Kuvendi miraton buxhetin e 2019-s/ Sherri i Braçes me ministrin Ahmetaj për fashën e pagave, kritika e Stërkaj për kazinotë dhe reagimi i Ramës

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca nuk voton amendamentin e Braçes për tatimin mbi pagën deri në 40 mijë lekë. Kryeministri Rama: Nuk u bë deti kos

Sigal

Dje Kuvendi kishte në rend të ditës miratimin e projektbuxhetit të 2019-s, ndërkohë që opozita bojkotoi seancën. Mirëpo, seanca plenare nuk filloi e qetë, sepse mazhoranca u trazua nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili nuk ishte dakord me disa nene të buxhetit, të hartuar nga ministri i Financave Arben Ahmetaj.

Buxheti fut në ‘sherr’ grupin e PS, debate para nisjes së seancës

PS-ja para orës së seancës mblodhi urgjent grupin e saj parlamentar, përpara zhvillimit të seancës plenare, e cila ishte parashikuar të niste në orën 10:00. Burime nga mbledhja bënë me dije se pati debate mes grupit të PS, ku kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ka vërejtje për buxhetin. Braçe ka pasur kundërshtime për disa nene të buxhetit dhe kërkoi tatim zero për pagën deri në 40 mijë lekë. Propozimi i Erion Braçes, ka pasur mbështetje dhe nga deputetë të mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë. Aktualisht është 0 taksa për pagat deri 30 mijë lekë.

Deputeti Stërkaj: Të pasurit paskan të drejtë të luajnë, të varfrit s’paskan të drejtë të luajnë me lojërat e fatit. 

Deputeti i PS, Paulin Stërkaj ka dalë kundër qeverisë së tij për lojërat e fatit. Në Kuvend, ai tha se është pro heqjes së bixhozit, por kjo duhet të ndodhë edhe në hotelet me 5 yje. Sipas tij, nëse merret ky vendim për t’i hequr, duhen hequr në çdo institucion turistik, dhe jo të bëhen diferencime mes shoqërisë.

Sterkaj: Nuk jam as me Braçen për këtë amendament, por nuk jam as me ministrin, se unë këtë nuk e kuptoj. Heqja e lojërave të fatit është hequr në masë absolute tek sporti, bixhozi dhe lojërat elektronike, por është dhënë në hotele me 4 apo 5 yje. Pra këtu nuk është hequr bixhozi për njerëzit, këtu bixhozi ekziston. Nëse bixhozi hiqet, të hiqet absolut në çdo institucion turistik. Jam kundër Braçes që t’i vëmë 30% sepse ata do fitojnë. Unë do isha të hiqet krejt bixhozi, mos stimulohen, as në hotele me 5 yje, as me 6 yje, për shkak se këtu po ndajmë shtresat. Të pasurit paskan të drejtë të luajnë, që shkojnë në hotele me 5 apo 6 yje. Ndërsa të varfrit s’paskan të drejtë të luajnë me lojërat e fatit. 

Tatimi mbi pagat deri në 40.000 lekë nuk miratohet

Kuvendi ka rrëzuar amendamentin e propozuar nga Erion Braçe mbi tatimin për pagat mujore deri në 40 mijë lekë. Gjatë diskutimit me ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetajn, për tatimin mbi të ardhurat personale, Erion Braçe propozoi taksë zero për ata që kanë një pagë mujore deri në 40 mijë lekë. Pas diskutimeve dhe hedhjes në votim, 63 deputet votuan kundër, 1 pro (vetë Braçe), 12 abstemin. Braçe: Nga shuma e pagave te deklaruara nga 20 mld lekë, paga deri 40 mije lekë të vjetra zënë vetëm 2.5 % të totalit si të ardhura nga puna, nga rroga, por të ardhurat mbi 4 miliardë, zënë 20% të gjithë rrogave. Nëse sot buxheti nuk ka mundësi se fatura e kësaj mase shkon 4.6 mld lekë, ta bëjmë këtë diskutim pjesë të proceseve mbi tre muajt që të kemi ligj që të godasë pabarazinë në vend. – u shpreh Braçe. Ministri e Ekonomisë Arben Ahmetaj u shpreh se 97% të punësuarve kanë ulje taksash. “Taksimi nga 30-40 mijë lekë është simbolik. Përsa u përket të ardhurave nga kapitali nga 0-5 mln e kemi zero, dhe nga 5-14 mln lekë e kemi 5%. Kemi një pasqyrë të konsoliduar që e ndihmon punësimin dhe ruan një balancë të drejtë. Do të sugjeroja ta rrëzonim amendamentin.”- u shpreh Ahmetaj.

Reagimi i kryeministrit Rama

Duke pasur parasysh që FMN e ka nisur historinë e marrëdhënies me ne në vjeshtën e 2013 me kërkesën për të ulur pagat e pensionet dhe sot e gjithë ditën i qëndron kërkesës për të zbritur më poshtë nivelin e taksimit të pagës, pra për ta filluar taksimi e pagës nga 150 mijë lekë të vjetra që natyrisht ne e kemi refuzuar, është mirë që të mos dalim nga konteksti në të cilin jetojmë. Ne jemi shumica që kemi taksuar më fort ata që fitojmë më shumë. Kur të më tregoni një vend në rajon që e takson zero biznesin e vogël me xhiro deri në 140 mijë dollarë, deri në 5% atëherë hajde dhe e bisedojmë. Pagat 400 taksoheshin 10%, sot paguhen vetëm 1.89% që është një taksim në raport me ata që janë 300 e poshtë qe nuk paguajnë asgjë. Unë e kuptoj që mund të vijmë te kërkesa që kush lexon buxheti i shtetit ti japë lekë, por nuk jemi këtu. Po kjo nuk do të thotë që u bë deti kos, nuk jemi armiqtë e atyre që kanë më shumë.

Mazhoranca nuk voton amendamentet e deputetit Braçe

Amendamentet e Braçes për paketën fiskale, që nuk u votuan dje nga maxhoranca në Kuvend janë: Mosndryshim i taksës minerare. Rritje e taksës për lojërat e fatit nga 15% ne 30%. Zerim të taksës për shitjen e librave. Rritje e fashës së pagës qe nuk tatohet nga 30 mijë lekë në 40 mije lekë. Taksa e ndërtesës për Organizatat e personave me aftësi ndryshe dhe libraritë të jetë zero.

Miratimi i Buxhetit

Kuvendi miratoi Buxhetin e Shtetit për vitin 2019. Parlamenti votoi me 76 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.