Kryemadhi: Ky vit akademik historik në tranzicionin shqiptar. Studentët sot, si studentët e viteve 90-të që përmbysën diktaturën

452
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi takim me Komitetin Drejtues të LRI-së së Elbasanit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me Komitetin Drejtues të Lëvizjes Rinore për Integrim të qytetit të Elbasanit, ku foli për protestën e ditës së hënë. Kryetarja e LSI-së tha se studentët sot po bëjnë pikërisht të njëjtën gjë si studentët e viteve 90-të të cilët përmbysën sistemin e diktaturës, Kryemadhi tha se kjo do të bëjë që ky vit akademik do të jetë një pikë e rëndësishme në historikun e tranzicionit shqiptar. “Ditën e hënë fillon për studentët dhe gjimnazistët viti akademik, një vit akademik, i cili do të jetë një memorie e gjatë, por edhe një memorie shumë e bukur për studentët shqiptarë, por edhe për gjimnazistët. Sepse ky vit akademik 2018-2019 do të jetë një pikë në historikun e tranzicionit shqiptar,  ku mbas 28 viteve rinia shqiptare ripërsëriti të njëjtin skenar, ripërsëriti të njëjtën protestë që bënë studentët shqiptarë në vitet 90-të për të përmbysur diktaturën komuniste dhe për të kaluar Shqipërinë nga një vend komunist, nga një vend diktatorial në një vend pluralist dhe me demokraci. Edhe pse pas 28 viteve tranzicion, ne përsëri diskutojmë dhe kemi problem demokracinë, diskutojmë dhe kemi problem mënyrën e të funksionuarit të shtetit, sesi qeveria nuk i dëgjon qytetarët e saj, se si qeveria i detyron qytetarët e saj të largohen nga Shqipëria.”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Ajo krahasoi qeverinë Rama dhe familjarët e kryeministrit me bllokun e udhëheqjes së regjimit komunist. “Por edhe mbas kaq vitesh përsëri ne kemi të njëjtin sistem, dhe jemi kthyer në një sistem i cili promovon dhe përkrah dhe suporton të pasurit, pra një grusht njerëzish. Dikur promovonte bllokun e udhëheqjes, sepse ju jeni shumë të rinj dhe ju duken si përralla këto që themi ne, por dikur kishim një bllok udhëheqje me 18 veta, sot kemi një qeveri me 11 veta, plus dhe familjarët e kryeministrit dhe prapë shkojnë 18 veta. Pra dikur kishim bllokun e udhëheqjes, sot kemi qeverinë e Edi Ramës”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit

