Kushti i Bundestagut për krimin zgjedhor

Flasin për “Telegraf” avokatët Sokol Hazizaj, Zaçe Islami dhe Kujtim Cakrani: Politika, siç bëhet, është  vet vepra penale në përmbajtje dhe formë. SPAK-u nuk është formuar për drejtësi, por për të mbrojtur qeveritarët e korruptuar. Prokuroria u tremb të hetonte deputetë e ministra në dosjen 185

SPAK-u nuk është formuar për drejtësi, por për të mbrojtur qeveritarët e korruptuar

Sigal

Gazeta Telegraf

Më në fund, pas një maratone disa vjeçare dhe lojës së “kungulleshkës” që u luajt midis institucionit të prokurorisë së Krimeve të Rënda (sot SPAK) dhe prokurorisë së Dibrës për (mos)kompetencën e hetimit. SPAK-u dha vendimin për ‘dosjen 184’, të vjedhjes dhe blerjes së votës në zgjedhjet bashkiake të 2016-s. Ndonëse autopërgjimet e publikuara nga BILD dhe VOA, dëshmuan se kryeministri Rama, ministra, deputetë dhe drejtorë policie bashkëpunuan me persona me rekorde kriminale për të ushtruar presion, shantazh mbi votuesit, u blenë vota me para të padeklaruara për burimin e tyre, SPAK-u vendosi që vërtet është kryer vepër penale e krimit zgjedhor, por, meqë kanë përfunduar afatet e gjykimit, janë parashkruar veprat penale të zyrtarëve të lartë në këtë krim zgjedhor.
Gazeta “Telegraf” në forumin e saj, mori mendimin e avokatëve Sokol Hazizaj, Zaçe Islami dhe Kujtim Cakrani, të cilët, shprehen se krimi zgjedhor nuk mund të parashkruhet. Nëse SPAK-u do të hetonte si grup i strukturuar kriminal, meqë të gjithë bashkë bashkëpunuan në grup, për të njëjtin qëllim, blerjen e votës për partinë (nuk ishte interes personal i askujt), atëhere SPAK-u nuk do të parashkruante veprën penale dhe dënimet do të ishin shumë të rënda, siç parashikon Kodi Penal. Justifikim për parashkrim nuk ka, sepse vjedhja është e faktuar me zë për çdo person. Avokatët shprehen se në fakt as Krimet e Rënda dhe as SPAK-u nuk ndërmorën hetime, por i zvarritën ato qëllimisht, që të tejkaloheshin afatet kohore.

Av. Sokol Hazizaj
Politika tek ne, siç bëhet, është vet vepra penale në përmbajtje dhe formë
– Si e interpretoni vendimin e SPAK për ‘dosjen 184’, ku ka fakte që vota u vodh, po nuk mund të dënohen protagonistët politikanë, meqë ka kaluar afati?
– Është totalisht çështje politike, nuk vlen të prononcohem. Politika është autokombajnë e madhe që bluan dhe “ha” çdo gjë që del përpara, çdo spurdhjak dhe SPAK, gjithashtu. SPAK-un, Spartakun dhe spurdhjakun.

Politika është autokombajnë e madhe që bluan dhe “ha” çdo gjë që del përpara, çdo spurdhjak dhe SPAK, gjithashtu

– Duke dënuar vetëm disa persona pa asnjë detyrë politike, mos ndoshta SPAK do t`u thotë BE-së, Bundestagut gjerman, se edhe ‘dosja 184’ për vjedhjen e votave, u zbardh dhe u dënuan personat e implikuar?
– Kur flasin politikanët, të tjerët (prokurorë dhe gjyqtarë) heshtin. Politika nuk konsumon krim apo vepër penale, sepse është vet vepra penale në përmbajtje dhe formë, sa kohë vjen në krye të formësimit ligjeve me “votë”.

Av. Zaçe Islami
SPAK-u është instrument politik, që godet kundërshtarët politikë të qeverisë
– Si e interpretoni vendimin e SPAK për ‘dosjen 184’, ku ka fakte që vota u vodh, po nuk mund të dënohen protagonistët politikanë, meqë ka kaluar afati?
– Kjo loja e kalimit të afateve ka kohë që luhet sa herë dalin në dritë krime dhe kriminelë politikanë shqiptarë. O i shumëpërfoluri SPAK, në fakt, nuk është formuar për drejtësi, por për të mbrojtur politikanët e korruptuar dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse ata nga politikanët janë vendosur në ato karrike pikërisht për të mbrojtur interesat e tyre, për të mbrojtur krimet e tyre dhe të bashkëpunëtorëve të tyre në bandat kriminale. Nuk është rasti i parë që me anë “kalimit të afateve” mbulohen dhe nuk ndëshkohen krime dhe vjedhje të mëdha të pasurisë dhe taksave tona nga politikanë shqiptarë.

