Lefteri Lleshi, fajtore edhe për dështimin e verifikimit elektronik në Qarkun e Tiranës

468
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 22 muaj nga data kur PS-ja depozitoi në prokurorinë e Tiranës kallzim penal kundër kryetares së KQZ-së dhe 3 anëtarëve të tjerë të saj, për shpërdorimin e detyrës në bashkëpunim, për dështimin e zbatimit të numërimit elektronik të votave në Qarkun e Fierit dhe të verifikimit elektronik të votave në Qarkun e Tiranës, ende prokuroia nuk ka filluar hetimin, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. 
PS tani e përdor kallzimin penal ndaj Lefteri Lleshit, si shpatën e Damokleut
Dhe më e keqja është se prokuroria është e pa aftë, që ende nuk ka filluar hetimin për një kallzim penal me akuzë për shpërdorimin e detyrës në bashkëpunim ndaj zyrtarëve më të lartë të një institucioni kushtetues, sikurse KQZ-ja, për çështje me rëndësi të madhe kombëtare, sikurse është cënimi i standarteve demokratike të procesit zgjedhor. Është e qartë, prokuoria në këtë rast, vepron me urdhër politik, për të mbuluar çështjen, deri sa akuza të parashkruhet, për shkak të kalimit të afateve kohorë. Fillimisht, prokuroria mbase mori “urdhër” politik nga maxhoranca e asaj kohe, për arsye që dihen, meqë KQZ-ja zbatoi urdhëra politike, për shpërdorimin e detyrës për të cilën akuzohet, për të dështuar me çdo kusht zbatimin e projektit elektronik në votime në 23 qershor 2013. Por, më e keqja, është se edhe opozita e PS-së, që më 20 qershor 2013 dorëzoi në prokurorinë e Tiranës, ndërsa tani që ka 20 muaj në qeverisje, “çuditërisht” e ka harruar kallzimin penal që vetë ajo ka depozituar në prokurori ndaj zonjës Lleshi. Ndoshta tani në qeverisje, PS-ja e ka “harruar” çështjen sepse me heshtjen e saj, ushtron një presion politik të drejtpërdrejtë ndaj KQZ-së, duke i detyruar, që tani, t’i shërbejnë PS-së. Në të kundërtën, nëse KQZ-ja nuk merr vendime që t’i shërbejnë interesave partiake të maxhorancës së sotme, atje në prokurori është kallzimi, si shpata e Damokleut mbi kokën e tyre. Ndryshe PS-ja, ose do të tërhiqte nga prokuroria e Tiranës, kallzimin penal që ka depozituar në 20 qershor 2013, ose, duhet të kërkojë prokurorisë, përse hesht! Nuk ka rrugë të tretë për sjelljen e tanishme politike të PS-së. 
Raporti i PS-së për provën e sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të pjesëmarrësve në zgjedhje SEV-it
Gazeta “Telegraf” zbardh raportin e PS-së, që i ka dërguar KQZ-së, për provën e parë që u krye për sistemin elektronik të verifikimit e regjistrimit të pjesëmarrësve në zgjedhje (SEV), në qershor të 2013-s. Sipas ekspertëve të PS-së, prova edhe pse është kryer 45 ditë me vonesë, ka shumë dobësi, që mund të mos jetë në korrigjueshme, duke rrezikuar përfundimisht zbatimin e projektit në 23 qershor. Kjo vonesë e provës, ngarkon me përgjegjësi të plotë KQZ-në dhe kryetaren e saj, Lefterie Lleshi, për mungesë transparence, për shkak të procedurës së zhvillimit të tenderit, por edhe se me vonesën e provës, nuk jep asnjë mundësi kohore, që, në rast dështimi, të bëhet e mundur përzgjedhja e ndonjë kompanie tjetër. Nëse projekti dështon (siç dështoi në fakt) dhe nuk zbatohet SEV, kryetarja e KQZ-së, duhet të mbajë përgjegjësi për “Shpërdorim të detyrës” edhe për humbjet e 2,9 milionë eurove të këtij projekti.