Faleminderit të gjithë juve që në një farë mënyrë keni qenë fytyra, keni qenë shpirti jo vetëm i Lëvizjes Rinore për Integrim, por edhe të forcës dhe motorri entuziast të LSI në Elbasan. Dua t’ju uroj një vit të mbarë. Ditën e hënë fillon për studentët dhe gjimnazistët viti akademik, një vit akademik, i cili do të jetë një memorie e gjatë, por edhe një memorie shumë e bukur për studentët shqiptarë, por edhe për gjimnazistët. Sepse ky vit akademik 2018-2019 do të jetë një pikë në historikun e tranzicionit shqiptar,  ku mbas 28 viteve rinia shqiptare ripërsëriti të njëjtin skenar, ripërsëriti të njëjtën protestë që bënë studentët shqiptarë në vitet 90-të për të përmbysur diktaturën komuniste dhe për të kaluar Shqipërinë nga një vend komunist, nga një vend diktatorial në një vend pluralist dhe me demokraci. Edhe pse pas 28 viteve tranzicion, ne përsëri diskutojmë dhe kemi problem demokracinë, diskutojmë dhe kemi problem mënyrën e të funksionuarit të shtetit, sesi qeveria nuk i dëgjon qytetarët e saj, se si qeveria i detyron qytetarët e saj të largohen nga Shqipëria. Por edhe mbas kaq vitesh përsëri ne kemi të njëjtin sistem, dhe jemi kthyer në një sistem i cili promovon dhe përkrah dhe suporton të pasurit, pra një grusht njerëzish. Dikur promovonte bllokun e udhëheqjes, sepse ju jeni shumë të rinj dhe ju duken si përralla këto që themi ne, por dikur kishim një bllok udhëheqje me 18 veta, sot kemi një qeveri me 11 veta, plus dhe familjarët e kryeministrit dhe prapë shkojnë 18 veta. Pra dikur kishim bllokun e udhëheqjes, sot kemi qeverinë e Edi Ramës. Pra kemi të njëjtat kushte, të njëjtat standarde, të njëjtën veprimtari, të njëjtën logjikë, të njëjtën funksionim të institucioneve të shtetit. Pra një popull i tërë që punon për një grusht njerëzish, dhe gjithë të tjerët të kthyer dhe të përfunduar në argatë të këtij grupi njerëzish. Siç thashë edhe pak më parë, ky vit akademik do të jetë në memorie, sepse studentët shqiptarë edhe pse të paorganizuar, edhe pse pa një kokë që ti drejtojë kanë zgjedhur një mënyrë proteste shumë elegante, shumë evropiane mund të them, një mësim shumë të mirë për opozitën dhe klasën politike shqiptare, për të treguar që ne kemi tetë kërkesa minimale të cilat janë obligim i qeverisë, është detyrim i qeverisë dhe janë të drejtat e tyre. Dhe nuk kanë as pse të negociojnë, as pse të dialogojnë për minimumin, nuk ke për çfarë të dialogësh kur ti kërkon të mbijetosh. Se mund të dialogosh kur diskuton për rritjen e standardit, nga një standard mesatar në një standard luksoz. Por nuk mund të dialogosh dhe negociosh për mbijetesën. Kështu që gjërat janë shumë të qarta. Unë në rradhë të parë dua tju falënderoj për të gjithë ata studentë të Universitetit të Elbasanit, të cilët një pjesë e tyre përfaqësohen me ju këtu, sepse në të gjithë organizimin e protestës së Elbasanit ka dhe shumë djem dhe vajza të tjera, që nuk janë pjesë e strukturës së LSI, por janë të partive të tjera politike, ose janë edhe pa parti fare, por ajo çka të bën dhe të krijon emocion është solidariteti studentor i studentëve të Elbasanit për t’ju bashkuar protestës së studentëve të Tiranës. Në fakt studentët në Elbasan, apo në Korçë dhe qytete të tjera janë më të diskriminuar se shumë studentë të tjerë në Tiranë, për shkak të kushteve të jetesës, për shkak të infrastrukturës, për shkak të shumë problematikave të tjera. Edhe pse stafi akademik apo stafi pedagogjik të Universitetit të Elbasanit mund të ketë problemet e veta që nuk ka asnjë Universitet pa probleme, por ajo që bënë përshtypje është që pavarësisht nga kjo, pedagogët dhe drejtuesit e Universitetit gjithmonë janë munduar për të krijuar mundësi promovimi apo dhe zhvillimi në Universitet. Probleme ka. Po ka probleme sa të duash, nuk ka institucion pa probleme, dhe në shtëpinë tonë ku jemi, ne kemi probleme. Kemi probleme, të cilat mundohemi t’i zgjidhim të gjithë bashkarisht, por kurrë, asnjëri nga ne nuk pranon komshiun që të vijë dhe t’ia zgjidhë problemet.

Kështu që edhe problemet e Universitetit nuk mund t’i zgjidhë Edi Rama marrëdhëniet midis pedagogëve dhe studentëve. Edi Rama ka një detyrë, të ulë tarifat e Universitetit dhe të krijojë infrastrukturën e zhvillimit të një mësimi normal për studentët. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe për gjimnazistët, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe për shkollat 9-vjeçare, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe për kopshtet dhe çerdhet.

Nuk mund të vazhdojë Edi Rama që të mbulojë të gjitha dështimet e tij dhe të gjitha premtimet boshe dhe mashtruese të tij duke thënë që fajin e ka Saliu, fajin e ka LSI-ja, fajin e ka Luli, fajin e ka Monika, fajin e kanë pedagogët. Pastaj do dalë dhe mos u çudisni kur nesër do të dalë dhe të thotë fajin e ka populli. Mos u çudisni kur nesër të dëgjojmë Edi Ramën që fajin e ka populli, fajin e kanë shqiptarët sepse Edi Rama është një njeri shumë i mirë, por shqiptarët nuk e kuptojnë atë.

