Luçiano Boçi: Nuk bëjmë bojkot, do protestojmë në Kuvend dhe në komisionet parlamentare

439
Luçiano Boçi, deputeti i PD-së, në intervistën për “Telegraf”, shpjegon përse PD-ja hoqi dorë nga mocioni dhe tani kërkon dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. Gjithashtu, zoti Boçi pohon që PD-ja nuk bën bojkot, por protestën do ta bëjë brenda në Kuvend dhe në komisionet parlamentare. Ndërsa për deklaratën e ambasadës së SHBA-së për çështjen “Doshi”, zoti Boçi shprehet se “deklarata e Ambasadës së SHBA më shumë ishte një paralajmërim tepër fin për atë çka Rama duhet të bëjë post “Doshit”, brenda qeverisë dhe partisë së tij. Ai duhet ta lexojë me shumë vëmendje mesazhin e ambasadës së SHBA.”.
Zoti Boçi, a duhet që politika të ndjejë përgjegjësi që edhe ambasadorët braktisën, së fundmi, seancën plenare, ngaqë u zhgënjyen nga sjellja politike e deputetëve?
– Nuk gjykoj se sjellja e deputetëve të PD ishte e tillë që të shkaktonte zhgënjim tek ambasadorët. E para, sepse ajo që ne kërkuam ishte tërësisht brenda ligjit dhe moralit. E kam fjalën këtu për dorëheqjen e kërkuar ndaj Kryetarit të Parlamentit. E dyta, sepse gjesti ynë ishte simbolik dhe jo i orientuar drejt konfliktualitetit dhe përplasjeve të natyrave që kanë ndodhur më parë në atë sallë dhe ku autorë kanë qenë pikërisht anëtarët e maxhorancës aktuale. 
Mesazhi i SHBA-së, për çështjen “Doshi”, si edhe anulimi i takimit të deputetëve tanë me kolegët amerikanë, çfarë do të thotë për politikën tonë?
– Mesazhi i Ambasadës së SHBA si dhe anulimi i takimit të grupit të miqësisë ishte një konfirmim i shqetësimeve tashmë të njohura tonat të lidhura me shkallën e lartë të inkriminimit të kësaj maxhorance dhe të domosdoshmërisë së kryerjes sa më shpejtë të procesit të dekriminalizimit të Kuvendit dhe administratës shtetërore. Përtej jehonave profane për marrje në mbrojtje të Ramës kundrejt Doshit, deklarata më shumë ishte një paralajmërim tepër fin për atë çka Rama duhet të bëjë post “Doshit”, brenda qeverisë dhe partisë së tij. Ai duhet ta lexojë me shumë vëmendje mesazhin e ambasadës së SHBA.
Përse opozita nuk pret që të flasë më parë drejtësia, e pastaj të bëjë kërkesa politike, ndaj kujtdo qoftë? 
– Në shërbim të demokracisë funksionale ne kërkojmë që procesi hetimor dhe gjykimi i çështjes të jenë të pandikuar nga postet që mbajnë të akuzuarit kryesorë, si urdhërues dhe si heshtës së ngjarjes së rëndë kriminale. Në këtë rast, dorëheqja do të ishte gjesti më dinjitar i një shtetari të drejtë dhe që ka besim tek drejtësia e shtetit të tij, e cila nuk duhet të jetë e intimiduar nga pushteti i pozitës së tij. Kërkesa për dorëheqje nuk është politike. Është etike dhe morale.
Përse PD-ja nuk pranon të fillojë procedurën në Kuvend derisa depozitoi edhe mocionin, për shkarkimin e kryeparlamentarit?
– Procedura në kushtet e urdhrit politik, me rezultat të komanduar dhe me komandim nga ai që akuzohet, nuk ka vlerë morale dhe as ligjore.
Përse ju paragjykoni rezultatin e mocionit? Atëherë përse e çuat në Parlament?