Nuk është rasti i parë që me anë “kalimit të afateve” mbulohen dhe nuk ndëshkohen krime dhe vjedhje të mëdha të pasurisë dhe taksave tona nga politikanë shqiptarë

Personat përgjegjës të përfshirë në ‘dosjen 184’ kishin konsumuar disa vepra penale, si korrupsioni në zgjedhje parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal

– Duke dënuar vetëm disa persona pa asnjë detyrë politike, mos ndoshta SPAK do t`u thotë BE-së, Bundestagut gjerman, se edhe ‘dosja 184’ për vjedhjen e votave, u zbardh dhe u dënuan personat e implikuar?
– Unë mendoj se edhe sikur të dënojnë disa persona pa funksione politike , do t’i dënojnë në mënyrë simbolike me dënime qesharake dhe mbas një perudhe të shkurtër do t’i lirojnë. Të paktën deri tani eksperienca këtë ka treguar. Nëse BE dhe Bundestagu Gjerman e kanë marrë seriozisht çështjen do jetë e pa mundur të fshihen pas afateve, por kjo do të varet nga serioziteti i tyre.
– A mund të justifikohet mosdënimi i vjedhjes së votës që përmban ‘dosja 184’ nga politikanët, meqë kanë kaluar afatet?
– Justifikim nuk ka, e nuk duhet të ketë për të dënuar një krim të çfardo fushe qoftë, por këto ndodhin thuajse kudo. E vërteta është që SPAK është kthyer në një instrument juridik vetëm për të goditur kundërshtarët politikë të qeverisë në pushtet.


Av. Kujtim CAKRANI
Prokuroria u tremb të hetonte veprën penale të zyrtarëve
– Si e interpretoni vendimin e SPAK për ‘dosjen 184’, ku ka fakte që vota u vodh, po nuk mund të dënohen protagonistët politikanë, meqë ka kaluar afati?
– Tashmë i gjithë opinioni publik vendas dhe i huaj, disa vite më parë u njoh me një skandal zgjedhor që ndodhi në qytetin e Dibrës. Ishte pikërisht ‘Bild’ që me anë të publikimeve audio mbajti të mbërdhyer publikun, duke i dhënë atij mundësinë të kuptojë si funksiononte skema e vjedhjes së votave, dhe kush ishin personat e përfshirë që e kishin organizuar atë. Ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit, që nga kryeministri, ministra, shefa policie, drejtorë lokalë, etj. Pra nga sa u kuptua nga përgjimet telefonike ishte tamam si një grup i mirëorganizuar me një qëllim të caktuar, blerjen e e votës në funksion të kandidatit të ‘Rilindjes’. Nga përgjimet mësuam me detaje funksionin dhe detyrat e çdo kujtë në këtë aksion. Kjo çështje u regjistrua dhe u nis për ta hetuar prokuroria e krimeve të Rënda sot SPAK, sepse veprimet e blerjes apo shtrëngimit dhe manipulimit ishin në formën e grupit të strukturuar, dhe duhej të hetohej prej kësaj prokurorie. Personat përgjegjës të përfshirë në ‘dosjen 184’ kishin konsumuar disa vepra penale, si korrupsioni në zgjedhje parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, por duke patur parasysh faktin që janë përfshirë edhe punonjës që ushtrojnë poste publike dhe përdorimi postit për veprimtari zgjedhore e parashikuar nga neni 328/b bën që kjo çështje të bëhet më e rëndë, duke patur parasysh që strukturimin e grupit. Nëse SPAK do ta hetonte si grup i strukturuar kriminal, atëherë ishte kjo gjykatë kompetente dhe dënimet do të ishin më të rënda dhe nuk do të kishte mundësi që kjo vepër penale të parashkruhej brenda afateve 5- vjeçare, ashtu si e parashikon ligji penal, neni 66 pika 1 gërma “ç” që thotë se, kur vepra penale parashikon një dënim deri në 5 vjet burgim, me kalimin e këtij afati ndjekja penale nuk mund të fillojë. Pra, duke u bërë një klasifikim të tillë kësaj vepre penale dhe duke e sorollatur sa andej këtej bëri që koha të kalonte dhe afatet procedurale gjithashtu.

