Lulzim Basha kthehet brenda orësh nga Vjena, çfarë paralajmëron për sot pasdite

492
Sigal

Situata politike e paprecedentë në Shqipëri, me opozitën jashtë parlamentit dhe me mandate të dorëzuara, ka detyruar kreun e PD të qëndrojë vetëm disa orë në Vjenë.

Pas takimeve me drejtuesit e disa institucioneve ndërkombëtare, me disa senatorë dhe anëtarë të Kongresit amerikan, me përfaqësues të grupit të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të OSBE, Lulzim Basha ka marrë rrugën e kthimit për në Tiranë.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se në orën 18.00 Kreu i opozitës ka thirrur mbledhjen e kryesisë së PD me një pikë në rendin e ditës: hapat që do të ndërmarrë forca më e madhe e opozitës për vazhdimin e protestës.

Dje, pas protestës para parlamentit, deputetët e opozitës dorëzuan zyrtarisht dorëheqjen nga mandati, me qëllim krijimin e një krize institucionale që do të detyrojë kryeministrin Rama të japë dorëheqjen dhe pranimin e krijimit të një qeverie tranzitore.

Vetë Rama në një konferencë për mediat mbrëmjen e djeshme u shpreh se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në 2021, pasi ai ka marrë mbështetjen e plotë të qytetarëve.