– Mocioni është një procedurë standarde, që lidhet me domosdoshmërinë për të shprehur zyrtarisht mungesën e besimit të opozitës, për shkak të ngjarjeve kriminale të lidhura me emrin konkret të Kryetarit të parlamentit. Parashikimi i asaj që mund të ndodhë me votat në parlament, i përket implikimit në këtë skenar makabër të Kryeministrit, i cili i vënë në dijeni për “porosinë”, nuk ka lëvizur vendit, për të vënë në veprim mekanizmin qeveritar të detyrueshëm në raste të tilla. Ajo se çfarë fshihet në këtë rast, ngjall shumë opsione dhe hamendësime të papërjashtueshme, të cilat koha dhe hetimi do t’i tregojnë. Akti i mocionit e mban vlerën e tij morale e politike, në faktin e të qenit i kërkuar nga ne dhe jo në votimin e parapërgatitur nga të akuzuarit.
Bojkotuat 6 muaj parlamentin. Edhe tani bojkotoni. Mos vallë e tejkaloni të drejtën politike, duke e kthyer bojkotin në qëllim në vetvete?
– Nuk ka vend aspak, për të thënë që po bëjmë bojkot. Ne jemi brenda në Parlament. Ne po protestojmë në parlament, përfshirë komisionet. Ai që po mundohet të bojkotojë në zgjatje kohore normalitetin e seancave duket qartë që është kryetari i parlamentit dhe jo opozita. Ne kërkojmë dorëheqjen e tij duke e detyruar ta ndërmarrë atë, meqenëse me vullnet të lirë nuk mendon se duhet ta bëjë. Kemi bërë bojkot, pikërisht për shkak të kësaj që doli açik me akuzat e Doshit, për simbiozën midis politikës e krimit në kokën drejtuese të shtetit, për inkriminimin e deputetëve të maxhorancës dhe për parimet themelore të funksionimit të demokracisë. Me këtë bojkot, ndonëse jo mënyra me e pranueshme politike, por e vetmja me këtë lloj maxhorance, arritëm t’i japim kauzës së dekriminalizimit autoritet dhe përkrahje ndërkombëtare dhe njëkohësisht arritëm t’i paraprijmë ngjarjeve të tilla të pa ndodhura dhe të pamenduara ndonjëherë.
Por, politikbërja bëhet në Parlament dhe jo me instrumente ekstreme…..
– Sigurisht. Këtu besoj se e keni fjalën për dhunën fizike të përfaqësuesve të së majtës në parlament, të ushtruar ndaj fjalës së lirë dhe të vërtetave tashmë të provuara, pasi bllokimi i foltores është një gjest simbolik i gjithëpranuar dhe aplikuar shpesh nga kjo maxhorancë në kohën e të qenurit të saj në opozitë. N.q.s formë ekstreme klasifikoni protestën qytetare, nuk mund të jem kurrsesi dakord. Një opozitë serioze normal duhet të jetë zëri i qytetarit dhe vendi i saj është atje ku e kërkon shpirti i tij. Pastaj protestat tona qytetare kanë qenë e do të jenë të tilla dhe në thelb, pra thellësisht qytetare, pa dhunë dhe pa goditur institucionet.
PD-ja, nëpërmjet Berishës, por edhe kryetarit Basha, hedh dyshimin se prokuroria nuk mund të bëjë hetim transparent. A nuk ka përgjegjësi politike PD-ja, që drejtësia është e pamundur të bëjë hetime të pavarura, meqë ka qenë 8 vjet në pushtet, meqë edhe drejtuesit e institucioneve si Prokurori i Përgjithshëm, Gjykatat, KLD-në i ka emëruar po ajo?
– Hetimi ndërkombëtar i çështjes realisht është kërkuar nga vetë akuzuesi Doshi. Vetë Berisha me vajtjen e tij në prokurori e ka dhënë mesazhin e respektimit të punës së prokurorisë. Në lidhje me përgjegjësinë politike konfirmoj të vërtetën se çdo zgjedhje në institucionet e përmendura, përgjatë mandatit qeverisës së PD-së, është bërë në çdo rast në respektim të ligjit e kushtetutës dhe afateve e statuseve e kompetencave të përcaktuara në to. Ndërhyrjet brutale në këto institucione dhe mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjit, në emër gjoja të reformave, ndodh sot dhe vazhdon të jetë linja e pakthyeshme e këtij pushteti aktual uzurpues.
Faleminderit!
Sigal