LSI letër Qeverisë, tri vërejtje për bujqësinë: Po dëmtohet cilësia e prodhimeve

434
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon marrjen e disa masave nga ana e Qeverisë për të lehtësuar fermerët përpara se të mbërrijë piku i prodhimit bujqësor. Letra mban firmën e kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe u drejtohet kryeministrit Rama, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti dhe ministrit të Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.
Në të, Vasili ngre shqetësimin e vakuumit ligjor që parasheh pagesat në dorë për produktet bujqësore në tregje, një handikap, sipas tij, që duhet të korrigjohet me urgjencë. “Pjesa më e madhe e fermerëve nuk zotërojnë llogari bankare dhe janë larg këtyre shërbimeve, duke e parë veten padrejtësisht të përjashtuar nga e drejt ae shitjes së prodhimeve”, thotë Vasili.
Duke sjellë si shembull vendet e rajonit, Vasili propozon që të ndërhyhet me akt normativ të Qeverisë për të lejuar kryerjen e shit-blerjeve me para në dorë deri në 100 mijë lekë për fermerët në pikat e grumbullimit dhe agro-përpunimit. “Kërkohet zgjidhje urgjente sepse po afrohet piku i prodhimit dhe pengesat në shitje çojnë në dëmtime të prodhimeve në serra dhe arë dhe humbje të mëdha për fermerët”, shprehet kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
Shqetësimi i dytë i ngritur nga LSI është ai që lidhet me sigurimet. Vasili kërkon që të mos vendoset rregulli i pagesës së sigurimeve shoqërore për të gjithë vitin për fermerët në mënyrë që të përfitojnë nga skemat subvencionuese. “Ju propozojmë që të mos ndryshojë kriteri i deritanishëm i detyrimit të pagesës së sigurimeve vetëm për muajin kur ndodh aplikimi”, thuhet në letër.
Së fundmi, Vasili ngre një problematikë që lidhet me doganat.  “I mbyllin shërbimet doganore në orën 20:00, ndërkohë që kamionët me prodhime bujqësore lëvizin përtej këtij orari. Vonesat dëmtojnë cilësinë e prodhimit dhe thyejnë kontratat e dorëzimit në kohë në destinacion. Kjo po penalizon prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë”, shkruan Vasili.
Sigal