Kuvendi rrëzoi dekretin për Përmbarimin, Meta sqaron pse e ktheu

404
Sigal

Mungoi në Komisionin e Ligjeve, por Institucioni i Presidencës ka zgjedhur të bëjë publikë arsyet se pse Kreu i shtetit vendosi të mos dekretojë ligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.

Në një përmbledhje të arsyeve të kthimit të Ligjit, Presidenca konstaton se disa nene të tij, nuk janë në harmoni me legjislacionin aktual në fuqi; shkaqe këto të cilat mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë, apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese të sigurisë juridike, si dhe nismës dhe veprimtarisë së lirë ekonomike.

“Ky ligj nuk përcakton një mekanizëm të qartë ligjor për të evidentuar nevojën reale mbi përcaktimin e numrit të përgjithshëm të përmbaruesve gjyqësor privat, si dhe shtrirjen e këtij shërbimi në të gjithë territorin e vendit,” thuhet më tej në përmbledhjen sqaruese të Presidencës.

Bazuar në këto konstatime, Presidenti i Republikës, vlerëson se është momenti që këto dispozita të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi me qëllim qartësimin e përmirësimin e tyre.

Ndërkohë në mbledhjen e sotme Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës që ktheu në Kuvend për rishqyrtim ligjin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat.