LSI kërkon çrregjistrimin e 600 votuesve fiktivë nga Vora

421
Sigal

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi çregjistrimin nga listat zgjedhore të mbi 600 personave të trafikuar, për të votuar në bashkinë Vorë.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Dritan Fejzo shprehu shqetësimin se në listat e votuesve në këtë bashki figurojnë të regjistruar mbi 600 persona, me qëllim trafikimin dhe manipulimin e votës më 21 qershor.
“Të paktën 600 votues janë trafikuar nga njerëz të afërt të kryetarit të kësaj bashkie, ndaj ne kërkojmë çregjistrimin e tyre. Ky është një fenomen i përsëritur që po kthehet në precedent, ndaj i kërkojmë KQZ-së ta ndalë këtë fenomen, të ndalë trafikimin e votave dhe manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve”, tha ai.
Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi në përgjigjen e saj tha se nuk ishte njohur me kërkesën në fjalë, ndërsa i sugjeroi përfaqësuesit ligjor të LSI-së që ankesën t’ia përcjellë gjykatës dhe ajo të shprehet për çështjen.
Ndaj kësaj kërkese reagoi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, i pranishëm në mbledhjen e sotme të KQZ.
Doracaj tha se për këtë ankesë DPGJC ka dërguar në Vorë një grup specialistësh për të verifikuar shkeljet e pretenduara dhe nëse ato konstatohen do të merren masat përkatëse, madje po qe e nevojshme, duke iu drejtuar dhe organeve të tjera.
Doracaj tha se është në pritje të raportit për këtë çështje, të cilin do ia përcjellë dhe institucionit zgjedhor.