Ky është standardi që po krijon Edi Rama në Shqipëri. Megjithatë, ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme është që nesër rifillon protesta masive e studentëve në Tiranë përpara Kryeministrisë, ku të gjithë studentët do mblidhen përpara fakulteteve të tyre dhe më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Të njëjtën gjë kam përshtypjen se do të organizojnë edhe në Universitet e tjera sipas angazhimit, por do t’iu kërkoja që të bënit një thirrje, të gjithë ju përfaqësuesit e universitetit të Elbasanit që jeni këtu në LRI.

Nuk është më thjesht ideja për të takuar studentët, tashmë duhet të takoni pedagogët, duhet të zgjoni pedagogët. Janë ata viktima e radhës që Edi Rama ka vendosur në listën e tij të hakmarrjes. Janë ata, të cilët Edi Rama do që t’i eskludojë profesionalisht, do t’i eskludojë shoqërisht, pra në të gjithë shoqërinë shqiptare, duke treguar që faji i të gjithë problemeve të Universitetit shqiptar na qenkan pedagogët dhe nuk na qenka Edi Rama që dështoi me reformën e tij arsimore. Prandaj, pedagogët si njerëz të cilët në shumicën e rasteve kanë parë punën e tyre dhe nuk janë përfshirë në afera politike, apo në lëvizje dhe angazhime politike, sot ju ka ardhur në derë problemi, dhe problemi i tyre nuk janë më studentët, problemi i tyre nuk janë partitë politike, por problemi i tyre është vetëm një, është Edi Rama, i cili i ka mashtruar shqiptarët duke thënë që do hap 300 mijë vende pune dhe për këtë e kanë fajin pedagogët, sepse nuk i ka hapur 300 mijë vende pune, por ka larguar 400 mijë shqiptarë.  Por çfarë do t’ju thotë Edi Rama që ju gënjeva?!, Jo, ai do thotë që fajin e kanë pedagogët. Ka mashtruar duke thënë që do të ulë TVSH e energjisë elektrike, të gjithë ju besoj se pjesa më e madhe e juaja e paguajnë prindërit faturën e energjisë elektrike, në faturë keni 20% TVSH.

Në premtimet e tij thotë që ai 20% i TVSH-së, pra në qoftë se keni energji elektrike 100 mijë lekë për të paguar 20 mijë lekë i ke TVSH, Edi Rama ka premtuar që nuk do paguash 20 mijë lekë, por do paguash 6% të energjisë elektrike, pra i bie 6 mijë lekë.  Por përsëri ka gënjyer, përsëri ka mashtruar, pra çfarë do të thotë, do dali dhe do të thotë që fajin e kanë pedagogët, sepse nuk e kanë mësuar mirë studentët që të bëjë llogaritë mirë, apo të bëjnë faturat e energjisë elektrike. Ka thënë që do të ulë TVSH e ushqimeve të shportës, pra që bukën të mos e blejmë  500 lekë, por ta blejmë 300 lekë, do thotë edhe për këtë gënjeva, por prapë fajin e kanë pedagogët. Ka thënë që do të bëjmë arsim publik falas, edhe për këtë e kanë fajin pedagogët. Ka thënë që do të bëjmë shëndetësi falas, ju e dini shumë mirë që nëpër spitale vetëm shëndetësi falas nuk kemi. Kemi shëndetësinë më të shtrenjtë, më shumë të kushton në një spital publik mjekimi se sa në një spital privat, ama edhe për këtë e kanë fajin pedagogët. Për rrugët e kanë fajin pedagogët, për ajrin që është i ndotur e kanë fajin pedagogët, për bukë që nuk kanë shqiptarët nëpër tavolina e kanë fajin pedagogët, se tashmë kush është problemi i Edi Ramës? Problemi i Edi Ramës tashmë janë studentët në rrugë, të cilët kërkojnë 8 kërkesat e tyre më minimale, që janë minimalja e minimales, për një muaj 20 milionë euro, ja ku i ka paratë për të ulur gjysmën e tarifës së studentëve. Më 31 dhjetor ka firmosur 58 milionë euro të tjera prapë koncesion, prapë një akt korruptiv, ja ku i ka prapë paratë për të përgjysmuar tarifat e studentëve.

