemit të vëzhgimit pamor në të 14 gjimnazet e qytetit të Tiranës. Ky projekt është vazhdimi i një iniciative që unë kam patur rastin ta përurojë në një detyrë tjetër publike, (si ministër i Brendshëm) dhe sot si Kryetar i Bashkisë kam kënaqësinë të shoh së afërmi përmbushjen e një premtimi i cili është mirëpritur si nga trupa pedagogjike edhe nga gjimnazistët e këtij gjimnazi dhe jam i sigurt edhe nga prindërit. Projekti konsiston në vëzhgimin pamor 24 orë të të gjithë ambienteve të jashtme të gjithë perimetrit të shkollës, ruajtjen e këtyre imazheve deri në 30 ditë, dhe së shpejti uroj në një bashkëpunim të frytshëm me strukturat e Policisë së Shtetit të Qarkut të Tiranës, transmetimin live të këtyre imazheve në dhomën operative që ekziston prej vitesh në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës. Ky është një hap i cili i shërben rritjes së sigurisë në shkollat tona dhe në ambientet përreth tyre. Ambiente në të cilat shpesh herë janë hasur probleme në raport me çështje nga ato ordinere deri tek disa çështje shqetësuese. Pra është një hap i rëndësishëm në monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë dhe padyshim një kontribut i mirë që i jepet përmirësimit të rendit në tërësi në qytetin e Tiranës. Për Bashkinë e Tiranës ky është një objektiv tjetër i përmbushur, një tjetër premtim i mbajtur dhe një hap drejtë realizimit dhe shtrirjes së projektit në çdo institucion shkollor anembanë qytetit të Tiranës. E fillojmë sot pra në këtë gjimnaz, e përfundojmë brenda dy javëve në të gjitha gjimnazet e Tiranës dhe pas kësaj fillon faza e dytë, shtrirja e këtij sistemi të vëzhgimit pamor për shkollat 9-vjeçare dhe më pas për kopshtet e qytetit të Tiranës. Drejtuesit  e gjimnazeve do të kenë një mundësi më shumë përmes kësaj teknologjie për të siguruar mbarëvajtjen e sigurisë dhe të aktivitetit mësimorë në shkolla. Policia ka një vegël më shumë për të monitoruar dhe jam i sigurt që kjo është një masë që do të çojë jo vetëm në përmirësimin e sigurisë, por edhe në shmangien dhe parandalimin e çdo tentative për të prishur rendin dhe qetësinë pranë shkollave tona, duke i shërbyer akoma më shumë cilësisë së mësimdhënies, sigurisë së ambientit, sigurisë së fëmijëve tanë dhe natyrisht sigurisë mendore të prindërve të tyre”, – u shpreh Basha. Për secilën shkollë do të vendosen mesatarisht tre kamera me qëllim parandalimin e akteve kriminale duke ndërhyrë në rast nevoje në zgjidhjen e tyre. Këto kamera do të mundësojnë pasqyrimin e imazheve me një cilësi mjaft të lartë gjatë 24 orëve. Pamjet e regjistruara do të etiketohen me numrin e kamerës përkatëse, me orën, datën dhe do të jenë lehtësisht të gjetshme në arkiv. Vendosja e kamerave të sigurisë ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të qeverisë së nxënësve të kësaj shkolle.