Loja e mazhorancës me  Marrëveshjen e 5 qershorit

309
Sigal

“Rilindja” dhe deputetët listarë të  “opozitës së besës”, pas votimit të Marrëveshjes së 5 qershorit, i bëjnë sfidë të hapur SHBA-ve, BE-së dhe Budenstag-ut gjerman, duke deklaruar se “më 30 korrik do të zhbëjmë paktin e dakordësuar në rezidencën amerikane”. DASH dhe Komisioni Europian paralajmëron Ramën: Harrojeni 30 korrikun, të mos cënohet fryma dhe rezultati i Marrëveshjes, ndryshe do të mbeteni të izoluar dhe jashtë BE-së.

 

Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dakordësuara në Marrëveshjen e 5 qershorit. Marrëveshja mes PS-PD-LSI-së dhe opozitë parlamentare u miratua me 97 vota pro, 6 kundër, 4 abstenim, ndërsa 4 deputetë nuk morën pjesë në votim. Marrëveshja për Reformën Zgjedhore u arrit mes palëve pas investimit direkt të SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe dhe OSBE-së. Kryeministri Edi Rama, edhe pse nuk ka mbështetjen e opozitës dhe SHBA-BE, njoftoi dje, se më 30 korrik do të miratohen edhe ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave. Kreu i qeverisë pranoi se do të ketë edhe ndryshim të formulës për koalicionet, pikë e panegociueshme nga opozita politike. Rama tha se  “Se i hapim apo jo listat, këtë e vendosim ne”,  – duke nënkuptuar se për këtë temë nuk do pyeten as opozita dhe as ndërkombëtarët.

Ja çfarë parashikon Marrëveshja e 5 qershorit, e votuar nga Parlamenti

Identifikimi Elektronik: Partitë angazhohen të mbështesin zbatimin e identifikimit elektronik, që përfshin 100 për qind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, në masën që është teknikisht i zbatueshëm.

KQZ: Struktura e KQZ-së përfshin rregullatorët (pesë anëtarë); apelimin (pesë anëtarë); një drejtues ekzekutiv dhe zëvendëszyrtar ekzekutiv. Komisioneri shtetëror do të zgjidhet përmes konsultimit.

Ekipet e numërimit: Dy zyrtarë jopolitikë, njëri prej të cilëve numëron, ndërsa tjetri ndihmon, duke ndërruar rolet me secilën kuti votimi. Anëtarët e mbetur do të jenë ose dy monitorues nga secila palë, nga qeveria dhe opozita; ose tre vëzhgues nga secila palë, prej qeverisë dhe opozitës.

Qendra e Votimit: Dy anëtarë të komisionit, të drejtat dhe përgjegjësitë e të cilëve janë të kufizuara në të drejtat e vëzhgimit dhe të kontestimit (titulli i saktë që do të përcaktohet) nga secila prej shumicës dhe pakicës dhe tre të emëruar përmes lotarisë nga KQZ-ja, nga të cilët vetëm një do të veprojë si anëtar dhe do të marrë vendime. Dy të tjerët do të shërbejnë si asistentë, pa të drejtë vote.

KZAZ: Do të jetë me të njëjtën strukturë me Qendrën e Votimit. Procesi i ankesave: Procesi i apelit të Kolegjit Zgjedhor mbetet i pandryshuar. (d.m.th., ankesat dëgjimore nuk do të fillojnë në Gjykatën Kushtetuese.) Depolitizimi: Nuk do të bëhen ndryshime në administratën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. (parlamentare dhe lokale).

 