Po pse e paska kaq problem që ti uli tarifën studentëve, kur me dy firma i falka 100 e ca milionë euro ca individëve dhe nuk i jepka dot 140 mijë studentëve, nuk i suporton dot 140 mijë familje shqiptare që t’i uli tarifën e Universitetit. Po ç’qenka ky njeri që më shumë i dhimbsen 2 biznesmenë se sa 140 mijë familje shqiptare.

Ai ishte ky që bëri reformën e ndihmës ekonomike, sepse në Elbasan ju e dini shumë mirë që familjet me ndihmë ekonomike kanë numrin më të lartë edhe pse është një nga bashkitë më të mëdha, por për shkak të papunësisë, të lëvizjes së banorëve, për shkak të zbritjes nga zonat e thella rreth qytetit, qoftë të Librazhdit, qoftë të Përrenjasit, qoftë të Gramshit apo edhe zona të tjera.

Papunësia është rritur shumë, mungesa e pronës, mungesa e të qenit prezent në ekonominë shqiptare, ka rritur varfërinë jashtëzakonisht shumë në Elbasan dhe vetëm Elbasani me disa parashikime, janë 35 mijë të papunë, të paktën kanë qenë para disa vitesh dhe kam përshtypjen që do të jetë shtuar numri i të papunëve, por nuk janë të deklaruar sepse janë larguar.

U bë reforma e ndihmës ekonomike për të hequr njerëzit nga lista. U hoqën 27 mijë familje në të gjithë Shqipërinë sepse thanë që këto 27 mijë familje nuk e meritojnë sepse kanë një televizor, apo një frigorifer apo një sobë, apo një lavatriçe, apo edhe një antenë në çati nuk e meritojnë ndihmën ekonomike dhe nuk do ja japim dhe këto para ne do ti rishpërndajmë tek familjet që ngelën. Jo vetëm që nuk i rishpërndanë, por edhe ato familje që mbajti në listën e ndihmës ekonomike, Edi Rama u’a zvogëloi ndihmën ekonomike. Pra ky njeri edhe për këtë do të ua hedhë të gjithë fajin pedagogëve, pedagogët e kanë fajin, Universiteti e ka fajin, administrata e Universiteti e ka fajin. Ky nuk ka faj fare, ky bën vetëm skulptura, piktura dhe ky është njeriu më i ndershëm, ky është njeriu që na përfaqëson ne të gjithëve dhe ne të tjerët jemi të  gjithë fajtorët e gjithë kësaj varfërie dhe e këtij abuzimi që ndodh me paratë e shqiptarëve.

Prandaj, një nga takimet që ne bëjmë sot në Elbasan që ka të bëjë me strukturën drejtuese te Lëvizjes Rinore për Integrim është që duke filluar që sot të gjithë të nxirrni telefonat nga xhepi ku i keni ku s’i keni. Unë dua t’iu përgëzojë edhe për angazhimin e të gjithë asaj kohe që keni pasur në kohën kur Universiteti i Elbasanit ishte i hapur, por ndërkohë që nëpërmjet jush këtu dua që të falënderoj të gjithë ata studentët, të cilët e mbajtën zjarrin e protestës dhe natën e Vitit të Ri, dhe ditën e parë të vitit, duke qenë prezent përballë Kryeministrisë për të treguar që studentët shqiptarë nuk harrojnë, për të treguar që studentët shqiptarë nuk do të tërhiqen, për të treguar që studentët shqiptarë janë të bashkuar. Studentët shqiptarë janë të bashkuar pavarësisht flamujve politik, pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht besimit të tyre fetar. Studentët shqiptarë janë të bashkuar për ta çuar deri në fund këtë lëvizje për të plotësuar 8 kërkesat e tyre, dhe kjo është e qartë.

Në radhët e protestës ka eurosocialistë, ka demokrat, ka komunistë, ka ballistë, ka legalistë, ka LSI-stë, ka pa parti fare, ka veprimtarë të shoqatave joqeveritare, ka neo-komunistë, nuk ka asgjë të keqe, por ka vetëm një qëllim realizimi i 8 kërkesave të studentëve për t’i dhënë një mësim të mirë Edi Ramës dhe kujtdo që është mbrapa Edi Ramës, që ne nuk do të të lëmë ty që të bësh si të duash, ne nuk do të lëmë ty që të shkatërrosh të ardhmen e shqiptarëve dhe të të rinjve shqiptarë.

