Kuvend, debate të ashpra, fyerje e akuza, PD braktis seancën

422
Sigal

Berisha: Je pervers, të kanë ndarë 5 gra. Rama: Mban peng PD, mbeturina të komunizmit

Seanca plenare e mbajtur ditën e djeshme në kuvendin e Shqipërisë u përfshi në debate të ashpra midis maxhorancë dhe opozitës, ku këta të fundit bojkotuan seancën, duke u larguar.

 Berisha-Ramës: Je zhuls dhe qelbesh erë

Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë për vendime krejtësisht të papërgjegjshme, duke kërkuar të diskutohet në Kuvend marrëveshja me FMN-në. Me tej ai drejtoi fyerje në adresë të Edi Ramës. Berisha është shprehur se, kryeministri fyen punonjësit, duke i cilësuar si kokë palarë dhe e ka cilësuar si zhuls. “Kur ishe në skuadrën e basketbollit askush se pranonte në dhomë sepse qelbej erë. Ai doli nga mbledhja e parë e themelimit të PD-së sepse qelbej erë. Ai është një zhuls që vetëm ai e di. U gjende lakuriq në plazh pa të mbathura. Shkon e fyen punonjësit, çfarë Kryeministri je ti? Ti je ordiner. Ata janë zgjedhësit tanë dhe ti nuk guxon t’i ofendosh”,- u shpreh Berisha.

Rama-Berishës: Jeni bërë si Shaban Qosja

Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur sulmeve dhe fyerjeve të ish-Kryeministrit Berisha, duke u shprehur se, askush nuk mund t’i imponohet me fjalë e shpifje, por vetëm me argumente. Ai e etiketoi kështu dje Kuvendin: “Ka dy palë në këtë Kuvend, njëra palë është dhe vjen këtu çdo të enjte dhe kur ka seancë për të debatuar dhe vendosur për Shqipërinë, një palë tjetër që është që vjen në çdo seancë për të prishur çdo debat për Shqipërinë. Ky është dallimi mes nesh dhe jush. Për ata që kanë ardhur në Tiranë mbas vitit ’90 dhe nuk e kanë njohur dua të shpjegoj se, dikur ishte një personazh i njohur i rrugëve të Tiranës që quhej Shaban Qosja . U bë i famshëm për faktin se, kur nuk merrej njeri me të i turrej njerëzve dhe thoshte çfarë ke me mua. Dhe ju sot, si shumë seanca me radhë jeni bërë si Shaban Qosja. Edhe se kush e mban peng PD-në, opozitën dhe çdo seancë kur jeni prezent. Edhe tërësinë e ju aty që dëgjoni një burrë plak të shfryjë gjithë fjalorin e ulët të gjuhës shqipe dhe e duartrokisni dhe buzëqeshni shqiptarët e dinë shumë mirë. Mos përmendi më litarin në shtëpinë e të varurit, se të varurin e keni brenda dhe ju mban të varur”,- u shpreh Rama.

Brisha: Ti je një ordiner rrugësh, nuk e meriton Parlamentin

Me një gjuhë plot me akuza ka reaguar deputeti Berisha ndaj deklaratës së Kryeministrit, duke përdorur deri nota fyese. “Ti je një ordiner rrugësh, ti nuk meriton Parlamentin, shqiptarët të besojnë se, u premtove shërbimin shëndetësor falas, u premtove heqjen e TVSH të energjisë elektrike dhe po ua rrit çmimin e energjisë elektrike. Shqiptarët të besojnë se, u premtove uljen e taksave, por as rrogën nuk ua rrite, përkundrazi ua tatove. Sa i përket gjuhës shqipe. Shko e pyeti fermerët për naftën, shoferët, sigurisht ti nuk paguan asnjë qindarkë për naftën dhe sikur çmimi të shkojë 400 mijë lekë, ata që paguajnë çdo një prej tyre. Gjithçka në psikikën tënde është perverse. Ti ke krijuar një model të zi në mendjen tënde, ti kudo që shkon sheh hajdutin, të palarë, sheh gjithë patologjinë e mendjes tënde dhe pastaj paske hall për shqipen. Po shqipja nga i bazon fjalët, nga dalin fjalët e gjuhës sonë? Deputet po nis ti, përmende litarin kur ti do më falësh ti, por njëra pas tjetrës të kanë ndarë 5 gra. Cili është litari tani”,-tha Berisha

Pas mosgjetjes së konsensusit për të futur në rendin e ditës marrëveshjen e qeverisë me FMN, deputetët e Partisë Demokratike kanë lënë sallën e Parlamentit. Debatoi vijoi mes deputetit Fatmir Mediu dhe Ramës për çështjen e pronave.

Mediu: Rama ka thënë, nuk merrem me pronarët pasi nuk jam parti e tyre

Mediu, i cili nuk e braktisi seancën si deputetët e tjerë të opozitës, reagoi ndaj akuzave të Kryeministrit për ish-nënkryetarin e AKK-së, Agim Toro. “Është shumë e rëndësishme që, kur flisni të bazoheni në fakte, por ju e keni zakon që çdo njeri e nëpërkëmbni”,-tha ai.

Rama:E përdorët shtetin deri në banalitete

Rama reagoi ashpër ndaj deklaratës së kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. “E kuptoni çfarë ka mbajtur Shqipëria? Njerëz që e kanë përdorur shtetin deri në banalitete. E kanë përdorur tezën deri imagjinoni të dalë pronari i koloseut të Romës. Po ti je mësuar ta marrësh fjalën vazhdimisht me pronarët dhe të bësh sikur i mbron. Unë mund ta marr dhe me qetë se nuk u kam thënë pronarëve 20 vjet që do ju kthej pronat, dhe s’kam mik pronar të teatrit të Butrintit. Dhe këto janë faktet gjendja e kthimit të pronave, inventarit të pronave, është akuza më e fortë që ju bëhet ju si pushteti i djeshëm që duhet të kishit marrë pronat me kohë e vakt dhe vini këtu e flisni për Strasburgun, Europën”,-tha Rama

Kryeministri Rama akuzoi qeverinë e shkuar për fyerje ndaj të përndjekurve politikë. “Janë 2027 dosje të verifikuara, të pranuara qe duhet të merrnin paratë e dëmshpërblimit, edhe dosjen e atij që u dogj dhe ju nuk i keni marrë parasysh, se forca juaj, pushteti juaj, nuk ka lidhje me vuajtjet e regjimit komunist, zero. Ju jeni shëmbëlltyra më karikaturale e regjimit, mbeturinat më të shëmtuara të regjimit komunist, duke lënë për më shumë se 20 vjet këtë lloj mbeturine, që kalbëzon demokracinë, me në krye atë që ju merr ju për hunde. Unë nuk e dija ku ishe zotërote kur digjej i gjallë një ish-i përndjekur politik, nuk të pashë as ta qaje. Jeni vrima e fundit e kavallit dhe është gjynah të merremi me ju”- i tha Rama, Mediut.

Përgatiti: Klara ÇAUSHI