Rama, si Enveri  sfidon SHBA-BE: Për hapjen e listave vendosim vetë

PS-ja nuk detyrohet nga askush, veç njerëzve që përfaqëson. Dëgjova që Këshillin Politik e paska krijuar një aleancë globale SHBA-BE-OSBE, nuk është e vërtetë. E ka krijuar vullneti ynë, i PS-së, që është shumicë. PD-ja që kërkon të qeverisë ende nuk di të flasë shqip. Kjo ka qenë një gjë që i kam kërkuar Bashës në 2017, jo më anglisht, është turp i botës, nuk na respektojnë miqtë dhe partnerët, nëse u japim bujarisht detyra që janë tonat. Ne nuk jemi shërbëtorë të askujt, jemi të ndërgjegjshëm se nuk jemi as SHBA, BE, as superfuqi bërthamore, por një vend i vogël, falë edhe miqve dhe partnerëve tanë. Por vjen puna do të hapim apo jo listat, këtë e vendosim ne, se pastaj do të ishte fundi. Këtë e vendosim ne. Dhe nuk kemi asnjë problem që ta diskutojmë dhe t’ua themi, sikur ua kemi thënë dhe besoj do të vazhdojmë ta themi kur të jetë e nevojshme, por nuk besoj se do të jetë e nevojshme për një kohë të gjatë. Ky kuvend do të hapë listat në 30 korrik, kjo është marrëveshja.

Opozita e bashkuar: Jemi gati të vijojmë dialogun por pa cënuar rezultatet e “Zgjedhores”

Miratimi i sotëm ( i djeshëm) i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në. Ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët i të gjitha partive politike në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për garantimin e një klime normale politike para zgjedhjeve. Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

Reagimet pas votimit nga Parlamenti të Marrëveshjes së 5 qershorit

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi:  Mos tjetërsoni Marrëveshjen e 5 qershorit

“Mirëpresim miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, sot (dje), në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me marrëveshjen që palët arritën më 5 qershor dhe mbështetur në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Si me çdo reformë tjetër, zbatimi është kyç. Ne mbetemi të gatshëm t’i ndihmojmë autoritetet shqiptare në këtë rrugë, si edhe për zhvillimin e hapave të tjerë të reformës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të vijojnë dialogun për reforma të mëtejshme,” -shkruan Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Ambasadori  gjerman: Vazhdoni dialogun, reformat duan përgatitje të thelluar

“Unë e përshëndes këtë hap të rëndësishëm në rrugën drejt Konferencës së Parë Qeveritare në kuadrin e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Në pikën e reformës zgjedhore të vendimit të tij të shtatorit 2019, Bundestag-u Gjerman fliste për një dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike.” Vendimi i Bundestag-ut është njohur nga të gjitha institucionet politike shqiptare në vend si një “Roadmap” për kalendarin shqiptar të reformave. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që në zbatim të marrëveshjes, por edhe në ndërmarrjen e të gjitha hapave të tjera, të vijojnë më tej me dialogun dhe gjithëpërfshirjen. Reformat e thella në Kodin Zgjedhor sipas standardeve të OSBE-së dhe Komisionit të Venecias kanë nevojë për një përgatitje të thelluar të realizuar brenda një kohe të mjaftueshme dhe mund të kenë efekt prapaveprues mbi marrëveshjen e implementuar ligjërisht tanimë.”

 

Ambasadori britanik: Çdo diskutim tjetër duhet të jetë gjithëpërfshirës

“Urime Parlamentit për miratimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pas një periudhe të gjatë pune gjithëpërfshirëse, forcimin e procesit zgjedhor dhe perspektivat e integrimit. Çdo diskutim i mëtutjeshëm i reformave, duhet të jetë vërtet përfshirës me pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve.”

 

Pak orë më vonë/ Përmbysja e Marrëveshjes së miratuar në Kuvend

Pas votimit nga Kuvendi i Marrëveshjes së 5 qershorit, u mbodh sërish Këshilli Politik, pa pjesëmarrjen e kryeministrit, por me pjesëmarrjen e të tri palëve: Mazhorancë, opozita e Bashkuar dhe opozita parlamentare. Gjiknuri, përfaqësuesi i mazhorancës, kërkoi që Këshilli Politik të diskutojë ndryshimet kushtetuese të listave të hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Opozita e Bashkuar, me Bylykbashin dhe Vasilin e kundërshtuan këtë pretendim, pasi bie në kundërshtim me Marrëveshjen e 5 qershorit, të votuar pak orë më parë tashmë edhe nga Parlamenti.

Gjiknuri: Opozita nuk pranon të diskutojë për ndryshimet kushtetuese për listat e hapura

Unë propozova që në vazhdën e takimeve që kishim zhvilluar dy ditë më parë, të vijonim diskutimin për ndryshimet kushtetuese për listat e hapura. Opozita nuk pranon që të trajtohet kjo çështje në Këshill, edhe pse thirrja jonë dhe e Presidentit ka qenë që të dialogohet dhe kjo çështje. Kuvendi ka filluar një procedurë për ndryshime kushtetuese, që nuk e ndalojmë dot. Nuk pati dakordësi. PD-ja nuk kërkon që të vazhdohet më në këtë drejtim.

