Legalizimi i kanabisit/ Av.Zaçe Islami dhe Inxh Artur Sulçe: I ashtëquajturi kanabis mjekësor demagogji, do shtohet krimi dhe aksidentet

144
Sigal

Ekspertët e drejtësisë dhe sigurisë rrugore kundër legalizimit të drogës në vend

Juristi dhe Avokati Zaçe Islami: Legalizimi i kanabisit vetëm për efekt klientelizmi

Migena Neli

Legalizimi i kanabisit medicinal duket se nuk ka asnjë ndryshim nga kanabisi normal, por në terma ligjor përdoret si medicinal për të mos përfshirë në amnisti mijëra të dënuar për posdim të lëndëve narkotike që gjenden aktualisht në burgjet shqiptare. Kështu shprehet Avokati dhe juristi Zaçe Islami i cili në një intervistë për ‘Telegraf’ thekson se i vetmi efekt i këtij ligji do jetë monopolizimi i prodhimit dhe i shitjes fakt që përkthehet me licenca për oligarkët.

Çfarë efekti do të kishte në shoqërinë shqiptare miratimi i ligjit për legalizimin e kanabisit në vend?

Unë do të kthehem pak mbrapa në histori duke ju referuar dy artikujve sot të ligjshëm por dje të pa ligjshëm. Po analizoj të parin duhanin. Dihet historikisht që gjatë shekullit të 16 e 17 në Angli atyre që kapeshin me cigare u priteshin buzët ose gishtat e dorës. Përfundimisht sot industria e duhanit është nga më fitimprurëset. Vijmë në vitet 30 të shekullit të kaluar kur në SHBA ndalohej prodhimi i uiskit por që edhe uiski sot përdoret në gjithë botën. Praktikisht, bazuar në ato ligje idiote janë derdhur lumenj gjaku si nga kontrabandistë ashtu edhe nga forcat e ligjit e sot prodhohen e tregtohen normalisht.

A është gati shoqëria shqiptare për të pasur një ligj të tillë të implementuar?

Ligji që pritet të miratohet nga Rilindja për legalizimin e kanabisit “mjekësor” në fakt është mashtrim, por një mashtrim shumë djallëzor pasi përdorin termin ” mjekësor”. Këtë term e përdorin pasi nëse do legalizohet hashashi pa këtë ndajshtimin “mjekësor” automatikisht duhet të lirohen qindra e qindra të burgosur të hashashit, për këtë shkak e quajnë “mjekësor”. Mirëpo shkencërisht dihet që hashashi dhe vaji i tij përdoren gjerësisht në botë në mjekësi pra NUK ËSHTË LLOJ I VEÇANTË HASHASHI MJEKËSOR. I vetmi efekt i këtij ligji do jetë monopolizimi i prodhimit dhe i shitjes fakt që përkthehet me licenca për oligarkët e mëdhenj shqiptarë. Shoqëria shqiptare tashmë ka 80 vjet që nuk pyetet për asnjë ligj që nxjerrin partitë politike në pushtet. Në këtë pikëpamje shoqëria shqiptare as është pyetur e as do pyetet ndonjëherë sepse praktikisht është mësuar me shtypjen, nuk ngre krye çfardo që i bën dhuna shtetërore. Nisur nga një qëndrim i tillë i shoqërisë shqiptare, e cila kurrë nuk ka ngritur krye si në të kaluarën dhe sot do ta pranojë në heshtje dhe këtë ligj.

Çfarë efekti do të kishte në legjislacion në tërësi ky ligj, pasi kemi me mijëra të dënuar për vepra penale si ‘Posedimi i lëndës narkotike kanabis’ madje edhe në masa shumë të vogla, a do të duhet të amnistoheshin dhe të liheshin të lirë këta të dënuar?

Për mendimin tim ky ligj që pritet të miratohet nuk do ketë fuqi prapavepruese pasi nga momenti i miratimit të një ligji të  tillë jo vetëm që duhet të lirohen mijra të burgosur, por edhe duhen dëmshpërblyer ndaj djallëzisht vendosin termin mjekësor.

Çfarë mendoni se do të ndodhë me firmat apo kompanitë që do të përfitojnë nga ky ligj? A do të jetë një tjetër rast si precedenti ‘investitorët strategjikë’?

E theksova pak më lart që lidhur me investitorët strategjikë do veprohet ashtu si deri më sot  do mbështeten oligarkët me lloj lloj arsyetimeve për të ruajtur monopolin në treg.

Rama e justifikoi mundësinë e vendosjes së ligjit për legazilimin e kanabist nëpërmjet konsultimit publik që bëri me militantët e Partisë Socialiste që të ketë një referendum mbarëpopullor në lidhje me një temë kaq sesitive?

Konsultimet që bën Rama në partinë e rilindjes nuk kanë të bëjnë aspak me konsultime të lira e demokratike por janë thjesht urdhra që jep Rama për të disiplinuar kopenë e tij. Ne jemi dëshmitarë të një fenomeni tragjik tashmë lidhur me aksidentet rrugore. Para 6 vjetësh kur isha i ftuar në një emision televiziv nga gazetari Bejdo Malo lidhur me aksidentet kam propozuar hartimin e një ligji të posaçëm për lidhjen e përdorimit të lëndëve narkotike me aksidentet në rrugë. Konkretisht kërkova që ligjvënësi të miratojë një ligj i cili do të detyronte të gjithë shtetasve me leje drejtimi ose kandidatë për leje ndërtimi të bëjnë analizë nëse përdorin lëndë narkotike. Atyre individëve që dalin përdorues të mos ju lejohet drejtimi i automjeteve. Thënë kështu pasi sikundër del nga statistikat e aksidenteve rrugore 90% e tyre bëhen nga persona alkoolik dhe përdorues lëndësh narkotike.

Artur Sulçe: Legalizimi medicinal do të sillte rritjen  e përdoruesve edhe mes drejtuesve të mjeteve duke rritur pasigurinë në rrugë

Përdorimi i kanabisit nga shumë të rinj në vend është kthyer në një fenomen shqetësues veçanërisht kur këta të rinj janë drejtues të mjeteve. Një numër gjithnjë e më i lartë i të rinjve që përfshihen në aksidente rrugore rezultojnë se kanë drejtuar mjetet nën efektin e lëndëve narkotike. Duke sjellë edhe një shqetësim rreth këtij fenomeni që po dëmton shoqërinë shqiptare dhe po e vë në rrezik edhe për jetën çdo ditë e më shumë. I pyetur nga gazeta ‘Telegraf’ se çfarë efekti do të kishte në shoqërinë shqiptare miratimi i ligjit për legalizimin e kanabisit, eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe shprehet se shteti shqiptar duke parë dobësinë në të cilën është në vendin tonë legalizimi medicinal do të sillte rritjen  e numërit të përdoruesëve  të cilët janë në gjendje të kenë dhe automjete dhe ti drejtojnë në këtë gjendje do të sillnin rritjen e numërit të aksidenteve dhe siguria në rrugë do të ulej. Më tej eksperti Sulçe deklaron se efekti i legalizimit të hashashit në lidhje me sigurinë rrugore do të sillte zvogëlimin e saj dhe rrugët dhe përdoruesit e dobët të rrugës do të ishin në rrezik për jetën apsi rreziku për aksidente do të rritej në mënyrë eksponenciale.