Protesta e studentëve do jetë një protestë, e cila nuk do të ndalojë deri sa të plotësohen 8 kërkesat sepse 8 kërkesat e studentëve nuk janë kërkesa partiake, por janë kërkesa politike, ekonomike. Sepse studentët nuk përfaqësojnë veten e tyre, përfaqësojnë familjarët e tyre, përfaqësojnë familjarët e tyre, të cilët sakrifikojnë çdo ditë, çdo orë të ditës për të fituar 5 lekë, në mënyrë që të paguajnë fëmijët e tyre shkollën.

 

Nuk dua të zgjatem shumë se mbas jush, ne do të jemi në Vlorë dhe më pas me strukturat e Tiranës në orën 19.00, por dua dhe kërkoj sinqerisht nga ju t’i shtrini dorën çdo të riu dhe të reje për të qenë pjesë e protestës nesër me studentët. Ju ndoshta në Elbasan pjesa tjetër në Tiranë, por shumë studentë të Elbasanit që janë studentë në Tiranë, të cilët duhet të marrin masa për të lëvizur më shpejt, për shkak të transportit apo infrastrukturës, në mënyrë të tillë që të jenë prezentë nëpër fakultetet e tyre në mëngjes dhe nga fakultetet më pas për të vazhduar marshimin drejt kryeministrisë. Nuk ka të bëjë me thirrjen e LSI, ka të bëjë me thirrjen e një gruaje që lufton për fëmijët e vetë, e cila në çdo moment do të sakrifikonte çdo gjë për të ardhmen e fëmijëve. Çdo shqiptar sot do ta bënte këtë gjë për fëmijët e tij. Ashtu sikurse unë mendoj që siç luftojmë për të ruajtur dhe për të mbajtur shtëpitë tona të paprekshme, ashtu duhet të luftojmë për ta mbajtur Shqipërinë si shtëpinë tonë të paprekshme, të pacenueshme nga kushdo tjetër. Nuk mund të mbajmë dreqin brenda, sepse dreqi brenda është mallkim për Shqipërinë dhe për shqiptarët. E kanë pas thënë dikush në kohët e lashta, më mirë djepi bosh se sa me dreqin brenda. E pra më mirë pa kryeministrin, se sa me Edi Ramën kryeministër. Sepse mallkimi më i madh që patën shqiptarët ishte Edi Rama kryeministër, i cili ktheu çdo segment të shtetit shqiptar në funksion të krimit të organizuar, në funksion të pastrimit të parave të drogës, në funksion të shkatërrimit të institucionit të shtetit, në funksion të shkatërrimit të institucioneve të meritokracisë. Njerëzit që vuajnë sot më shumë dhe që janë më të diskriminuarit janë socialistët. Ata janë të zemëruar, prandaj edhe ne duhet tu hapim dyert e partisë, sidomos të rinjve të Partisë Socialiste për të gjetur veten brenda nesh, në mënyrë të tillë që të bashkohemi  të gjithë bashkë në një solidaritet rinor për ta përmbysur këtë të keqe kaq të madhe. Nuk është Partia Socialiste e keqja jonë. E keqja më e madhe e shqiptarëve është Edi Rama me sektin e tij kriminal. Shikoni qeverinë e Edi Ramës, nuk ka asnjë socialist. Ky është mesazhi ynë i drejtpërdrejtë për të gjithë socialistët. Më gjeni një socialist në qeveri, përveç Erjon Braçes dhe Pandeli Majkos. Që të dy nuk kanë asgjë në dorë. Kanë vetëm fytyrën e tyre për ti shërbyer Edi Ramës për të thënë që ka socialistë. Prandaj ne jemi shumë të qartë në angazhimin tonë, jemi shumë të qartë në punën tonë, nuk duhet të ndalojmë. Duhet të punojmë po kështu me të gjithë gjimnazet, siç i kemi të gjithë strukturat në gjimnaze ti sensibilizojmë. Sepse mbasi të mbarojë me pedagogët Edi Rama, do fillojë varjen në litar të mësuesve nëpër gjimnaze. Mbas mësuesve në gjimnaze, do hyjë te mësuesit në 9-vjeçare dhe mbas tyre tek edukatoret në kopshte dhe në çerdhe. Kërkon Edi Rama Vetting?! Po Edi Rama përse nuk e pranon vettingun për veten e tij. Të na thotë Edi Rama, oxhakun te studio e vetë që thotë nuk është shtëpia ime, ashtu mund të thojë që nuk është shtëpia e tij se nuk e ka me letra, se e ka me letra në emër të tjerë. Para një muaji me studentët në Vlorë tha që kam qenë në emigracion dhe i kishte bërë paratë në emigracion për të ndërtuar shtëpinë. Dje tha që ma ka ndërtuar gruaja shtëpinë. Mos u çudisni kur nesër të thotë ma kanë bërë dhuratë, e kështu me rradhë. Pra një mashtrues, që nuk është i zoti të thotë të vërtetën edhe për krevatin ku vë kokën për të fjetur. Një mashtrues që nuk thotë të vërtetën për të thënë që edhe te ajo studio ku e ka blerë atë oxhakun që i kushton 18 mijë euro, le të thojë që e ka të vetën, se nuk po i thotë gjë njeri, por le të tregojë të vërtetën. Mos të bëj sikur është i varfër, sepse i vetëm i varfër nuk është. Është nga njerëzit me të pasur që ka Shqipëria sot, dhe është një nga njerëzit që offshore pa fund janë në emrin e tij dhe të familjarëve të tij. Prandaj të bëhet i ndershëm, të tregojë të vërtetën, sepse duke treguar të vërtetën do të jetë edhe më i çliruar emocionalisht, do të jetë edhe më i ndershëm me popullin e tij, pavarësisht se ka gabime pafundësisht dhe do të mbajë një ditë përgjegjësi për to. Do të dalë përballë drejtësisë dhe do të dalë përballë drejtësisë, të cilën e gatoi me duart e veta dhe ata do jenë më katilët që mund të ketë parë ndonjëherë në jetën e tij. Sepse frustrimin dhe denigrimin që i ka bërë këtij sistemi drejtësie atij do ti kthehet në kokën e tij. Unë ju uroj suksese. Shpresoj që nesër protesta e studentëve të ketë ritmin e saj, për të vetmen arsye sepse protesta e studentëve jo vetëm që na mbush shpirtin dhe zemrën, por na jep shpresë që ky vend një ditë do bëhet, që ky vend do të jetë një ditë anëtar i Bashkimit Europian, që ky vend do të ketë mundësinë, do të ketë rininë, do të ketë brezin i cili do ta drejtojë në rrugën e duhur.