Rama: Keqardhje për refuzimin e opozitës, por vendos Parlamenti edhe për ta, në 30 korrik

Refuzimi për të diskutuar mbi risitë kushtetuese, është në fakt refuzim për të pranuar realitetin dhe kjo është një sëmundje tanimë e vjetër e opozitës jashtëparlametare! Keqardhje. Por me ata, pa ata, Parlamenti vendos edhe për ta, si sot, si në 30 korrik. Reflektoni miq, listat do hapen!

Bylykbashi: Mazhoranca me listat e hapura kërkon t’u heqë shqiptarëve mundësinë të votojnë ofertën publike të partive

Opozita siç kishte deklaruar, zbatoi atë pjesë tjetër të Marrëveshjes së 5 qershorit për trajtimin e rekomandimeve të ODIHR-it, çështje me shitblerjen e votës dhe çdo vepër penale që dëmton zgjedhjet. Një paketë që sot (dje) u dakordësua. Ajo që është miratuar këtu duhet miratuar pa ndryshime. Kjo nuk e përmbyll Marrëveshjen e 5 qershorit,  sepse është dhe një çështje tjetër për depolitizimin e administratës zgjedhore. Ata kërkojnë që t’u heqin mundësinë shqiptarëve që të votojnë një ofertë publike të partive politike, pasi do që të shkojë tek pazaret me dyer të mbyllura.

 

Publikohet  email  i ri i opozitës: Rama-Gjiknuri dezinformuan. Të gatshëm të diskutojmë çdo çështje në Këshill

Opozita e Bashkuar në Këshillin Politik, nëpërmjet një emaili të publikuar, të dërguar Gjiknurit,  ka përgënjeshtruar deklarimin e Gjiknurit dhe Ramës, se gjoja opozita në mbledhjen e sotme të KP-së, ka refuzuar të diskutojë çdo çështje. Opozita bën me dije, se nuk refuzon të diskutojë çështje, por kërkon që “çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill.” Duke ndjekur deklarimin tuaj publik dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehim keqardhjen tonë për dezinformimin e opinionit publik në lidhje me qëndrimin e opozitës në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ne nuk kemi refuzuar të diskutojmë asnjë çështje. Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill.

 

New York Times: Parlamenti shqiptar miraton reformën e kërkuar nga BE-ja

Mediet e mëdha ndërkombëtare i kanë bërë jehonë miratimit në Kuvend të Reformës Zgjedhore. Gazeta e madhe amerikane, “New York Times” shkruan: “Parlamenti i Shqipërisë miratoi të enjten Reformën Zgjedhore, që synon garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe konsiderohet si një kusht kryesor për fillimin e negociatave të pranimit në Bashkimin Europian”. “Votimi i së enjtes erdhi gati shtatë javë pasi partitë politike shqiptare, arritën një marrëveshje për Reformën Zgjedhore, më 5 qershor. Marrëveshja erdhi pas dy ditësh takimesh mes forcave politike kundërshtare në rezidencën e ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila lehtësoi dialogun së bashku me kolegët e BE-së dhe Britanisë së Madhe”.

 

Petrit Vasili: Edi Rama, tradhëtari që ia kaloi edhe Esat Pashë Toptanit!

Kryetarja e Komitetit Serb të Helsinkit, zbulon rolin e Edi Ramës, si promotor të shkëmbimit të territoreve Kosovë- Serbi. Ajo zbulon se Edi Rama ishte i vetmi, që u vetofrua në këtë rol për misionin tradhëtar të dhënies Serbisë të territorit të Kosovës të fituar me gjak, martirizim dhe sakrifica. Kjo tradhëti s’ka nevojë për komente. Për herë të parë, Esat Pashë Toptani m’u duk i vogël, krahasuar me Edi Ramën, kampionin e tradhëtisë ndaj shqiptarëve. Lexojeni më poshtë intervistën e Zj.Sonja Biserko dhënë për “Albania Daily News”.