Nëse SPAK do ta hetonte si grup i strukturuar kriminal, atëherë ishte kjo gjykatë kompetente dhe dënimet do të ishin më të rënda dhe nuk do të kishte mundësi që kjo vepër penale të parashkruhej brenda afateve 5- vjeçare

– Duke dënuar vetëm disa persona pa asnjë detyrë politike, mos ndoshta SPAK do t`u thotë BE-së, Bundestagut gjerman, se edhe ‘dosja 184’ për vjedhjen e votave, u zbardh dhe u dënuan personat e implikuar?
– Është e natyrshme që kjo çështje do të përfundonte në këtë mënyrë ku të gjenden dhe të deklarohen fajtorë persona dytësorë pa rëndësi politike. Çështja mori përmasa ndërkombëtare, dhe duke qenë se u politizua, njerëzit e pushtetit kërkuan me çdo kusht ta paraqesin këtë si një rast të izoluar dhe ndoshta të ndërhyjnë edhe pranë organeve ligjzbatuese, siç është prokuroria, etj. Madje, për ta sfumuar këtë çështje, kryeministri arriti deri aty, sa nisi edhe një proces gjyqësor ndaj gazetarit të gazetës gjermane për shpifje, etj, që më pas u detyrua ta tërhiqte këtë padi. Të gjitha qëndrimet e qeverisë shqiptare dhe organeve ligjzbatuese, lidhur me këtë masakër zgjedhore, ishin nën vëshgimin e qeverive të vendeve të BE-së, të cilat e kondicionuan progresin apo hyrjen e Shqipërisë për në Bashkimin Europian me zbardhjen dhe ndëshkimin e autorëve të vjedhjes së votës. Gjendur përballë kërkesave të vazhdueshme të këtyre vendeve dhe mosçeljen e negociatave, pasi si kusht i saj ishte edhe dënimi i autorëve të vjedhjes votave. Autoritetet shqiptare e lanë në heshtje këtë dosje për më shumë se 5 vjet, duke ju dhënë kështu mundësi organizatorëve të saj të mos përballeshin me ligjin, dhe në këtë mënyrë i veçuan ata përgjegjësit kryesor duke i lënë fajin vetëm disa personave pa asnjë rëndësi politike që në fakt rilindjes nuk i bëhet më vonë për ta, dhe në këtë mënyrë i thotë vendeve të BE që i dënuan përsonat përgjegjës për vjedhjen e votës dhe dosja 184 tashmë nuk ekziston më. Mirëpo ky veprim i qeverisë nuk mund të besohet lehtë nga kancelaria Znj. Merkel, pasi ajo por edhe Holanda kanë qënë konstant në qëndrimet e tyre përsa i përketë kësaj dosje dhe përsonave përgjegjës. Është naivitet të mendosh se mund të gënjesh vendet e BE-së për këtë çështje, pasi tashmë dihet se, zgjedhjet dhe votat në këtë vend blihen dhe këtë veprim e bënë vetëm pushteti pasi ai ka mekanizmin për ta bërë këtë gjë. Pra këta mundohen t’i japin publikur fajtor të pafajshëm vetëm e vetëm për të bindur vendet e BE-së.

Justifikim nuk mund të ketë as për vjedhjen e votes, as për kalimin e afateve procedurale, vjedhja e votës tashmë është faktuar me zë duke identifikuar edhe personat përgjegjës

– A mund të justifikohet mosdënimi i vjedhjes së votës që përmban ‘dosja 184’ nga politikanët, meqë kanë kaluar afatet?

– Justifikim nuk mund të ketë as për vjedhjen e votes, as për kalimin e afateve procedurale, vjedhja e votës tashmë është faktuar me zë duke identifikuar edhe personat përgjegjës, fakti që nuk u dënuan është shumë i thjeshtë, ata nuk u hetuan, sepse po të ishin hetuar të ishin thirrur qoftë edhe njëherë nga organi i akuzës do të ishte zbardhur gjithçka, kjo nuk ndodhi, sepse politika nuk donte ta quante këtë si një veprim të organizuar shtetëror, duke larguar përgjegjësinë prej vetes. Në kushtet kur hetimet nuk nisën kurrë, por kjo çështje ngeli vetëm në fazën e regjistrimit penal, pa veprime dhe përjelljen e dosjes nga një prokurori në një tjetër, ishte e qëllimshme dhe e mirëmenduar, duke llogatitur afatet e parashkrimit dhe në këtë mënyrë ju dha fund një çështje ndoshta nga më të paprecedentat në Shqipëri, përsa i përket vjedhjes dhe manipulimit  të votës së qytetarëve.