‘Legalizimi i parave të pista’/ BE, deklarohet kundër “Amnistisë fiskale”: Drafi ka shqetësime serioze, vijojmë konsultimet me qeverinë

122
Sigal

BE kundër Kryeministrit për Amnistinë Fiskale: Drafti ka shqetësime serioze, vijojmë konsultimet me Qeverinë

Bashkimi Evropian ka dalë kundër nismës së kryeministrit Edi Rama për amnisitinë fiskale që legalizon paratë e emigrantëve shqiptarë. Në një reagim zyrtar pas takimit që zhvilluan me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ministren e Financave Delina Ibrahimaj, BE shprehet se ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Gjithsesi në reagimin e bërë pas daljes nga Vila30 në kryeqytet, BE shton se do të vijojë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion. “Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion,”- tha Delegacioni i BE-ne Shqipëri. Rama ishte shprehur i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale. Në një deklaratë ai tha se nuk do të lejonte asnjë ndërkombëtar që të fyente emigrantët shqiptarë duke vënë në dyshim burimin e të ardhurave të tyre nga puna jashtë Shqipërisë. Qeveria shqiptare i është rikthyer projektligjit për aministi fiskale dhe penale pas thuajse dy vitesh. Institucionet ndërkombëtare financiare e kritikuan draftin e vitit 2020, por autoritetet thonë se këtë herë ai vjen i përmirësuar. Para dy vitesh ajo u tërhoq nga nisma pas kritikave të institucioneve financiare ndërkombëtare. Edhe pse zyrtarët thonë se vërejtjet janë reflektuar në projektin e ri, ekspertët, Opozita dhe disa dhoma biznesi si ajo amerikane, gjermane dhe dhoma e tregtisë dhe industrisë Tiranë, e kundërshtojnë aministinë, duke thënë se ajo nxit informalitetin dhe i hap rrugë depërtimit në ekonomi të parave të siguruara nga aktivitete kriminale. Qeverisë do t’i duhet edhe konsensusi i opozitës, pasi për miratimin në Kuvend të aministisë kërkohen 84 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka.

Shefi i Qeverisë injoron ambasadorët/ “Ndryshoi mendje në mëngjes”

Kryeministri Edi Rama ka bojkotuar takimin me ambasadorët e vendeve të BE- së dhe ambasadoren e SHBA-ve, pavarësisht se e kishte ftuar trupën diplomatike në Shqipëri, për një mëngjes pune. Tema që do diskutohej në tavolinë ishte amnistia fiskale, nisma e prezantuar nga qeveria për të njohur e për të pranuar investime nga emigrantët shqiptarë me paratë e fituara nga punët ilegale që kanë ushtruar ndër vite. Por megjithëse ambasadorët ishin ftuar për një takim me kryeministrin, Edi Rama zgjodhi t’i injoronte, duke dërguar në takim me ta, kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballën dhe ministret, Olta Xhaçka dhe Delina Ibrahimaj. Zyra e shtypit të kryeministrit Rama, nuk pranoi të japë një shpjegim, për mungesën e kryeministrit në takimin me ambasadorët, të kërkuar nga vetë ai. Por nga kryeministria bënë me dije, se Rama ka ndryshuar mendje në mëngjes, duke vendosur mos t’i bashkohet ambasadorëve, të cilët po e prisnin në vilën 30.

 As Britania e Madhe e Danimarka nuk ndryshojnë qëndrim!

Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me projekt-ligjin e amnistisë fiskale të propozuar nga kryeministri Rama nuk ka ndryshuar. Kështu bën me dije së paku ambasada e Britanisë në vendin tonë, ndërsa kryeministri Rama tha se Edi Rama nuk tërhiqet nga  legalizimi i parave në të zezë. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Danimarka. Për rreth një orë, përfaqësuesit e mazhorancës u munduan të bindin ambasadorët, për projektligjin e amnistisë fiskale, në një kohë kur kjo nismë e Partisë Socialiste është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian, Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe FMN. Në takim të pranishëm ishin edhe ambasadorët e BE, SHBA dhe Britanisë së Madhe.  Pas përfundimit të takimit, Taulant Balla doli i shoqëruar me ambasadorin britanik, por nuk pati një deklaratë për mediat.