Dy studentet sexy dhe HAJDUTI “3D”

498
Sigal

Nga Andi Bushati

Me inteligjencën, finesën dhe cinizmin rinor që po karakterizon një nga protestat më të bukura që po e nderon Shqipërinë prej tre ditësh, dy vajza që po marshonin mes mijra të singjashmëve të tyre, mbanin në duar një pankartë therëse: “Mbrëmë fjeta tek konviket 3D të inxhinjerisë”.

Gjetja ishte super seksi (në kuptimin inteligjent të fjales). Ajo i përgjigjej flakë për flakë një postimi që Edi Rma kishte shpërndarë dje, ku tregohej se si do rikonstruktoheshin në imagjinatën e tij dixhitale konviketet e studentëve.

Në vend të gjendjes së tyre të mjerë, rrjepjes që iu bëhet për të çuar paratë e tyre tek oligarkët, kryeministri i vendit u propozonte një të ardhme virtuale.

Kjo është fabula e qeverisjes së tij: në këmbim të mizerjes të tregon kartolinën, në vend të varfërisë projektet e gratacielave gjigande, në vend të shtëpisë që të prish, maketin shumngjyrësh të rreth rrotullimit tek shqiponja.

Dhe pikërisht këtu, fabula e studentëve që po protestojnë i ngjan asaj të banorëve të unazës së re. Edhe me ata, e njëjta pardodi. Në vend të shtëpive që po u prishnin për të fituar plot 20 milionë euro nga tenderi 40 milionësh për 2.2 km rrugë , u tregonin, ashtu si indianëve pasqyrat, projektin dixhital të unazaës.

Zbulimi që bëri të enjtën në mbrëmje emisioni “Të paekspozuarit”, se të gjitha dokumentat e këtij tenderi ishin fallcifikime të letrave të shtetit amerikan (këtë e pranuan edhe organet vendase që e pezulluan atë) me qëllimin për të dërguar paratë e qeveritarëve në parajsa fiskale, e tregon fare qartë se çfarë prezumon kjo poropagandë dixhitale.

Ajo do të shesë një realitet virtual, në vend të një vjedhjeje reale.

Ajo është gjithmonë e njëjta, si tek sheshi shqiponja, si tek teatri i Bjorke Ingels, si tek projektet e rilindjes urbane, si tek PPP 1 miliard euroshe dhe si tek kjo e fundit: konviket e reja të qytetit studenti.

Ato vajza të hijshme që mbanin atë pankartë në duar treguan me një slogan të vetëm se e kishin kuptuar këtë butafori që mundohet ti gënjejë shqiptarët prej 5 vitesh. Dhe prandaj ato marshuan sot në rrugë. Jo vetëm dhe thjeshtë se nuk kanë një shtrat komod për të fjetur në konvikt. Jo vetëm dhe thjeshtë se nuk kanë para për një provim të prapambetur. Jo vetëm dhe thjeshtë për të përgjysmuar tarifën e studimit.

Zaptimi i rrugëve të Tiranës dhe protesta që ka marrë përmasa të paimagjinuara, por tregon se ata studentë kanë kuptuar shumë më shumë. Se ata janë të ndërgjegjshëm që hajduti 3D po vjedh të ardhmen e tyre. Po vjedhsh shkollimin e sotëm, punësimin e nesërm, të ardhmen e lirë, një shoqëri me shance të njëjta, dhe me mundësi të barabarta.

Mjafton të dëgjosh himin e protestës së tyre ku demaskohen ato që quhen pallavra qeverie të ardhura nga njerëz të zhytur në luks dhe me makina të shtrenjta. Mjafton të kuptosh antitezën që ata bëjnë mes këtyre pallavrave dixhitale dhe jetës së tyre të lënë “në varfëri pa punë, pa dije, pa rini”!