Raporti i PS-së, i dorëzuar në KQZ për SEV
Në bazë të Kodit Zgjedhor, firma fituese e përzgjedhur nga KQZ-ja për zbatimin e projektit, duhet të bënte një provë të plotë, duke simuluar një situatë reale në KQV. Prova finale e datës 8 qershor ligjërisht duhej të ishte realizuar më datë 23 prill. Pra jemi 45 ditë me vonesë dhe vetëm dy javë përpara ditës së zgjedhjeve, përtej cilido parashikimi! Verifikimi i pjesëmarrjes më shumë se një herë të votuesit, si qëllim kryesor i ngritjes së SEV funksionoi përsëri vetëm pjesërisht, cilësojmë faktin që u provua përsëri dhe përgjatë provës së datës 8 qershor: Sistemi mundi të identifikojë dhe krahasojë vetëm dokumentet e lexuara 100% elektronikisht të rregullta. Prova e datës 8 qershor konfirmoi përfundimisht se është rreth 10 % pritshmëria për dokumentet që nuk do të lexohen elektronikisht (5 dokumente në 44, në 17 maj u verifikuan 3 nga 35) Është domosdoshmëri që të dërgohet në qendër informacion i plotë në lidhje me dështimin e leximit të pjesës elektronike dhe të zbatohet funksioni i marrjes së përbërësve zgjedhore nga MRZ në rast se nuk u lexua me sukses pjesa e qarkut me dhe pa kontakt.
Rekomandime të PS-së, por që u shpërfillën nga Lefteri Lleshi
1. Të rregullohet formulimi dhe përmbajtja e raporteve të njësisë qendrore informatike. Duhet që raportet të jenë të vlefshme legalisht dhe të mund te protokollohen.
2. Duhet të shtohet një procedurë e veçantë informatike e shoqëruar me formulimin përkatës administrativ për “pastrimin/zerimin”, “fillimin” dhe “mbylljen” e votimit.
3. Nevojitet ndërtimi i një raporti i dedikuar periodik dhe final në lidhje me ngarkimin e SD-ve në qendër i cili duhet të dokumentojë dhe rastet kur nuk kemi përputhje të autenticitetit apo kemi probleme me integritetin e të dhënave.
4. Duhet të jetë i pamundur ngarkimi i informacionit në sistem për të cilat nuk mund të vërtetohet plotësisht autenticiteti dhe integriteti i të dhënave të mbledhura në QV. (Gjatë testimeve u provua se ishte e mundur për të fshirë apo modifikuar të dhënat e mbledhura në SD, dhe sistemi nuk parandaloi ngarkimin e të dhënave në strukturën qendrore).
5. Detaje të plota të gjendjes dhe operimit të pajisjeve apo moduleve HW dhe SW në qendrën e votimit duhet të raportohen me saktësi të plotë në qendër, së bashku me një log të plotë të aktivitetit të përdoruesit.
Përfundime
Sistemi Elektronik i Verifikimit mundëson realizimin e objektivit kryesor nëpërmjet identifikimit të rasteve të votimit më shumë se një herë, por me një normë të lartë gabimi!
Sistemi Elektronik i Verifikimit duhet të përdorë informacionin e mbledhur nga MRZ kur nuk lexohet me sukses pjesa elektronike e kartës apo pasaportës për të ulur normën e gabimit në kufij të pranueshëm. Siguria operacionale e Sistemit Elektronik të Verifikimit duhet të përmirësohet dhe garantohet nëpërmjet forcimit të kontrollit të aksesit në të gjithë pajisjet, pjesë përbërëse të sistemit. Ana funksionale e sistemit duhet të përmirësohet për të ngritur transparencën dhe për të lejuar operimin dhe administrimin në nivel profesional në përputhje me kërkesat ligjore. Theksojmë se pothuajse të gjitha problemet e vërejtura gjatë provës në 19 maj dhe të dokumentuara në raportin e datës 24 maj 2013, dorëzuar pranë KQZ nuk ishin bërë pjesë e procedurës së testimit të datës 8 Qershor dhe as nuk ishin riparuar, fiksuar apo zgjidhur!
