Lëvizja për Universitetin i përgjigjet Ramës, propozohet zgjidhja për tarifat

632
Sigal

Lëvizja për Universitetin i ka reaguar kryeministrit Rama pas deklaratave të tij të fundit, ku I ftonte në dialog dhe u kujtonte se tarifat i kishin rritur vetë universitetet.

Lëvizja për Universitetin shprehet se Rama tentoi sërish të shmangë përgjegjësinë e qeverisë së tij për shkatërrimin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Sipas kësaj lëvizjeje problem është tek Ligji pqër Arsimin e Lartë që sipas Lëvizjes për Universitetin mbështetet në parimin klientelist të trajtimit të barabartë financiar të universiteteve publike dhe private.

Lëvizja për Universitetin thotë se zgjidhja për tarifat është: Arsim publik falas.

Reagimi:

PËRGJIGJE PËR KRYEMINISTRIN RAMA

Përmes gënjeshtrave, çerek të vërtetave dhe të dhënave jashtë kontekstit, Edi Rama tentoi sërish të shmangë përgjegjësinë e qeverisë së tij për shkatërrimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Problemet në arsimin e lartë nuk kanë filluar me qeverisjen e tij, por përmes ligjit të arsimit të lartë të miratuar nga ai ato kanë marrë natyrë sistemike.

Ligji i arsimit të lartë mbështetet në parimin klientelist të trajtimit të barabartë financiar të universiteteve publike dhe private (formalisht dhe përmbajtësisht). Bordet e Administrimit të universiteteve publike kontrollohen nga qeveria sipas parimit “kush jep paratë, kontrollon universitetin”. Çka do të thotë se e vetmja mënyrë që universitarët të kontrollojnë bordet është rritja e tarifave në mënyrë të tillë që shuma e nxjerrë nga xhepat e studentëve ta tejkalojë buxhetin e shtetit për universitetet.

Rama prodhon tym duke deklaruar se tarifat i vendos universiteti. Sipas ligjit të tij, universiteti i propozon tarifat në varësi të tavanit të tarifës maksimale dhe nivelit të financimi nga buxheti i shtetit, kompetenca këto të qeverisë. Nëse burokratët i bëjnë rrush e kumbulla paratë e popullit, në krye të universiteteve i ka vendosur qeveria, jo universitarët.
Për tarifën e studimit kryeministri është aq kontradiktor, saqë nuk mund t’i zësh besë asnjë fjale të tij. Një moment flet për lehtësinë e uljes së tarifave, pastaj bën llogari ditore se tarifa kushton në ditë sa një kafe (pse t’i ulim atëherë?!) dhe në fund bën diversion me propozimin e tarifave progresive.

Zgjidhja për tarifat është e thjeshtë: ARSIM PUBLIK FALAS për të gjithë studentët e universiteteve publike, të cilët hyjnë në universitet sipas meritës. Për studentët e varfër dhe ata me rezultate të shkëlqyera duhet të ketë bursë jetese. Sot parimin e arsimit publik falas në të gjitha nivelet e zbatojnë plot 17 vende evropiane, nga më të përparuarat te më modestet ekonomikisht.

Rama bën sikur nuk kupton se kërkesat e studentëve për tarifat nuk ka pse t’i paguajë medoemos kamerieri apo mësuesi. Mjaftojnë dy masa: Të mos vidhet nga qeveritarët dhe të shtrëngohen oligarkët të paguajnë më shumë taksa. Vendi ynë nuk ka pse zgjedh midis studentit dhe kamerierit, por duhet të zgjedhë studentin dhe kamerierin bashkë në vend të oligarkëve.

Ashtu siç populli ynë nuk ka pse të zgjedhë midis investimeve në infrastrukturë dhe studentëve. Nëse nuk zbatohen praktikat korruptive të PPP apo koncesioneve, ka vend edhe për rrugë e spitale, edhe për shkolla. E nëse nuk i bëjmë dot shpejt si të Danimarkës, mund t’i përmirësojmë dukshëm.

Kërkesave të studentëve për tarifat kryeministri u përgjigjet si kërkesë për bukë. Ndoshta studentët ia dalin me sakrifica, por nuk mund të mbahet trupi me bukë, djathë, vezë e byrekë çdo ditë. Buka që ata brohorasin është simboli i jetës së dinjitetshme. Përtej kësaj, investimi në arsim nuk është prodhim buke, por kultivim i mendjeve krijuese, kritike dhe prodhuese.

Që gjithçka e mësipërme të ndodhë duhet që studentët të marrin fuqinë që u takon brenda universitetit. Ky kryeministër që i fton studentët të bashkëhartojnë ligje e paska problem që ata të bashkëqeverisin, me pedagogët, universitetet. Vërtet studenti si individ është më i përkohshëm se pedagogët në universitet, por studentët si trupë janë shumë herë më të shumtë se pedagogët. Po ashtu, nisur nga bajraktarizmi i frikshëm i jetës universitare publike, e vetmja mundësi përmirësimi i jetës universitare mbetet te masa e madhe dhe e pakompromentueshme studentore. Prandaj kërkohet votë e barabartë midis pedagogëve dhe studentëve për zgjedhjen e të gjitha strukturave universitare.

Zoti Rama! Studentët nuk kanë nisur sot të belbëzojnë. Kanë vite që flasin dhe protestojnë, nën presionin e burokratëve dhe pedagogëve të padenjë. Ne, si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin, kemi katër vjet që demantojmë ligjin e arsimit të lartë, kemi organizuar dhjetëra protesta ku sa e sa studentë kanë artikuluar problemet e tyre. Kemi denoncuar pedagogët që shesin librat me detyrim dhe marrin ryshfet, kemi publikuar raste plagjiature etj. Asokohe, qeveria mbyllte të sytë dhe veshët. Sot, kur mijëra e mijëra studentë, si thuajse asnjëherë më parë, ju kanë vënë me shpatulla për muri po dëgjoni brohoritjet e tyre. Dhe do t’i dëgjoni gjatë.