Lulzim Basha: “Mbajtëm premtimin që u dhamë qytetarëve”

488
Sigal

Kryetari i PD-së pret ambasadorin grek, vlerësohet roli i qeverisë “Berisha” në suksesin e TAP-it

Ora 18:00 e ditës së djeshme ka shënuar edhe bllokimin e qarkullimit në bulevardin “Zogu i Parë” në kuadër të punës për zhvendosjen e shtyllave të linjës së tensionit të lartë nga ky bulevard, punime vazhduan deri në orën 05:00 të ditës së sotme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha,i pranishëm në startin e punës, tha se, ky është një premtim i mbajtur për banorët e kryeqytetit. “Shtyllat e tensionit të lartë ishin një shqetësim i madh për banorët, por edhe estetik. Sot jemi të gjithë dëshmitarë për çmontimin. Kështu largojmë një kujtim për më shumë se një dekade, as estetik dhe as të shëndetshëm për qytetarët”,- theksoi Kryebashkiaku. Ndërkaq transporti publik, linja Uzina Dinamo – Sharrë dhe e Tufinës do të zhvendosen në rrugën e “Barrikadave”. Linja e tensionit të lartë u zhvendos pas 15 vitesh nga bulevardi “Zogu i Parë”. Zhvendosja e kësaj linje, një shqetësim i madh i banorëve të kësaj zone ishte një premtim i Kryebashkiakut Basha, bërë gjatë fushatës elektorale në vitin 2011. Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës mori një ekip të specializuar zviceran, si dhe bashkëpunoi me OST-në. Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit.

Ambasadori grek vlerëson qeverinë e PD-së për rolin e TAP-it

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha priti dje në një takim, ambasadorin e Greqisë, z.Leonidas Rokanas. Në takimin e mbajtur në selinë e Partisë Demokratike, u shkëmbyen pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe, rajonin dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ambasadori i Greqisë, Rokanas, vlerësoi dhe falënderoi Partinë Demokratike për rolin që qeveria e saj luajti në suksesin e projektit më të rëndësishëm ekonomik të rajonit, atë të Gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP. Ai vlerësoi në veçanti punën dhe lobimin e Kryeministrit Berisha për suksesin e këtij projekti, që do të shndërrojë në mënyrë rrënjësore ekonomitë e vendeve tona. Në takim u diskutua gjithashtu mbi rolin e Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj në konsolidimin dhe avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin edhe në të ardhmen në kuadër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Z. Basha shprehu bindjen se, Bashkimi Europian do të miratojë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë brenda vitit si rezultat i punës dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme të qeverisjes së PD-së. Ai e siguroi ambasadorin Rokanas se, PD-ja do të vazhdojë luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në procesin e integrimit Europian të Shqipërisë dhe kërkoi mbështetjen e plotë të shtetit fqinj në këtë proces.

 Kryetari i PD-së, uron fitoren e Merkel: “Fitorja, vlerësim për reformat që kanë fuqizuar ekonominë”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila në zgjedhjet e përgjithshme arriti një fitore spektakolare. “Rezultati i arritur në këto zgjedhje- thekson zoti Basha – tregon konfirmimin më të fortë që populli gjerman i jep lidershipit vizionar dhe reformator të Kancelares Merkel që e ka fuqizuar më tej ekonominë gjermane dhe ka përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj. Zoti Basha në mesazhin e tij e konsideron fitoren e zonjës Merkel një mesazh të domethënës dhe nxitës se platforma politike e qendrës së djathtë mbetet oferta më e besueshme për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien në Europë”. Në mesazhin e tij kryetari i PD-së shpreh mirënjohje për ndihmën që Gjermania dhe qeveria gjermane i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Zoti Basha vlerëson ndihmën e Kancelares Merkel dhe atë të CDU-së ndaj PD-së, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy partive. Kryetari i PD-së shpreh angazhimin për ta zgjeruar dhe konsoliduar bashkëpunimin si në rrafshin dypalësh ashtu edhe në kuadrin e Partisë Popullore Europiane. Basha ka shprehur dëshirën e tij dhe të çdo qytetari shqiptar për ta mikpritur Kancelaren Merkel në Tiranë si një mike të madhe e popullit shqiptar.