Arsyet e dështimit të SEV me protagoniste Lefteri Lleshi
Po t’i referohemi arsyeve të dështimit, që shkruan vetë KQZ-ja, është e kuptueshme, që ato nuk mund të bindin asnjë, se shkaqet e dështimit janë objektive, të pakapërcyeshme. Përkundrazi, Lefterie Lleshi në vetë argumentet që parashkruan, për dështimin e projekteve elektronike, që do të zbatoheshin në zgjedhjet e 23 qershorit, të bind që mungon dëshira e vullneti politik për të zbatuar këto projekte. Sepse Lefterie Lleshi, si Kryetare e KQZ-së, zbatoi një tenderim jo transparent, duke ia dhënë tenderin një kompanie spanjolle, që u tregua se është jo kompetente. Por, mbi të gjitha, Lefterie Lleshi shkeli edhe Kodin Zgjedhor, duke mos zbatuar kërkesat që parashikon Kodi Zgjedhor, për zbatimin e teknologjisë elektronike në votime, sikurse ishin zbatimi i afateve kohorë të testeve. Lefterie Lleshi, me cilësinë e Kryetares së KQZ-së, lejoi që testet të zhvilloheshin jo në afatet kohore që parashikon Kodi Zgjedhor, duke djegur çdo mundësi për të ribërë sërish tenderimin. Kjo, sërish me qëllim të dyfishtë nga Lefterie Lleshi. Së pari, që kompanisë “INDIRA” që u përzgjodh nga vetë kryetarja e KQZ-së, iu dha thuajse 90 % e shumës të parashikuar në të dy projektet, për SEN: 1 milionë euro dhe SEV: 2,4 milionë euro paradhënie, pa pritur të zbatonte projektet në zgjedhje. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj pohon që PS-së nuk iu bë kurrë transparente ky tenderim dhe nuk iu dha asnjë informacion njohës për kompaninë fituese, duke u justifikuar për mosnxjerrje të sekreteve të teknologjisë. Së dyti, Lefterie Lleshi, nuk donte që të jepej asnjë mundësi e dytë, ndonjë kompanie tjetër, nëse dështonte testi – sikurse dështoi, sepse qëllimi i saj ishte që të dështonte zbatimi i numërimit dhe verifikimit elektronik në zgjedhje. Është kaq e vërtetë kjo, edhe nga një fakt tjetër, domethënës. Në tenderimin për zbatimin e SEN dhe SEV në zgjedhjet e 23 qershorit, u afrua edhe një kompani amerikane, e cila me sukses zbaton jo vetëm numërimin dhe evidentimin elektronik në zgjedhje në SHBA dhe në shumë shtete të botës. Gazeta “Telegraf”, ka botuar në mars të 2012-ës, intervistën me përfaqësuesin e kësaj kompanie amerikane në Tiranë, Genci Gjoça (asnjë afërsi familjare me Genc Gjonçaj). Kjo kompani amerikane i ofroi KQZ-së edhe votimin elektronik, jo vetëm brenda parametrave teknike, duke mos dhënë asnjë mundësi ndërhyrjeje për manipulime në procesin e votimit elektronik, por edhe me një kosto edhe më të ulët, por për çudi ajo u skualifikua nga KQZ-ja. Lefterie Lleshi duhet të mbajë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre, sepse është përgjegjëse ekskluzive për dështimin e projektit të zbatimit të teknologjisë elektronike të votimeve në zgjedhjet e 23 qershorit, por edhe përgjegjësi penale për shpërdorimin e fondeve të këtyre projekteve, edhe pse projekti dështoi.
Ja akuzat përse duhet të hetohet Lefteri Lleshi
– Të hetohet për sabotim me qëllim të projektit elektronik që do të përdorej për herë të parë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, në qarqet e Tiranës dhe Fierit, për t’i lënë mundësi manipulimit të votës.
– Të hetohet për shpërdorimin e 4,2 milionë eurove që i parapagoi kompanisë, edhe pse projekti nuk u zbatua për shkak të mungesës së teknologjisë. 
– Të hetohet se tenderi që u zhvillua për projektin elektronik të zgjedhjeve të 23 qershorit, nuk ishte transparent. Për këtë dëshmi janë konkluzionet e PS-së, si edhe pohimet e Damian Gjiknuri, Genc Gjonçaj, Koli Bele, atëhere sekretarët për Çërshtjet Zgjedhore të PS-së, të botuara edhe në gazetën “Telegraf”. 
– Të hetohet se shkeli Kodin Zgjedhor, saktësisht dispozitat ligjore për zbatimin e projektit elektronik në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Qarkun e Fierit dhe Qarkun e Tiranës.
– Të hetohet se cënoi standartet e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 me dështimin e projektit elektronik në qarqet e Fierit dhe të Tiranës. 
Sigal