Lejet për HEC-e, banorët e Zall Gjoçaj padisin në SPAK Blendi Klosin

174
Banorët e Zall Gjoçaj dorëzuan një padi në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion ndaj Ministrit të Mjedisit Blendi Klosi dhe zyrtarëve të ministrisë të cilët i akuzojnë për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve për HEC-e në zonë të mbrojtur.

Sigal

Banorët e Zall Gjoçaj paditën në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ministrin e Mjedisit Blendi Klosi dhe zyrtarë të lartë të kësaj ministria për lejimin e ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea.

Banorët kanë paditur, Ministrin Blendi Klosi, kryetarin e Bashkisë Mat Agron Malaj, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Edison Konomi, Drejtorin e Agjensisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej, kompaninë  Seka Hydropower dhe Halit Kamberin, me detyrë specialist për hartimin e raporteve të ndikimit në mjedis.

Banorët ngrenë 7 akuza ndaj zyrtarëve dhe kompanisë; shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve, ndotje të ujit dhe tokës në zona të mbrojtura, shkatërrim të rrjetit të vaditjes, shkatërrim të ujësjellësit, shkatërrim prone dhe dhunim të varreve.

Dorëzimi i padisë në SPAK nga banorët e Zall – Gjoçaj në Mat, u bë përmes një proteste të organizuar virtualisht në Zoom të premten përpara zyrave të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Protesta virtuale, për shkak të pandemisë, u organizua përpara godinës së SPAK.  Aty ishte vendosur një monitor dhe çdo kush mund të futej në platformën Zoom, për të diskutuar ndërsa fjalimet transmetoheshin direkt.

Tauland Asllanaj, avokat i banorëve, tha se ata kanë të provuar të gjitha shkeljet që janë bërë me lejet e dhëna për ndërtimin e HEC-eve dhe dëmet e shkaktuara deri më sot përfshi ndërhyrje në mbi 2 kilometra me beton në zonë të mbrojtur. “Kanë arritur deri në atë pikë sa nga përdorimi i lëndëve plasëse kanë dhunuar varret, një vepër që jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht është shumë e dënueshme.” tha ai.

Avokati tha se veprat penale ishin kryer në bashkëpunim. Të kontaktuar nga BIRN për një koment mbi padinë Ministria e Mjedisit dhe zyrtarë të paditur nuk u përgjigjën.

Leja për HEC-et në Zall Gjoçaj u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por banorët e zonës dhe aktivist të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin e këtyre HEC-eve me protesta dhe me një disa padi.

Në janar të këtij viti, Gjykata Administrative në Tiranë rrëzoi padinë e banorëve të Zall – Gjoçaj në Mat, që kërkonin anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea.  Por Gjyqtari Bezart Kaçkini, në vendimin e marrë deklaroi se institucionet shtetërore kishin kryer shkelje, por proceduralisht nuk mund ta pranonte padinë. Banorët e kanë apeluar vendimin.

Ndërkohë një padi tjetër kundër një vendimi të ERE për të lejuar prodhimin e energjisë u pranua nga gjykata.

Sipas Raporti i vitit 2020 për numrin e hidrocentraleve në Ballkan, përgatitur nga organizatat ndërkombëtare mjedisore “RiverWatch” dhe “EuroNatur”, në total në Shqipëri janë planifikuar 724 hidrocentrale, ku 290 janë vënë tashmë në punë, ndërsa 24 HEC-e të tjera po ndërtohen dhe 410 të tjerë janë planifikuar për t’u ndërtuar. Në shumë projekte, ndërtimi i këtyre HEC-eve ka sjellë protesta nga komunitetet që prekeshin nga marrja e ujit.

/reporter.al