Ligji ‘për kadastrën’ bie ndesh me kodin civil

614
Sigal

Pas rrëzimi nga Komisioni i Ligjeve flet kreu i Drejtorisë së Taksës së Pronës dhe Pasurisë: Paqartësitë për çmimin e referencës, shitblerjet në tregun e lirë, taksimi i truallit dhe metedologjia e përdorur nga bashkitë  

“Kadastra, të dhëna të sakta vetëm për 600 mijë njësi, projekti mbyllet në 2021”

Flet Enton Duro, Drejtor i Drejtorisë së Taksës së Pronës dhe Pasurisë

-Ku jemi sot me kadastrën fiskale, disa muaj pas krijimit të drejtorisë suaj dhe nisjes së projektit “Protax Albania”, financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim (SIDA)?

“Aktualisht ne kemi ndërtuar një sistem, që njihet si sistemi informatik i kadastrës fiskale dhe është i disponueshëm tek 61 bashkitë që nga data 5 nëntor 2018. Bashkitë kanë mundësi ta përdorin këtë sistem për të bërë regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave. Sot, në sistem kemi 1.5 milionë adresa. Rreth 1.2 milionë e tyre vlerësohen si njësi pronësore për qëllime banimi.

Nga këto rreth 600 mijë prej tyre kanë informacion të plotë për të përllogaritur detyrimin e taksës së pasurisë. Ky është versioni i dytë që ne kemi prezantuar. Versioni i tretë do të prezantohet në vijim me një funksionalitet shtesë për përllogaritjen e detyrimit të taksës së pasurisë. Nëpërmjet sistemit, ku çdo njësi pronësore që ka komponentët kryesorë si sipërfaqja, identifikimi i taksapaguesit të lidhur me të, si dhe vendndodhjen gjeografike për të përcaktuar çmimin e referencës, mund të arrijmë të nxjerrim detyrimin e taksës së pasurisë nga sistemi.”

-Po lidhur me çmimet e referencës, a ka pasur paqartësi dhe si paraqitet situata?

 

“Në aneksin 1 të vendimit Nr.132, datë 07.03.2018 të Këshillit të Ministrave, përcaktohen çmimet referuese, të cilat përdoren si një metodë alternative për të arritur në vlerën e ndërtesave. Këto çmime përfaqësojnë një vlerë mesatare për çdo qytet apo njësi administrative dhe për të qenë realist, janë ende larg vlerës reale të tregut, por është një hap para drejt këtij procesi.”

-Sa u përket shitblerjeve në tregun e lirë, si po veprohet për reflektimin e tyre në sistem?

 

“Projekti aktualisht po analizon informacionin që disponohet. Ky informacion është dhe baza e ndërtimit të metodologjisë për të shkuar te vlera e tregut, por këto janë hapa që do të vijojnë gradualisht me vazhdimësinë e projektit dhe do të japin rezultatin e pritshëm. Sa herë të arrijmë një përmirësim metodologjik që na afron me vlerën e tregut, do të konsultohet me bashkitë të cilat, dua të theksoj fuqimisht se janë përfituesit kryesorë të këtij projekti. Krahas regjistrit të njësive pronësore mbi karakteristikat teknike do të ndërtohet edhe një regjistër dytësor për të evidentuar historikun e transaksioneve për çdo zonë.”

-Një nga detyrat e drejtorisë suaj është edhe propozimi i kuadrit ligjor që do të rregullojë taksimin për truallin. A ka avancuar ky proces?

 

Në momentin që do të përfundojmë me ndërtesat, do të vijohet edhe me taksimin mbi truallin, pasi këto dy procese janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Në fazën e fundit të projektit është menduar të jepet një propozim për taksën mbi truallin. Sot, nëse ti vlerëson një objekt të ndërtuar, nuk vlerësohet siç duhet nëse nuk ke përcaktuar saktësisht edhe informacionin për vlerën e truallit. Për shembull, një shtëpi e ndërtuar mbi një truall në një zonë periferike, por me të njëjtat karakteristika si një shtëpi në qendër të Tiranës nuk ka të njëjtën vlerë, sepse diferencën e bën edhe vlera e truallit.”

 

-Duke qenë se projekti shtrihet në disa vite, cili do të jetë fokusi që do të keni gjatë këtij viti?

 

“Fokusi i 2019-s mbetet popullimi i regjistrit të bazës së të dhënave nëpërmjet sistemit informatik të kadastrës fiskale.”

-Sot që flasim, a po përdorin të gjithë bashkitë metodologjinë e re lidhur me arkëtimin e taksës?

 

“Nuk mund të them me siguri për të gjitha bashkitë. Gjatë vitit 2018 kemi konstatuar rreth 52 vendime të Këshillave Bashkiakë, të cilat kanë miratuar një vendim në zbatim metodologjisë së re. Për sa i përket arkëtimit, këtu jo të gjitha bashkitë e kanë realizuar këtë proces. Vendimet mund të jenë miratuar, por arkëtimi ka qenë më problematik. Nuk është çështje formule apo përllogaritjeje. Problemi më i madh ishte që mungon baza e të dhënave ose nuk ishte e mjaftueshme, sepse veç çmimit referencë duhen dhe komponentët e tjerë si subjekti taksapagues, sipërfaqja e njësisë pronësore apo informacioni i ndërtimit para ose pas vitit 1993 etj.”

 

-A keni diçka të fundit për të shtuar lidhur me ecurinë e procesit apo me reformën në taksimin e pronës?

 

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se reforma e taksës së pasurisë nuk duhet perceptuar vetëm si një regjistër i pronave mbi një sistem informatik. Vlera e vërtetë e gjithë projektit dhe gjithë reformës është kalimi nga një metodologji në terma regresivë te një metodologji, e cila do të orientohet gjithnjë e më shumë drejt vlerës së tregut. Duhet të pranojmë dhe të jemi të sinqertë që taksa e pasurisë do të jetë një nga burimet kryesore të buxheteve bashkiakë.”