Letra e nisur te Mike Pence, Albin Kurti: Nuk ishte ankesë, por sqarim i pozicionit të qeverisë

295
Sigal

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar se i është ankuar zëvendës-presidentit amerikan të shtetit, Mike Pence, në lidhje me rolin e ambasadorit, Richard Grenell, në bisedimet Kosovë–Serbi.

Kurti, pas dhurimit të gjakut, sot në Prishtinë, tha se letra është e para një muaji dhe se nuk ka të bëjë me nje ankesë, por me sqarim të pozicionit të qeverisë që ai udhëheq në lidhje me dialogun.

Kam shprehur edhe qëndrimet tona, si qeveri e Kosovës, të mijat si kryeministër në detyrë për çështje të ndryshme politike përfshirë dialogun. Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mija për këtë dialog, se si duhet të jetë parimor. Për shkak se ka shumë keqinformim për qeverinë tonë, për mua si politikan se çka bëj e çka them, i kam shprehur qëndrimet e mija që të mos ketë keqkuptime”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se, e ka për detyrë që kur ka keqinformime, të sqarojë situatat.

Media dhe politikanë të shumtë kanë kritikuar Kurtin ditëve të fundit, duke thënë se i është ankuar Pences në lidhje me rolin e Grenellit.