Liperi: Program pa transparencë, pa analizë dhe pa debat

801
Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor”, u shpreh për “Telegraf” se ka munguar transparenca në programin e qeverisë për të investuar masivisht në infrastrukturë, nëpërmjet financimit të bankave. “Projekti 1 miliard euro deri tani është servirur si një tepsi elektorale. Ka munguar transparenca, ka munguar analiza kosto-përfitime dhe, mbi të gjitha, ka munguar debati, nëse kjo është alternativa më e mirë për vendin, nëse do të ishte më mirë dhe më eficiente që qeveria t’i bënte gradualisht këto projekte dhe jo ta merrte menjëherë këtë borxh madhor. Një borxh që ajo sot e fsheh, por që ia lë si barrë qeverive dhe brezave të ardhshëm”, tha Liperi. Sipas saj, FMN ka paralajmëruar qartë për këtë rrezik. “Është për të ardhur keq që qeveria e sotshme po kopjon modelet më të këqija të trashëguara nga e kaluara demokrate. Sot bizneset dhe qytetarët po paguajnë koston e markimit të karburanteve, që nuk sjell asnjë vlerë, por që nuk prishet dot, se ka kosto të larta në arbitrazh apo kostot e koncesioneve të shumëdiskutuara të naftës, që shfrytëzojnë pasuritë natyrore, por që nuk po i sjellin asnjë vlerë të shtuar këtij vendi, apo dhe raste të tjera ku përfitimet e qytetarëve kanë qenë minimale dhe të koncesionarëve maksimale”, nënvizoi gazetarja e njohur e ekonomisë. Për Liperin, përtej transparencës së munguar, nuk ka një plan të qartë se si do të hyjnë këto 1 miliard euro në ekonomi. “Sipas projektit të qeverisë, biznesi vetë duhet të angazhojë burimet për të paktën 20% të kostos së projektit. Qeveria po tenton të joshë bankat, por këto të fundit po tregohen mjaft të kujdesshme, pasi janë djegur në të kaluarën nga financimi i kompanive të mëdha (kujtojmë që deri pak kohë më parë 35 korporata kishin 60% të totalit të kredive me probleme në vend). Për më tepër një hua me vlerë të lartë do të kërkonte një bashkëpunim mes disa bankave përmes kredisë sindikatë, që do të nënkuptonte ekspozim të shtuar për klientët ekzistues. Më bankat që janë skeptike, dyshoj që projekti ambicioz 1 miliard euro do të arrijë të realizohej i plotë”, tha Ornela Liperi. E pyetur për mundësinë e pastrimit të parave përmes sistemit bankar, siç pretendon opozita, Liperi tha se “duket e vështirë të ndodhë, duke pasur parasysh që sistemi bankar sot është më i formalizuari në vend dhe bankat janë pjesë e grupeve të mëdha perëndimore”. “Gjithsesi, autoritetet mbikëqyrëse duhet të jenë të vëmendshme për të ndjekur rastet se mund të ndodhë (në një shembull hipotetik) që bizneset të marrin hua për të justifikuar burimin e të ardhurave dhe më pas të fusin në qarkullim paratë e pista”, tha Ornela Liperi.
Sigal