“Ligjet”, ndryshon emri i Gardës ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit

431
Sigal

TIRANE – Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, ku u diskutua projektligji për policinë e shtetit, u miratuan disa nene të rëndësishme të këtij projektligji. Kështu pas diskutimeve u miratua që drejtori i policisë të emërohet nga Këshilli i Ministrave. Po ashtu pas diskutimeve në mbledhjet paraardhëse u vendos ndryshimi i emrit të Gardës së Republikës e cila tashmë do të quhet Drejtoria e Mbrojtjes së Personaliteteve. Gjithashtu u vendos që Byroja Kombëtare e Hetimit, të jetë një strukturë e veçantë në ministri, e cila do të  përgjigjet para Drejtorit të Policisë, ndërsa kryetari do të emërohet nga Ministri i Brendshëm. Edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve kanë vijuar debate për projektligjin e policisë së shtetit. Deputeti socialist Pirro Lutaj, ka kundërshtuar nenin sa i përket viteve të eksperiencës sa i përket marrjes së gradave si kryekomisar. Sipas deputetit Lutaj, “specialistët duhet të kenë mbi 15 vjet eksperiencë për të marrë gradën kryekomisar dhe jo 6 vjet” siç parashikohet  në nenin  e projektligjit në fjalë. Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i komisionit Fatmir Xhafaj tha se “në projekligj janë pranuar disa sugjerime të kolegëve deputet”. Pas kësaj projektligji për policinë e shtetit do t’i kalojë për rishqyrtim Komisionit të Sigurisë.