Shqiptarët meritojnë një qeveri tjetër, shqiptarët meritojnë një kryeministër tjetër, shqiptarët meritojnë një qeveri shqiptare, e cila është shqiptare dhe e do vendin e saj.  Shqiptarët meritojnë një kryeministër shqiptar, i cili nuk shet dhe nuk bën pazar me pronat e vendit të vet, nuk shet dhe bën pazar me kufijtë e vendit të tij. Kështu që jam e bindur që protesta e studenteve do të jetë motivim, do të jetë shpresë dhe do të jetë zjarr nesër në Tiranë. Por sigurisht që kjo protestë do t’i duhet që të ketë edhe angazhimin tuaj maksimal për të mos u ndalur, për t’i dhënë frymë, për t’i dhënë zemër, për t’i dhënë energji, për t’i dhënë organizim dhe për ta nxitur më shume dhe për të qenë të gjithë më të bashkuar në këtë angazhim.

Gjithashtu për gjimnazistët edhe për drejtuesit e rajoneve të Elbasanit, nuk duhet të ndaleni edhe ju, duhet të denonconi çdo mësues apo drejtoreshë shkolle, e cila kërcënon me notën gjimnazistët. Mos u ndalni sepse denoncimi tashmë është bërë një nga elementët më të rëndësishëm përballë kësaj të keqeje shumë të madhe, e cila po kërcënon çdo ditë edhe më shumë rininë shqiptare. Zoti ju ruajtë, ju bekoftë familjet tuaja, suksese edhe pse me pak mungesa vitin akademik shkollor, unë jam e bindur që do të jetë një nga vitet akademike më të vështira për të mësuar, por do të jetë më i bukuri në memorien tuaj në të ardhmen. Faleminderit